E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi I i AK-së, Spahiu: Të thyejmë sundimin e PD-së dhe PS-së

Ai tha se AK-ja vjen për herë të parë si një alternative qeverisëse, me forcën e duhur për të thyer sundimin e partive politike. “Aleanca vjen si një alternativë qeverisëse më e përgatitur, me forcën e duhur për të thyer themelet e partive tradicionale që koha u ka perënduar”, u shpreh Spahiu duke vijuar:

“Viti 2012 e gjen kombin në një situatë politiko-juridike të paprecedentë, na gjen si një nga kombet më të varfra në Evropë. Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë kanë dy nga shtetet me nivelin më të ulët ekonomik në Evropë, po ashtu shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni e kudo. Viti 2012 i gjen shqiptarët me dy qeveritë më të korruptuara në Evropë, si dy vende që janë përjashtuar nga proceset integruese. I gjen shqiptarët në ndasi politike. Viti 2012 i gjen shqiptarët me të njëjtat liderë politikë të para dy dekadave, të cilët kanë uzurpuar karriget e pushtetit edhe përpara se të lindin qindra kuqezinj që sot janë në sallë”.

Spahiu theksoi se AK-ja ka gati platformat e saj për të qeverisur dhe shpëtuar sektorët e pushtuar nga korrupsioni dhe kriza: “Reformë radikale amerikane dhe britanike në sistemin e drejtësisë: këtë do bëjë Aleanca Kuq e Ki. Shqipëria do ribëhet si një shtet i hekurt, luftë trafikimit, pastrimit të parave. Vepra penale e vrasjes të dënohet me vdekje dhe jo me burgim të përjetshëm. T’u heqim maskën liderëve politikë që kanë punuar për shërbime antishqiptare. Të rimëkëmbim ekonominë. Shqipëria ka sot ekonomi konsumatore dhe primitive që pastron paratë e zeza. Askujt të mos i gënjejë mendja se do gëzojë paratë e pista”.

Duke vlerësuar rininë shqiptare, kreu i Aleancës Kuq e Zi pohoi se bashkimi dhe integrimi janë tërësisht të realizueshme, vetëm nëse, më votën e shqiptarëve largohen dy partitë, PS dhe PD, të cilat, sipas tij, janë nofullat e një goje. “PS e PD janë nofullat e një goje që bluajnë vetëm për stomakun e tyre. Këta krokodilë zaptuan Kushtetutën dhe u kanë thënë shqiptarëve zgjidhni ose PS-në ose PD-në. Nuk u dhanë alternativën, zgjidhni më të mirin, por zgjidhni të keqen më të vogël”, nënvizoi Spahiu.

Në 100-vjetorin e Pavarësisë - vijoi ai - këtij kombi iu cenua integriteti territorial, identiteti kombëtarë dhe rendi kushtetues. Për këtë nuk duhet të fajësojmë fqinjët, por qeverinë e cila është jo shqiptare, por tradhtare.
/Start/

                                                                                             2012-06-16 16:20
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›