Kongresi i 10 i PPSHNga Luljeta Progni(Gazeta “TemA” vijon të botojë pjesë nga libri i autores me titull “Trashëgimtarët. Partia Socialiste midis transformimeve dhe vazhdimësisë”, botuar nga “IDEART”) Ndryshimi i vendndodhjes së bustit të Enver
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kongresi i 10 i PPSHNga Luljeta Progni(Gazeta “TemA” vijon të botojë pjesë nga libri i autores me titull “Trashëgimtarët. Partia Socialiste midis transformimeve dhe vazhdimësisë”, botuar nga “IDEART”)
Ndryshimi i vendndodhjes së bustit të Enver Hoxhës në sallën e kongresit ishte e para shenjë, me të cilën u përballën 1518 delegatët e kongresit të dhjetë të PPSH. Çështja ishte se ç’vend do të zinte busti i Enver Hoxhës në sallë. Duhej menduar për dy kategori delegatësh, ata që ende e kishin për zemër figurën e Enver Hoxhës e që s’mund të shpërfilleshin, dhe ata që nuk e donin më. Para se të mblidhej kongresi Ramiz Alia e kishte menduar zgjidhjen bashkë me grupin e punës. Nuk u vendos busti si në kongreset paraardhëse, mbi presidium, por u gjet një basoreliev dhe u vendos në pjesën e daljes së sallës. Gjithçka kishte të bënte me ruajtjen e kohezionit brenda partisë (1). Anëtarët e Byrosë Politike ishin të përgatitur se në një prej seancave të kongresit do të dëgjonin kritika të ashpra ndaj figurës së udhëheqësit të tyre, prej të cilit kërkonin ende shpëtim. Në mbledhjen e Byrosë Politike, njëri prej të rinjve në forumet e larta drejtuese të PPSH, Moikom Zeqo, i cili ishte zgjedhur në atë kohë kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, sulmon ashpër figurën e Enver Hoxhës. Kjo kritikë e Zeqos ishte bërë e ditur në mbledhjen e Byrosë Politike të 13 prillit. Maqo Lakrori tregon se ai element kritik që kishte deklaruar Moikom Zeqo në mbledhje, ishte përfshirë në programin e ri politik të PPSH, që po hartohej nga një grup intelektualësh ku bënin pjesë edhe Maqo Lakrori, edhe Moikom Zeqo. Në të vërtetë, ky i fundit e mohon një gjë të tillë. Edhe vetë programi i PSSH, i hartuar në atë kongres, i cili nis me teorinë e Marksit, e përgënjeshtron pohimin e Lakrorit. Moikom Zeqo kishte propozuar heqjen nga programi i PSSH të termit marksizëm-leninizëm dhe zëvendësimin e tij me idealet e socializmit demokratik evropian, ku nuk figuronte asgjë që kishte lidhje me Marksin.
“Moikom Zeqo ishte kritik ndaj figurës së Enverit dhe këtë e kishte deklaruar qysh në mbledhjen e Byrosë Politike të 13 prillit, në të cilën u vendos të hartohej një program dhe një parti tjetër. Unë nuk mund të them se bëra kritike për Enverin, apo tjetër gjë. Kisha bërë propozimet për ndryshime thelbësore dhe elementi kritik ishte në thelbin e platformës që kisha hartuar” (2).
Raporti i përgatitur nga grupet e punës të monitoruara rregullisht nga Ramiz Alia, u lexua në kongres nga sekretari i KQ, njëkohësisht sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Tiranës, Xhelil Gjoni. Në raport pasqyroheshin gabimet në rrugën e PPSH, por mbahej qëndrim edhe për figurën e Enver Hoxhës. Po aty, thureshin lavde për figurën e Enver Hoxhës, nxirreshin në pah të gjitha vlerësimet që ishin bërë më parë, ndërsa si e metë e vetme u pranua ekzistenca e kultit të Enver Hoxhës, për të cilën sërish u gjet fajtore Byroja Politike.
