Kongresi Amerikan vlerëson reformat rekord të Shqipërisë
Në një seancë dëgjimore, mbajtur në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Daniel Fried, ka vlerësuar se “Shqipëria dhe Kroacia me këtë ritëm reformash do të bëhen anëtare me të drejta të plota në NATO brenda muajit prill të vitit 2009”. Gjatë seancës dëgjimore, me temë “Samiti i Bukureshtit dhe rruga drejt NATO-s”, organizuar nga Nënkomiteti për Çështjet e Evropës pranë Komitetit të Politikës së Jashtme së Dhomës së Përfaqësuesve, Uashington DC., e cila u mbajt në Kongresin e Shteteve te Bashkuara, Fried bëri një pasqyrë të qëndrimeve të qeverisë amerikane në kuadër të politikave të NATO-s, duke u përqëndruar në operacionet kyç të aleancës në Afganistan, Irak dhe Kosovë, zgjerimin e NATO-s dhe Politika e Dyerve të Hapura. Ndihmëssekretari i Shtetit, Fried, duke u ndalur në marrjen e ftesës për anëtarësim të plotë në NATO nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë, tha se “të dy vendet kanë forcuar demokracinë dhe kanë arritur një stabilitet të brendshëm. Sipas tij, Shqipëria dhe Kroacia janë tashmë kontribues të vlefshëm të misioneve të NATO-s. Ndërkaq, duke folur në seancë, kongresmeni Joe Uilson (South Carolina) tha se kishte dëgjuar përpara shumë vitesh “Radio Tiranën” dhe se sot ishte i impresionuar që Shqipëria nga një vend i izoluar “maoist”, përkrah gjerësisht anëtarësimin në NATO. Në vijim ai i drejtoi një pyetje ndihmëssekretarit të Shtetit, Daniel Fried, se pas marrjes së ftesës cilat janë procedurat për anëtarësim të plotë dhe se kur mund të anëtarësohet plotësisht në NATO Shqipëria dhe Kroacia? Në përgjigjen e tij, Fried, pasi sqaroi procedurat postftesë të ratifikimeve dhe vazhdimit të bisedimeve politiko-teknike, deklaroi se kjo procedurë mund të zgjasë një vit, apo diçka më shumë. Por, ai shprehu bindjen se “Shqipëria dhe Kroacia, me këtë ritëm reformash do të bëhen anëtare të Aleancës brenda një viti, pra në Prill 2009”. Z. Fried deklaroi dhe vazhdimësinë e qëndrimit në Kosovë, si një domosdoshmëri për siguri dhe stabilitet, e rrjedhimisht dhe një kontribut për lirinë e lëvizjes, mbrojtjen e minoriteve dhe “zonave” fetare. “NATO, vazhdoi ai, e ka bërë të qartë se do të vazhdojë të luajë një rol kyç në themelimin e një Force të re Sigurie Multietnike në Kosovë, nën mbikëqyrjen e një agjencie civile të qeverisë”, vijoi ai. Seanca zgjati për më shumë se dy orë dhe folësit biseduan rreth çështjeve kryesore që lidhen me problematikën e zgjerimit të NATO-s, marrëdhëniet mes shteteve anëtare, shtrirjen dhe konsolidimin e misioneve ndërkombëtare, sistemin mbrojtës, etj. Shkëmbimi i mendimeve gjatë seancës dëgjimore përfshinte pothuajse te gjitha temat e mësipërme, pasi çështja e zgjerimit të aleancës me vende si Gjeorgjia dhe Ukraina, çështja e raketave mbrojtëse, çështja e misioneve ndërkombëtare janë strategjike për politikën e jashtme të SHBA.