E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jo, nuk ka pasur luftë civile”Nga Ben Andoni, “Mapo”Pushtimi fashist e ka kapur fare të ri në bankat e gjimnazit të Tiranës. Mban mend me respekt profesorët e tij të gjimnazit, Vangjel Gjikondi, Nonda Bulka, Vedat Kokona, Sotir Angjeli dhe atë që u

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“Jo, nuk ka pasur luftë civile”Nga Ben Andoni, “Mapo”

Pushtimi fashist e ka kapur fare të ri në bankat e gjimnazit të Tiranës. Mban mend me respekt profesorët e tij të gjimnazit, Vangjel Gjikondi, Nonda Bulka, Vedat Kokona, Sotir Angjeli dhe atë që u bë më vonë sekretar i Ballit Kombëtar, Vasil Andoni, se si në ditën e parë pas hapjes së shkollës në kohën e pushtimit iu thanë se, “Shqipëria është e pushtuar, por se ajo kishte treguar se nuk mposhtej lehtë.” Atje, z. Ramiz Alia do të marrë për herë të parë që në moshën 15-vjeçare kontaktet me literaturën komuniste. Do të jetë shpejt i dërguar nga Nako Spiru, një nga organizatorët e Rinisë Komuniste, në qarkun e Beratit dhe pastaj luftëtar me detyra të ndryshme. Në këtë intervistë për “Mapo”-n, me një energji të admirueshme dhe me një kthjelltësi mendimi, ai flet për natyrën e luftës në vend (Jo luftë civile - në mënyrë kategorike, unë s’e pranoj këtë koncept, sepse luftë civile do të thotë kur dy forca në popullin tonë të organizuara apo të paorganizuara do ndesheshin që nga fillimi dhe deri në fund); nacionalistët; ndihmën e vërtetë të aleatëve (“idetë tona vetëm Rusinë kishin në mendje. Në zemrat dhe mendjet tona ishin vetëm rusët. Por efektivisht ishin britanikët, që dhanë çdo gjë për luftën: paratë, uniformat gjithçka. Kurse rusët, përfaqësuesi i Ushtrisë së Kuqe erdhi vetëm kur u bë Kongresi i Helmësit më gusht 1944”); Operacionin e Dimrit dhe reprezaljet që u bënë pas luftës... partizanët dhe vuajtjen e madhe të popullit nga represioni fashist

Kanë kaluar 65 vjet nga çlirimi i Shqipërisë. A keni ndryshuar mendim për karakterin e luftës dhe pse përfundoi ajo në një luftë civile?

Vërtet, u mbushën plot 65 vjet nga çlirimi i Shqipërisë. Sigurisht, kur flasim për luftën Nacionalçlirimtare dhe rezultatin e saj nuk besoj të ketë njeri, i cili të mos ketë mendim unik se ajo luajti një rol vendimtar, jo vetëm për të çliruar vendin tonë nga pushtuesit e huaj, në rastin konkret ishin italianët dhe pas tyre gjermanët - por ajo i dha Shqipërisë një emër në botë në koalicionin botëror të antifashizmit dhe njëkohësisht i hapi Shqipërisë një rrugë të re zhvillimi, zhvillim i cili pati edhe peripecitë e veta gjatë këtyre 65 viteve...

A ishte luftë e mirëfilltë civile?!