Mund të bëhen vërejtje e mund të gjenden kontradikta të tjera rreth figurës së Enver Hoxhës. Por një gjë mund të thuhet me vendosmëri: në qëndrimin ndaj çështjes kapitale të çdo populli e vendi, në qëndrimin ndaj lirisë dhe pavarësisë së atdheut, Enver Hoxha nuk ka gabuar. Ai ishte një udhëheqës me popullaritet që dinte të bashkonte njerëzit e të ngrinte peshë zemrat e tyre. Sa qe gjallë, Enver Hoxha nuk i takonte vetëm Partisë së Punës, por gjithë Shqipërisë. Ai ka qenë një faktor i madh uniteti. Le të merren historianët me gabimet e le të mbetet ai në trashëgiminë e partisë sonë e të këtij vendi. Është në të mirën e përgjithshme t’i shmangim ato diskutime që ndajnë. Enver Hoxha duhet pranuar ashtu siç ka qenë. Detyra jonë është që t’i njohim vlerat, që të mos konfondojmë me to gabimet, dhe kështu t’i përsërisim prapë në të ardhmen” (3).
Por atë që nuk mundi ta thoshte raporti i miratuar nga Ramiz Alia dhe udhëheqja, e lexoi Dritëro Agolli. Pas 18 vitesh Agolli kujton se për të përgatitur atë raport që përmbante kritikën e madhe ndaj Enver Hoxhës, ishte detyruar të mbyllej për 24 orë në shtëpinë e tij, duke refuzuar çdo lloj kontakti me pjesën tjetër të PPSH. Shkëputi linjën e telefonit, mbylli derën që të mos i përgjigjej askujt, të ndërpriste çdo lloj komunikimi për të përgatitur i lirë dhe i pavarur nga ndikimet e cilitdo qëndrimin e tij për Enver Hoxhën dhe PPSH. Në ditën e dytë të kongresit, në mëngjes, Agolli u shfaq në sallë dhe kërkoi fjalën. Sipas tij, askush nuk e dinte se çfarë shkruhej në ato letra, as Ramiz Alia. Kritikohej fort figura e Enver Hoxhës dhe kjo nuk kishte shumë shanse të pritej mirë nga delegatët (4). Dritëro Agolli foli kundër Enver Hoxhës, por mori reagimet e ashpra pikërisht të asaj pjese të PPSH, që kërkonte ta mbante në këmbë këtë parti në grahmat e fundit të sistemit komunist në Shqipëri. Dhe kjo pjesë ishte shumica. Pasi përfundoi fjalën, në sallë filluan të ndiheshin tensione dhe Agolli nuk u kthye më në vendin e tij në sallën e kongresit. Ai tregon se kishte frikë të kthehej atje. Reagimet e sallës ndaj kritikave të tij për Enver Hoxhën kishin qenë agresive. Gjeti një vend pranë disa gazetarëve të huaj që po ndiqnin punimet e kongresit. Për disa minuta i mbërritën një numër i madh pusullash ku kërcënohej dhe sulmohej nga delegatët. Pas këtyre reagimeve Agolli shkroi një reflektim:
“Ju ma vërtetuat mendimin tim të fshehur në vetvete, se Partia e Punës nuk rinovohet. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar, janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat dhe po jep shpirt. Kur dikush jep shpirt, të tjerët bërtasin. Ju bërtisni, pasi ajo që iu polli ju, po jep shpirt në shtratin e vdekjes. Unë, kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë po mundët! Unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri dhe aq më tepër bërtitjet tuaja pranë të vdekurit” (5). Me gjithë reagimet e ashpra të shumicës, Dritëro Agolli u mbështet nga disa figura të tjera të rëndësishme të partisë. Moikom Zeqo, Servet Pëllumbi etj., dolën në podium për të mbështetur Agollin. Ata kritikuan të shkuarën komuniste të PPSH, si dhe udhëheqësin e saj. Fjala e Agollit dhe e mbështetësve të tij në atë kongres provokoi përplasje ndërmjet atyre që u quajtën reformatorë nga njëra anë dhe Byrosë Politike e mbështetësve të saj