Gjykata e Tiranës aprovon partinë e Shpëtim Idrizit
TIRANE – Partia “Drejtësi dhe Unitet” e kryesuar nga deputeti Shpëtim Idrizi, regjistrohet zyrtarisht si subjekt politik. Një vendim i Gjykatës së Tiranës, që mban datën 18 nëntor 2009 deklaron legalizimin dhe regjistrimin e kësaj partie në regjistrin e Partive Politike pranë kësaj gjykatë. “Gjykata e Tiranës vendos regjistri-min në regjistrin e partive politike pranë kësaj gjykate të partisë ‘Drejtësi dhe Unitet’ me shkronjat nistore ‘PDU’”, thuhej në vendimin e togave të zeza të Gjykatës së Tiranës. Sipas vendimit, të shpallur nga gjyqtarja Teuta Hoxha, përcaktohen simbolet, logoja dhe drejtuesi i kësaj partie. “Flamuri i partisë do të ketë sfond blu, një rreth të kuq në qendër të së cilës është shqiponja dykrenare, përkrenarja e Skënderbeut, si dhe inicialet “PDU”. Logoja e partisë do të ketë të njëjtën grafikë me flamurin”, thuhej në vendim. Në verdiktin për regjistrimin e PDU-së si parti politike, kryetari dhe përfaqësuesi i saj politik deklarohet Shpëtim Idrizi.
Po ashtu, në vendim urdhërohet që “statuti, programi, proces- verbali i mbledhjes themeluese, emrat e firmetarëve dhe aktet e tjera bashkëlidhur të depozitohen në regjistrin e partive politike pranë Gjykatës së Tiranës”. PDU u krijua si forcë e re politike pak muaj më parë nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Shpëtim Idrizi dhe ish-deputeti i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Dashamir Tahiri. Partia Drejtësi dhe Unitet ka në programin e saj promovimin dhe zgjidhjen e çështjes çame. Pas vendimit të gjykatës së Tiranës, kjo forcë politike ka tejkaluar të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për funskionimin e saj. Ndërkohë në vendimin e gjykatës thuhet se kundër këtij themelimi mund të bëhet ankim në gjykatën më të lartë deri në 5 ditë nga momenti i shpalljes së vendimit. Sipas ligjit të gjitha forcat politike duhet të regjistrohen në gjykatë para fillimit të veprimtarisë. ar.ba