Kam dëgjuar shpesh që flitet për luftë civile. Në mënyrë kategorike unë s’e pranoj këtë koncept, sepse Luftë Civile do të thotë kur dy forca në popullin tonë të organizuara apo të paorganizuara do ndesheshin që nga fillimi dhe deri në fund. D.m.th., i kishin vënë qëllim vetes të zhduknin njëra-tjetrën. Nuk ka dyshim që te ne ishte përveç Partisë Komuniste, e cila u fut në frontin Nacionalçlirimtar që përfshinte jo vetëm komunistët, por edhe një numër të madh nacionalistësh, ndërkaq edhe shumë organizata të tjera si Balli Kombëtar apo Legaliteti, që duhet të theksohet se nuk ishin të shtrira në gjithë Shqipërinë. Por, duhet sqaruar se Balli Kombëtar ka pasur disa reparte luftarake dhe e vërteta është se këto reparte nuk kanë bërë ndonjë luftë të veçantë. Kishin dhe ata çeta, nuk e di, nëse krijuan batalione. Me sa kam dëgjuar, ngaqë s’kam qenë vetë dëshmitar - në Vlorë nga ballistët ka luftuar Hysni Lepenica. Ai me forcat e Ballit ka bërë luftë me forcat italiane dhe në periudhën e kapitullimit të Italisë shkoi deri në Gjirokastër dhe më duket se u vra për t’u marrë armët në betejë me ta. Por s’kam dëgjuar për të tjerë heronj nga ata... Dua të shtoj diçka sa u përket ballistëve. Më kujtohet se në fund të vitit 1942 dhe në fillim të vitit 1943, (se unë pastaj kam ikur nga Tirana) në klasën tonë (isha në të 7 B), njësoj si ne të Rinisë Komuniste ashtu edhe ata të Ballit kishim organizatën më të fortë. Në Gjimnazin e Tiranës, midis të rinjve komunistë dhe ballistë, si shoqëri, kurrë s’kemi pasur konflikt me njëri-tjetrin. Kur u bë një demonstratë e madhe në fund të 1942-shit dhe në fillim të vitit 1943, ne iu propozuam të vinin dhe ata. Ata refuzuan se udhëheqja nuk i lejonte. Ka pasur gjëra të tilla. Por këto s’mund të quheshin konflikte. Ata kishin mendimin e tyre, ne tonin..

Ku keni qenë ju gjatë kohës së luftës?

Në kohën e luftës kam filluar luftën si aktivist në Tiranë në radhët e Rinisë Komuniste. Më pas, shkova në Berat me detyrën e Sekretarit të Rinisë Komuniste të qarkut, detyrë që ma caktoi Komiteti Qendror i Rinisë. Nako Spiru më kërkoi të ikja direkt dhe kuptohet se u binda: mos të harrojmë se në atë kohë kishim shumë disiplinë. Në shtëpi u thashë thjesht se do iki dhe kjo ishte vendosur. Në Berat, pashë se Rinia Komuniste ishte kryesisht në qytet, ndërsa Balli Kombëtar nuk ekzistonte. Nuk kishte organizatë, por kishte ndonjë element ballist, njerëz të rritur, por këtu s’jemi ndeshur. Pas disa muajve shkova në Skrapar, ngaqë nuk mund të rrija aty ilegalisht. U futëm edhe njëherë në Berat në gusht- shtator 1943 kur kapitulloi Italia. U mora me organizimin e rinisë dhe tamam atëherë kemi organizuar batalionin “Margarita Tutulani”, pikërisht njësi që u inkuadrua në brigadën e 7-të. Bash, në atë kohë, në Berat kam parë konkretisht Abaz Ermenjin bashkë me shtabin e tij të Ballit Kombëtar, por sërish s’pati asnjë përpjekje mes partizanëve dhe ballistëve. Por, kur gjermanët sulmuan Beratin dhe partizanët iu kundërpërgjigjën ashpër, (në luftë kishte edhe formacione të Brigadës së Parë) dhe pastaj u tërhoqën nga qyteti, Abaz Ermenji qëndroi dhe askush nuk i tha gjë fare...

Atëherë, çfarë mban mend nga përplasjet më të mëdha mes partizanëve me ballistët dhe legalistët apo më larg me divizionin Skandërbeg...?

Divizionin Skandërbeg s’e kujtoj fare, sepse kuptohet që nuk ka qenë këtej nga Skrapari. Me sa di unë, njësite nga divizioni dhe grupi i milicëve kanë qenë në zonën e Vlorës. Ka qenë Halil Alia, që drejtonte milicët në jug, bashkë me fashistët, shtuar me këta të Xhaferr Devës, por nuk kemi hasur në përplasje mes forcave tona.