në kongres nga ana tjetër. Të mbledhur në holl, disa nga byroistët dhe disa delegatë, ata më fanatikët ithtarë të Enver Hoxhës, u kundërpërgjigjën duke ngritur grushtin lart dhe duke thirrur parullën tradicionale komuniste “Parti Enver, jemi gati kurdoherë” (6). Kjo parullë vinte si një kërcënim për atë pjesë “të re” të PPSH e cila ishte përgatitur të merrte në dorë drejtimin e partisë, por konservatorët, nuk dukeshin dhe aq të përgatitur për ta lënë timonin. Togfjalëshi që qarkullonte shpesh mes tyre ishte: “ne na zgjodhi Enveri dhe s’mund të na shkarkojë Ramizi”. Për të shmangur çdo lloj incidenti, ishte përgatitur me kujdes gjithçka nga Ramiz Alia. Delegatët e Fierit sulmuan ashpër Byronë Politike, duke kërkuar një shpjegim mjaft specifik. Ata ngarkonin me faj Byronë Politike dhe Komitetin Qendror, si shkaktarë të degradimit të partisë së tyre. Akuza nuk kishte të bënte me atë që kërkonte shumica e popullit shqiptar, se PPSH e Byroja Politike e kishin mbajtur Shqipërinë të izoluar, duke dhunuar të gjitha të drejtat dhe liritë e individit, por kishte të bënte me problemet brenda llojit. Kishte të bënte pikërisht me fajet e Byrosë, pse e kishin lënë partinë të dobësohej deri në këtë pikë. Përballë këtyre akuzave anëtarët e Byrosë dhe të KQ nuk kishin argumente. Sipas delegatëve që i kishin drejtuar gishtin fajtorit, PPSH ishte dobësuar dhe fajtorë për këtë ishin Byroja Politike dhe KQ, por jo Ramiz Alia.
- Seanca e mbyllur e Kongresit
Seanca e mbyllur e Kongresit të 10 zgjati nëntë orë, e ndarë në pesë pjesë. Protagonistë të kësaj seance thonë se situata ishte mjaft e tensionuar, mbizotëronin vetëm britmat dhe jo diskutimi. Atë ditë po ndahej pushteti midis komunistëve të vjetër dhe të rinj. Ata të vjetrit e kishin mbaruar misionin e tyre dhe ishin të detyruar ta lëshonin pushtetin. Asnjëherë më parë nuk ishte zhvilluar një betejë e tillë brenda partisë së vjetër. Asnjëherë nuk ishin ndarë në dy fronte të tilla. Nuk bëhej më fjalë për “grupe armiqësore” që zbuloheshin nga partia dhe Enver Hoxha. Ishte një situatë krejt tjetër. Disa komunistë të rinj po kërkonin të merrnin pushtetin e Byrosë Politike, të cilin ua kishte lënë trashëgim Enver Hoxha. Ramiz Alia qëndronte i dyzuar midis dy palëve. Kjo seancë u drejtua nga Gramoz Ruçi, ish-sekretar i PPSH në Tepelenë, që ishte zgjedhur nga Ramiz Alia për të drejtuar Ministrinë e Brendshme në kohën e protestave masive të pranverës së atij viti. Në këtë seancë u vunë para “gjyqit” të partisë ish-anëtarët e Byrosë Politike dhe të KQ të Partisë. Por nga ky “gjyq” u përjashtua Ramiz Alia, i cilësuar si iniciator i ndryshimeve demokratike në PPSH dhe në Shqipëri. Delegatët e Fierit, Kiço Londo, Petro Koçi etj., propozuan përjashtimin nga partia të Byrosë Politike. Në emër të delegatëve të Fierit, Petro Koçi, kërkoi të nxirrej përgjegjësia e plotë e udhëheqjes së lartë të partisë, konkretisht e anëtarëve dhe e kandidatëve të Byrosë Politike të PPSH, për katër çështje: për politikën e dështuar të partisë, që çoi në krizën ekonomike e sociale të kohës, për shkëputjen e tyre nga masa e anëtarëve të thjeshtë dhe nga populli, për privilegjet dhe korrupsionin e tyre gjatë qëndrimit në udhëheqjen e lartë të partisë dhe për braktisjen prej tyre të partisë në çastet e vështira të jetës së saj, veçanërisht gjatë fushatës elektorale (7).
