Rama: Të larguarit do të ftohen të diskutojnë për programin
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama duke e cilësuar kongresin e së shtunës si mjaft të suksesshëm theksoi se duke filluar nga nesër programi i partisë do të shpërndahet në të gjitha organizatat socialiste të vendit.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së Rama theksoi se program nuk është fjala e fundit e socialistëve por është hapi i parë në rrugën që ata do t`i ofrojnë shqiptarëve.
“ Nga nesër libri i programit do ti shpërndahet organizatave nga Bajram Curri në Konispol. Do nisim kontaktet intensive për të diskutuar mbi programin. Mbledhja e organizatave për diskutimin e programit do të bëhen të hapura”, theksoi Rama.
Ai ka shtuar gjtihashtu se hapja e diskutimit për programit do të shkojë paralelisht me hapjen e partisë dhe do nisë puna për objektivin e rritjes me 30% të anëtarësisë së PS deri në vitin 2013.
“Vet Partia Socialiste duhet të bëhet shtëpia e më shumë shqiptarëve. Të gjithë të larguarit për çdo arsye të ftohen për të marrë pjesë në diskutimet e programit në organizata. Në këto diskutime duhet të ftohen gjithë ata mbështetës, simpatizantë, të reja e të rinj të interesuar për tu bërë pjesë e kësaj familje politike”, ka shtuar Rama
Ai gjithashtu i ka propozuar komisionit të ligjeve që të nxisin procesin legjislativ për projektet që kërkojnë 3/5 e votave, ndërsa shtoi se PS-ja duhet t`i dorëzojë një axhendë të specifikuar pune komisionit kur do të jenë një rend çështjesh e afatesh duke dhënë edhe detaje.
"Për të mos i lënë më asnjë mundësi palës tjetër që ti ikë përgjegjësive të veta e ti bishtnojë paktit që kemi ofruar ne e jo një pazar me ta. Të gjitha komisionet të përshpejtojnë punën për debatin mbi projektbuxhetin 2012.Të nxjerrim të gjitha faktet që dëshmojnë dështimin e qeverisë në ekonomi, shëndetësi, arsim etj", theksoi më tej Rama.