Kongresi, goditje e mendimit ndryshe dhe klientelizëm

Deputeti i PS, Kastriot Islami
Deputeti Kastriot Islami analizon Kongresin e PS.
Islami: Hera e tretë është më shumë vazhdim i Herës së parë dhe i Herës së dytë
Në Kongres kisha vendosur vetëm të dëgjoja, duke pritur një reflektim dhe pranim të sinqertë për të gjitha gabimet në drejtimin e PSSH që nga viti 2005, që deri më sot përmblidhen në politikën e re dhe radikalizimin dyvjeçar. Naivisht, a po të mos kishe mendjen në Kongres, do të mendoje se retorika e Herës së Tretë sikur i përgjigjej kësaj pritshmërie, së paku për të pranuar gabimet në drejtimin e PS e hequr dorë nga spastrimi i kundërshtarëve. Por po të jesh pak racional dhe i vëmendshëm, kupton se Hera e tretë është më shumë vazhdim i Herës së parë dhe i Herës së dytë, duke mos pranuar në thelb gabimet, hedhur fajet vetëm të tjerëve dhe vazhduar skemën e një drejtimi të personalizuar e klientelist, ashtu siç stigmatizon analisti amerikan Bugajski, edhe për PS fatkeqësisht. Prandaj, shumë veta mbetën skeptikë e pesimistë për suksesin e Herës së Tretë, e për rrjedhojë të pamotivuar. Pse? Ndonëse Rama kishte bërë përpjekje kolosale që me koshiencë të dukej ndryshe e autokritik, subkoshienca e demaskoi koshiencën. Në sytë e publikut, nën petkun e thirrjes për bashkim, për shkak të mungesës së qetësisë, dilemave apo inatit ekstremal, u shfaq gjithçka ai mendon e synon realisht. Disa detaje që duken si të parëndësishme, por që flasin shumë qartë, do të ishin: asnjë person i cilësuar kundërshtar nga Rama nuk u lejua të fliste në prezencë të medias. U linçua ish-Presidenti Meidani në mënyrë të organizuar se kishte kritikuar pjesë të programit si i ulur në prehrin e Berishës. U ndanë shqiptarët në tri klasa, në mbështetës të Ramës me të cilët do të ringjallet Shqipëria, në kritikues të Ramës që u etiketuan se punojnë për interesat e tyre dhe që janë ulur në prehrin e Berishës dhe kundërshtarë të Ramës që janë pjesë e regjimit të Berishës. Duket si ndarje klasash në kushtet e demokracisë, bardhë e zi, o me mua, o kundër meje. Duke i presupozuar naivë socialistët e shqiptarët, u promovua teza e afrimit të disa të përjashtuarve pa arsye në 2005, ndërkohë që u larguan këtë radhë pa arsye disa të tjerë që nuk ishin spastruar në 2009 apo të rinjve që ishin afruar në 2009-n, vetëm se e kishin kundërshtuar atë. Por askush nuk është naiv të mos kuptojë se e gjithë kjo është vazhdim i skemës së spastrimit, relativizimit apo spostimit nga forumet drejtuesve të njerëzve me eksperiencë që kanë mendim ndryshe dhe atyre që nuk janë klientelistë, por kundërshtojnë kryetarin për defektet e drejtimit të PSSH. Nuk u hodh asnjë tezë për bashkimin e së majtës, ndërkohë që Hera e Parë dhe Hera e dytë dështuan, se e majta ishte e përçarë… Prandaj, mbetem i vendosur të komunikoj me publikun, proporcionalisht me mosreflektimin për defektet dhe mungesën e transparencës, por akoma më shumë, me kundërshti në proporcion progresiv me drejtimin e personalizuar, klientelizimin ekstrem e mungesën e konkurrimit të ndershëm.
