Korrigjimi i shikimit, studimi: Operacionet Lasik, të rrezikshme
Kirurgjia Lasik në sy është përdorur për të korrigjuar shikimin e njerëzve që ata të eliminojnë nevojën për syze ose lente kontakti. Kjo procedurë është miratuar 15 vjet më parë nga Administrata Amerikane e Ushqimeve dhe Barnave. Por tani, një ish-nëpunës i kësaj agjencie qeveritare, shpreh shqetësime për sigurinë e operacionit Lasik. Një përmbledhje studimesh në të gjithë botën për operacionin Lasik tregon se 95 për qind e atyre që i janë nënshtruar një operacioni të tillë, janë të kënaqur me rezultatet. Gjatë këtij operacioni, mjekët përdorin rreze lazer për të ndryshuar përgjithmonë formën e kornesë për të përmirësuar shikimin. Ushtria amerikane e konsideron operacionin Lasik aq të sigurt, sa që kjo procedurë kryhet shpesh tek ushtarët e rinj. Por tek disa njerëz, shikimi është dëmtuar përgjithmonë si pasojë e këtij operacioni. Ata shohin turbullt dhe kanë probleme të shikimit gjatë natës. Disa njerëz kanë humbur punën dhe nuk janë në gjendje të kryejnë funksionet bazë, siç është ngarja e makinës, për shkak të pasojave nga operacioni Lasik. Tani, Morris Waksler, njeriu i cili kryesonte dikur zyrën qeveritare për shqyrtimin e të dhënave për efektshmërinë e operacionit Lasik, thotë se efektet anësore të procedurës Lasik nuk janë marrë mjaft seriozisht. Ai thotë se agjencia ku ai kishte punuar, duhej të kishte siguruar mbikëqyrje më të mirë dhe duhej të kishte vendosur standarde më të rrepta rreth përdorimit të operacionit Lasik. Agjencia e Barnave tani është duke hetuar ankesat e pacientëve të dëmtuar dhe është duke hartuar një raport rreth këtyre problemeve. Gjithashtu, kjo agjenci po i kërkon krijuesit të aparateve që përdoren për kryerjen e operacionit Lasik që të përmbushin disa standarde, të cilat do të ndikonin në pakësimin e efekteve anësore.