CEZ në hetim për fitime pa konkurrencë
NERTILA MAHO
Komisioni Evropian ka filluar një hetim ndaj kompanisë CEZ. a.s. Kjo e fundit dyshohet se ka përdorur fuqinë e saj financiare për të nxjerrë nga tregu konkurrentët e tjerë për të rritur çmimin e energjisë. CEZ Group është prezent në Shqipëri me blerjen e OSSH-së, ku zotëron 76% të aksioneve. Vetëm pak kohë më parë çekët kërkuan rritje të çmimit të energjisë edhe në Shqipëri me rreth 44.2%. Ndaj kësaj rritje kanë reaguar Enti Rregullator i Energjisë, Avokati i Popullit, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës duke e cilësuar si të ekzagjeruar. Por në kushtet kur OSSH është i vetmi operator furnizues me energji elektrike në Shqipëri kjo e bën atë thuajse një monopol pa konkurrentë. Në këtë kuadër i njëjti paralelizëm mund të bëhet edhe me situatën në Çeki. Komisioni Evropian ka deklaruar se ka bërë një kontroll të palajmëruar në zyrat qendrore të CEZ Group në datë 24 nëntor me 30 inspektorë të tij. Nëse do të vërtetohen akuzat ndaj CEZ atëherë asaj do t’i duhet që të paguajë 10% të të ardhurave të saj vjetore të vitit paraardhës. Në vitin 2008 kompania çeke pati rreth 11 miliardë dollarë të ardhura dhe në bazë të kësaj shume i bie që të paguajë një gjobë prej rreth 1.1 miliard dollarë. Sipas mediave të huaja ka shumë mundësi që sinjalizimin e CEZ Group tek Komisioni Evropian për shkelje të ligjit ta ketë bërë një tjetër kompani konkurrente në sektorin e minierave. Për këtë kontroll çekët kanë reaguar pozitivisht në faqen e tyre në internet, duke theksuar se janë të gatshëm në bashkëpunojnë për gjithçka do t’i duhet KE-së. Ndërkohë që zëdhënësja e CEZ në Pragë Eva Novakova në një konferencë për shtyp tha se ky hetim do të zbusë të paktën akuzat që bëhen drejt kompanisë. Nga ana e Komisionit Evropian nuk jepet një datë se kur do të mbyllet kontrolli. Sipas inspektorëve kjo varet nga kompleksiteti i çështjes dhe nga gatishmëria që shfaqin kompanitë për të bashkëpunuar. “Pronarët” e OSSH kanë një aktivitet të shtrirë gjerësisht dhe kryesisht në Evropën Lindore, sidomos në fushën e energjetikës duke qenë aksionarë në shumë investime. Ata u bënë prezent në Shqipëri përmes blerjes prej 102 milion euro të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në mars të këtij viti. Komisioni Evropian ka filluar hetimin edhe për një tjetër kompani që bashkëpunon me CEZ siç është ajo dypalëshe çeko-sllovake J&T. Lajmi për hetim ndaj CEZ ka ndikuar direkt në stokun e kompanisë. Vetëm një ditë pas këtij lajmi aksionet e CEZ ranë me 2%. Kompania çeke është ndër më të fuqishmet në Evropë për sa i përket furnizimit me energji apo qymyr, rreth 70% e saj zotërohet nga shteti.