I. Politika e re dhe kursi radikal, taktika dyvjeçare të dështuara. Po Hera e tretë?
Politika e re lindi në 2007 e u përmbyll, pa mbushur ende dy vjet, në qershor 2009, dhe për shkak të saj PS mbeti në opozitë. Në 2009, PS nisi një kurs veprimesh radikale, në themel të së cilës do të qëndronin bojkoti e mosvotimi i ligjeve dhe reformave integruese, protestat e demonstratat për rrëzimin e qeverisë, kërkesat dhe thirrjet për zgjedhje të parakohshme, grevë urie, bllokim rrugësh, deri tek ngjarja tragjike e 21 janarit e sulmet e medias e gazetarëve pranë dhe pro opozitës kundër ndërkombëtarëve e veçanërisht SHBA, kurs që do të zgjaste veçse dy vjet. Për shkak të këtij kursi radikal, aleanca e PS do të kishte 141 mijë vota më pak se aleanca qeverisëse dhe do të ndërronte peizazhi politik në Bashkinë e Tiranës dhe njësitë e saj bashkiake. Tani është deklaruar se do të kalohet në Kursin e ri apo siç u quajt ndryshe në Kongres, projektin Rilindja e Shqipërisë, ide e bukur që nis në 2011-n dhe me shumë gjasa do të zgjasë përsëri 2 vjet, deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Kjo është Hera e tretë, e treta e vërteta? Paradoksalisht, kjo herë nisi me një deklaratë naive se Bojkoti dhe politika dyvjeçare radikale ishin viktima të suksesit të tyre…. Hera e tretë ka në themel: a) një projekt-platformë me një listë dëshirash socialdemokrate, por që kërkon shumë punë për tu kthyer në një program realist qeverisjeje; b) një retorikë për bashkim të komprometuar rëndë nga linçimi i organizuar i ish- Presidentit Meidani dhe nga teza sektare se Kush kritikon ose ka qëllime personale, ose është në prehrin e Berishës, dhe c) afrimin (gjë shumë e mirë) e disa të përjashtuarve në 2005-n, përjashtimin (gjë shumë e keqe) e disa të afruarve kritikues në 2009-n dhe vazhdimin e skemës makiavelike të kontrollit të forumeve (që hedh në erë tezën e bashkimit) me formatimin e kryesisë e të sekretariatit. Tri pyetje shtrohen 1) Ku ndryshon Hera e tretë nga Politika e re dhe përse dështoi politika e re në zgjedhjet e 2009?; 2) Kush mban përgjegjësi për kursin dyvjeçar radikal, që ta themi troç, rezultoi i gabuar dhe i dështuar në zgjedhjet vendore të 2011, por ai paraqitet paradoksalisht sukses; dhe 3) A do të mund të fitohet vetëm me sloganin E treta, e vërteta kur ende nuk ka një përgjigje se si mund të zvogëlohet apo përmbyset distanca prej 141 mijë votash që mban PS në opozitë që nga viti 2009 dhe nuk ndryshoi në 2011-n dhe mund të ripërsëritet në 2013-n?
II. Hera e tretë, si vazhdimësi e Politikës së Re dhe Kursit radikal dyvjeçar… ?
Politika e re, që kishte në themel refrenin e goditjes së politikës së vjetër 18-vjeçare, ku përfshiheshin edhe 8 vjetët e qeverisjes së majtë, u përjetua më shumë si fillimi i zbatimit të një politike spastrimesh e spostimesh të të gjithë atyre që kishin themeluar PS dhe/ose atyre që kishin ndërtuar qeverisjen e majtë me sukseset dhe defektet përkatëse. Politika e re dështoi në 2009-n, edhe sepse u spastruan pikërisht disa nga ata që sot afrohen dhe shumë të tjerë që nuk janë afruar ende, sepse vazhdojnë të kritikojnë kryetarin. Kursi dyvjeçar radikal dështoi dhe po ashtu u braktis pas humbjes në shkallë kombëtare dhe konkurrimit të gabuar të Ramës e largimit nga kreu i Bashkisë së Tiranës dhe rezultatit negativ në 11 minibashkitë e Tiranës, më 8 maj 2011. Mendimi ndryshe u godit dhe u programua largimi i tij nga forumet drejtuese, për tu realizuar në Kongresin e 5 nëntorit e në vijim të tij. Tani ka nisur të artikulohet Hera e tretë, e cila duket si një ishallah midis suksesit e dështimit por që tingëllon më shumë si vazhdimësi e Politikës së Re dhe Kursit dyvjeçar radikal apo si përzierje e tyre. Në themel të saj, për këdo që ka inteligjencë minimale, vazhdon të qëndrojë politika e spastrimeve nga njerëzit me eksperiencë, me vlera, kontribute, por edhe cilitdo që ka kapacitete, sepse të gjithë këto mund të jenë potencialisht të aftë për tu kthyer në qendra të reflektimit, gjykimit dhe mendimit ndryshe. Rama premtoi para ardhjes në pushtet në PS realizimin e tre objektivave prioritarë të a) bashkimit të së majtës, b) të pranimit të institucionalizimit të mendimit ndryshe në formën e fraksioneve dhe c) të votimit një anëtar një votë së bashku me largimin nga drejtimi të kryetarit nëse humbet zgjedhjet. Duke kërkuar liri para marrjes së pushtetit në PS dhe duke bërë ekzaktësisht të kundërtën pas marrjes së tij, në mënyrë makiavelike të parat që u vranë sapo u fitu