Pra, as që mendohej për t’u bërë analizë vendimeve të kriminale të PPSH, që e la të izoluar popullin shqiptar për 45 vjet, duke provuar mbi të persekutime dhe tortura si në një kamp përqendrimi, për ta çuar drejt rrënimit ekonomik e shpirtëror. Bëhej fjalë vetëm për kritikë ndaj udhëheqjes, për mangësitë e saj në menaxhimin e mirë të punës së partisë, në funksion të shëndoshjes së kësaj partie. Anëtarët e Byrosë Politike u përjashtuan nga partia. Disa protagonistë të kongresit pohojnë se pas krijimit të PS, Ramiz Alia bëri kërkesë për t’u anëtarësuar në të, por ishte kryetari i PS, Fatos Nano, i cili u kujdes që të gjente hapësira për ta shmangur Ramiz Alinë. Ende nuk dihet se cila ishte mënyra e Nanos, apo nëse Ramiz Alia e mori ndonjëherë teserën e PS. Kjo situatë pasqyrohet në rrëfimet e protagonistëve:
“Anëtarëve të Byrosë Politike nuk iu kërkua llogari për gabimet që ishin bërë nga PPSH në të shkuarën. P.sh., pse nuk shpallej pluralizmi, pse kishin ndodhur ato gabime me njerëzi, etj. Por u kërkohej vetëm një gjë, pse e kishin çuar vendin në kolaps ekonomik dhe pse nuk kishin ditur të qeverisnin. Pra, ishte një kërkesë brenda sistemit. Këta delegatët e Fierit kishin pikëpamje foshnjore në politikë për pluralizmin. Nuk kërkoi njeri pse ata (Byroja Politike) nuk kishin pasur rol liberal në zhvillime, që të mbanin qëndrim ndaj Kushtetutës etj. Por bëhej fjalë për PPSH dhe jo për kapitalizëm. Kur ka mbaruar seanca e kongresit i kam thënë ambasadorit Rajerson: “një grup bolshevikësh me mendësi krejtësisht bolshevike, rrëzoi një grup tjetër bolshevikësh” (8).
Seanca e mbyllur e Kongresit të 10 të PPSH rezultoi me një frymë bolshevike për disa nga protagonistët, ndërsa për të tjerë ndodhi e kundërta. Gramoz Ruçi, i cili drejtoi atë seancë, thotë se ky ishte një ndër momentet e vështira të jetës së tij. Ai dëshmon pas shumë vitesh në një intervistë se në atë seancë u hodh në votë përjashtimi i gjithë udhëheqjes së partisë, me përjashtim të Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës. Ai shpjegon arsyet përse u përjashtua nga ky gjykim Nexhmije Hoxha e Ramiz Alia. Ruçi dëshmon se, në qoftë se do të hidheshin në votë, salla do të përjashtonte nga partia menjëherë Ramiz Alinë, por e njëjta gjë nuk do të ndodhte me Nexhmije Hoxhën. Kjo ishte mendësia e anëtarësisë së PPSH, pikërisht atë ditë kur u transformua në PS, moment që u quajt edhe themelimi i kësaj partie (9). Në atë seancë nuk u krye asnjë analizë politiko-ideologjike dhe nëse do të ishte bërë kjo analizë, duhet të kishte filluar pikërisht nga Sekretari i Parë i KQ të PPSH, Ramiz Alia. Gjyqi ndaj Byrosë Politike nuk kishte të bënte aspak me një analizë, por me një akt që i kapërcente nëpërmjet zhurmës problemet, pa i zgjidhur ato. Gjithë mllefi i delegatëve që u lëshua mbi anëtarët e Byrosë Politike, shërbeu vetëm për të shpërqendruar vëmendjen nga thelbi i problemeve dhe pasojat e qeverisjes së kësaj partie për 45 vjet totalitarizëm në Shqipëri. Për këtë çështje, Ismail Lleshi thotë se në atë seancë u shfaq vetëm dufi që kishin akumuluar njerëzit në shumë vite apo dekada dhe se ky ishte një duf deri diku i papranuar nga udhëheqja.
