E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Programi ynë i ri është dera e hapur e PS-së

 Partia Socialiste u hap dyer të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e diskutimit mbi programin e ri. Në mbledhjen e grupit të PS, kreu Rama e cilësoi një sukses Kongresin socialist të mbajtur 2 ditë më parë.

Duke e parë këtë si një fillim të mbarë, Rama ftoi të gjithë ata që besojnë tek e majta të bëhen pjesë e diskutimit të programit të ri të PS. Nga nesër, libri i programit do tu shpërndahet organizatave nga Bajram Curri në Konispol. Mbledhjet e organizatave do të bëhen të hapura. Hapja e diskutimit për programin do të shkojë paralelisht me hapjen e partisë.

Partia Socialiste duhet të bëhet shtëpia e edhe më shumë shqiptarëve. Të gjithë të larguarit do të ftohen të bëhen pjesë e diskutimit të programit. Programi ynë është dera jonë e hapur. Çdo organizatë socialiste duhet të hapë dyert për këdo që do ta diskutojë këtë program, për ta bërë atë realitet. Kjo nënkupton që ne të shkojmë drejt njerëzve, tha Rama.

Rama  i kërkoi Komisionit të Ligjeve që të nxisë procesin legjislativ për projektet që kërkojnë 3/5 e votave, ndërsa tha se socialistët duhet t`i dorëzojnë këtij komisioni një axhendë të detajuar pune me çështjet që duhen diskutuar dhe afatet brenda të cilave duhet realizuar kjo. “Kjo për të mos i lënë më asnjë mundësi palës tjetër që tu ikë përgjegjësive të veta e ti bishtnojë paktit që kemi ofruar ne, u shpreh kreu i socialistëve.

Rama u kërkoi deputetëve të komisioneve parlamentare të përshpejtojnë punën për përgatitjen e debatit mbi projektbuxhetin e vitit 2012.  Të nxjerrim të gjitha faktet që dëshmojnë dështimin e qeverisë në ekonomi, shëndetësi, arsim. Shqiptarët duhet të dëgjojnë në atë debat të gjitha aspektet që dallojnë qeverinë e sotme nga qeveria e nesërme, tha Rama.

Duke iu rikthyer programit të ri të partisë, Rama tha se ai u është dërguar edhe një sërë personalitetesh të huaja të politikës dhe ekonomisë që kanë shprehur dëshirën ta lexojnë dhe të na ndihmojnë në vijim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›