E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi Ndërkombëtar i Studentëve për Shkenca Mjekësore vjen në Tiranë

Kongresi i dytë ndërkombëtar i Studentëve për Shkenca Mjekësore do të zhvillohet në Tiranë nga data 28 maj deri më 1 qershor, nën kujdesjen e Kryeministrit Sali Berisha. Lajmi u bë i ditur nga grupi organizator i konferencës që mbajti një konferencë për shtyp në Shkup. Ky projekt përfaqëson një traditë në vazhdim të kongresit të par ndërkombëtar të Studentëve për Shkenca Mjekësore - Kosova 2008, të mbajtur në 28 maj - 01 qershor 2008 në Prishtinë dhe të mbështetur fuqishëm nga institucionet shtetërore, arsimore dhe shëndetësore të Republikës së Kosovës, si dhe nga organizma të respektuar ndërkombëtarë, si zyra e USAID-it dhe OBSH, - tha Besart Merovci, një prej organizatorëve. Këshilli organizativ i kongresit gjatë gjithë kohës ka realizuar takime me institucionet shtetërore, arsimore e shëndetësore të Shqipërisë, Kosovës, me organizmat ndërkombëtarë si dhe takime me studentët e shkencave mjekësore. Këto takime kanë pasur për qëllim jo vetëm informimin, por edhe trajnimin e studentëve për mënyrën e ndërtimit të një abstrakti dhe punimi shkencor në mënyrë sa më profesionale, - u shpreh kryetarja e grupit organizator, Zamira Kalemaj, studente në Universitetin e Tiranës. Ky kongres është i veçantë, pasi marrin pjesë studentë nga dhjetëra shtete të botës dhe prezantohen një sërë temash. Gjatë ditëve, sa do të zgjasë kongresi, do të prezantohen mbi 130 tema, nga lëmi të ndryshme të shkencave mjekësore nga shumë shtete evropiane dhe botërore, si: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, SHBA, Austri, Spanjë, Sri Lanka, Poloni, Itali, Greqi, Gjeorgji, Izrael, Bosnjë, Turqi, Ukrainë etj. Totali i deritanishëm i aplikimeve është mbi 450, prej të cilëve 247 janë aktivë dhe të tjerët pasivë. Presim edhe aplikime të tjera, - tha Behar Ismaili, anëtar i grupit organizator. Kongresi, që do të mbahet në fund të muajit maj, ka mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe Universitetit të Tiranës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›