Ishte një seancë e vonuar. Dhe të them të drejtën e kam ndjekur me indiferentizëm, sepse shikoja, (nuk dua ta përmend në kuptimin e keq të fjalës), një turmë njerëzish e cila shfrente dufin e saj të akumuluar prej kohësh ndaj disa njerëzve. Nuk desha të isha pjesëmarrës në këtë lloj dufi, sepse realisht nuk po bëhej analizë e veprimtarisë politiko-ideologjike, por po shfryhej duf ndaj figurave të caktuara. Ishte dufi që kishin akumuluar njerëzit në shumë vite apo dekada. Ishte një duf deri diku i papranuar nga udhëheqja. Ky lloj dufi ishte më tepër një kapak që mbulonte problemet, sesa një kapërcim i problemeve. Kjo sepse nuk u bë analizë realisht. Edhe kur flitej për ta, nuk flitej për një rol të tyrin politiko-ideologjik, por flitej për ta vetëm si individë. Po të kishte qenë se flitej për rolin politiko-ideologjik, analiza do të fillonte me Ramiz Alinë. Kurse Ramiz Alia u veçua dhe, madje, u bë pjesëtar i dufit, kur tha në një moment: e shikoni me cilët kam punuar unë. E kishte fjalën për anëtarët e Byrosë Politike ndaj të cilëve po shfryhej dufi”. (10)
Roli i Ramiz Alisë në këto ngjarje ishte shumë i rëndësishëm, pasi ai vetë ishte i interesuar që situata të ishte e tillë, që ngjarjet të zhvilloheshin me shpejtësi dhe në kaos të plotë, për të mos u lënë kohë analizave dhe nxjerrjes së fajtorëve. Kur delegatët po gjykonin Byronë Politike, Ramiz Alia mori rolin e të persekutuarit, u bashkua me mllefin e turmës dhe deklaroi: “E shikoni se me kë kam punuar unë”! E kishte fjalën për anëtarët e Byrosë Politike dhe të KQ, të cilët asnjëherë nuk e kishin kundërshtuar as për çështjen më të vogël. Ramiz Alia ishte i pari që duhet t’i nënshtrohej analizës dhe të mbante përgjegjësitë që i takonin, si kryetar i atij shteti totalitarist. Kjo nuk ndodhi dhe seanca u mbyll, duke ia lënë vendin zgjedhjes së strukturave të partisë së re, të cilën Ramiz Alia e kishte ideuar prej kohësh në mendjen e tij, bashkë me të gjithë elementët e saj përbërës.
Xhelil Gjoni, i cili mbajti edhe raportin e Kongresit të 10-të, dëshmon se i pari individ që ishte propozuar nga Ramiz Alia si kryetar i partisë së re që do të dilte nga PPSH, ishte Maqo Lakrori, i sapokthyer nga Franca pas nëntë vjetësh qëndrimi atje. Sipas Gjonit, lidhja e Lakrorit me Ramiz Alinë kalonte përmes së bijës, meqë ky ishte një i njohur i vjetër i saj. Nëse e marrim për të vërtetë këtë pohim të Xhelil Gjonit, duket se Ramiz Alia ka kërkuar midis të rinjve në PS pikërisht një të besuar. Edhe vetë Maqo Lakrori në dëshmitë e tij për atë kohë flet me admirim për Ramiz Alinë dhe shton që nëse do ta kishte marrë postin e kryetarit të PS, ndikimi i Ramiz Alisë do të kishte mbetur i madh. Ai pohon se Ramiz Alia i kishte ofruar postin e kryetarit të partisë së re, që do të dilte nga PPSH, por e kishte refuzuar, duke argumentuar se preferonte një drejtim kolegjial të PS, pa protagonist kryesor. Ndërsa Xhelil Gjoni tregon se kur Ramiz Alia i kishte ofruar Maqo Lakrorit postin e kryetarit, ky i fundit e kishte pranuar paraprakisht. Pas këtij çasti Maqo Lakrori kishte shkuar në zyrën e Xhelil Gjonit dhe kishte kërkuar ndihmën e tij për të tërhequr vendimin për postin (11).
“Para se të mblidhej kongresi Ramiz Alia më propozoi të bëhesha kryetar i partisë së re që do të dilte nga kongresi. Unë nuk e pranova atë propozim. Së pari, sepse angazhimi im nuk ishte për të marrë një post, angazhimi im ishte për të ndihmuar që edhe Shqipëria të shndërrohej në një vend modern, siç ishte Franca që kisha njohur unë. Unë i propozova emrin e Fatos Nanos”, - thotë Maqo Lakrori në intervistë.
Ka dëshmi kontradiktore për sa i përket personit që propozoi i pari Fatos Nanon për kryetar. Veç Lakrorit, Xhelil Gjonit apo Spiro Dedes, edhe Musa Ulqini pretendon se propozimin për Nanon e kishte bërë ai në konferencën e Tiranës (12).
Musa Ulqini shkruan: “Në mbledhjen e parë të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS, që u zhvillua në një prej sallave të Pallatit të Kongreseve, mbledhje të cilën e drejtoi Xhelil Gjoni, i pari që u ngrit në emër të delegatëve të Tiranës dhe propozoi që Nano të ishte kryetar i PS, ishte sekretari i PS të kryeqytetit për propagandën, autori i këtyre radhëve. I dyti që mori fjalën dhe propozoi për kryetar të PS, prof. Servet Pëllumbin, ishte Halil Lalaj, kryetari i atëhershëm i PS për kryeqytetin” (13).
Duke iu referuar dëshmitarëve të këtij momenti dhe protagonistëve gjithashtu, duket se propozimi për emrin e Fatos Nanos ka ardhur nga vetë Ramiz Alia. I bindur se Nano do të ishte personi i duhur pas refuzimit të Lakrorit, ai ka ngarkuar disa individë që t’i bëjnë të njëjtin propozim, për të qenë i sigurt se kjo kandidaturë do të gjente mbështetjen e duhur. Sipas Maqo Lakrorit, në seancë vetë Ramiz Alia kishte propozuar emrin e Fatos Nanos për postin e kryetarit të PS. Pasi Nano kishte refuzuar, për shkak se ambiciet e tij lidheshin me poste ministrore dhe pikërisht me postin e ministrit të Jashtëm, Ramiz Alia dhe disa protagonistë të tjerë kishin zhvilluar negociata me të dhe në fund e kishin bindur. Sipas Lakrorit, Nano kishte vendosur kushte, që të kishte tre nënkryetarë të PS dhe konkretisht Servet Pëllumbin, Spiro Deden dhe Ismail Lleshin. Pas zgjedhjes së Nanos kryetar, u zgjodh edhe Kryesia e PS. Figurat e zgjedhura iu bënë të ditura kongresit, i cili e priti me entuziazëm përbërjen e udhëheqjes së partisë së re (14).
_________________
1. Lakrori Maqo, (intervistë marrë nga autorja e punimit), 15.01.2009.
2. Lakrori Maqo, po aty.
3. Gjoni Xhelil, Raporti i mbajtur në Kongresin e 10 të PPSH.
4. Agolli Dritëro, (intervistë marrë nga autorja e punimit), 12.06.2009.
5. Agolli Dritëro, dorëshkrim.
6. Pettifer James, Miranda Vickers, From Anarchy to a Balkan Identity, New York University Press, New York, 1997, f. 68
7. Byroja Politike, para Gjyqit të Partisë, “Zëri i Popullit”, 12.06.1991.
8. Dede Spiro, (intervistë marrë nga autorja e punimit), 12.01.2009.
9. Basha Anila, Gramoz Ruçi flet për historinë e themelimit të PS, Gazeta Shqiptare, 13.08.2006.
10. Lleshi Ismail, (intervistë marrë nga autorja e punimit), 30.01.2009.
11. Gjoni Xhelil, (intervistë marrë nga autorja e punimit), 21.01.2009.
12. Gjoni Xhelil, po aty.
13. Ulqini Musa, (intervistë marrë nga autorja e punimit), 30.04.2009.
14. PPSH, Kongresi i 10-të i PPSH, Përmbledhje Materialesh, Shtëpia Botuese “8 nëntori”, Tiranë, 1991