Si u fut fryma antifashiste në popull? Nga propaganda fashiste e kohës duket se shqiptarët u përshtatën shpejt me pushtimin?

Propaganda është propagandë, por s’ka dyshim se kur u fut Italia në Shqipëri nuk është se shqiptarët dolën derë më derë dhe luftuan kundër. U bë ndeshja në portet më të mëdha të vendit. Pati rezistencë në qytet, ndërsa rinia shkollore në Tiranë, veçanërisht bëri demonstrata dhe kërkoi armë. Por, kur Zogu ia mbathi e pasi mbaroi kjo etapë, filloi një jetë normale. Mbaj mend se në gjimnazin ku studioja, i mbaj mend si sot fjalët e mësuesve të mi: Vangjel Gjikondi, Nonda Bulka, Vedat Kokona, Sotir Angjeli dhe atë që u bë sekretar i Ballit Kombëtar, Vasil Andoni, që kur filluan mësimet fill pak ditë pas pushtimit, secili nga këta e filloi mësimin me fjalët: Djema, Shqipëria është pushtuar, por Shqipëria nuk do e durojë pushtimin. Historia ka treguar se populli ynë e ka çarë historinë me vështirësi. Kjo frymë patriotike, mua më emocionon dhe sot. Dua të them se fryma kombëtare filloi menjëherë dhe Italianët se arritën ta mbysnin dot. Për mua, rol të rëndësishëm luajtën edhe këto grupet komunistë te asaj kohe, që ishin disi të shpërndara si ai i Shkodrës, Korçës, ‘Zjarrit’ dhe të cilët në një mënyrë apo tjetër shpërndanin broshura si libri “Nëna” e Gorkit, që ne e lexonim me adhurim.

Kush e fuste literaturën antifashiste në vend?

Këto parti, që ju përmenda më sipër. Ato ishin edhe më të interesuara. Në atë kohë kishte dhe të tjera, por s’më kujtohen ekzakt.

Si i keni përjetuar kujtimet e Smiley, Reginald Hilbert, Julian Emery dhe Daivis për Luftën. Smiley, thotë konkretisht se “partizanët shqiptarë nuk shquheshin aq shumë...”

Padyshim, që të gjithë i kam lexuar. Më ka pëlqyer Daivis. Ai më duket më realisti për sa i përket Luftës Nacionalçlirimtare. Ai i njeh mirë partizanët po aq dhe ballistët, sepse ishte në Çermenikë, në një zonë, ku të dy palët ndesheshin egër. Nuk më duket i tillë, Smiley që ka qenë më afër Abaz Kupit, bashkë me Emery. Kurse Rexhinald ka shkruar shumë realisht. Kuptohet, secili ka mentalitetin dhe specifikën e vet, por në fund, unë e përsëris që s’ka pasur luftë civile, ngaqë s’kishte forca të dyanshme. Unë kam qenë në Skrapar, s’kishte forca balliste, që të kundërshtonin. Kur shkova në Myzeqe, asnjëherë s’jemi ndeshur me ta, ose të përpiqeshim që t’i gjenim. S’ka pasur një tendencë të tillë.

Ka një thënie, që partizanët shqiptarë, por në përgjithësi luftëtari shqiptar është i padisiplinuar. Është i vërtetë ky konstatim? Sipas jush, a është e vërtetë që Brigada e Parë ka qenë shumë luftarake?

E fillojmë nga fundi: Brigada e Parë është një nga njësitë e mëdha partizane dhe që pa asnjë dyshim ishte më e organizuara dhe më e njohura me terrenin në Shqipëri. Ishte i vetmi formacion, që i ka rënë anekënd vendit. Të tjerat ishin të lokalizuara: përmend Brigadën e 7-të, ajo ka qenë në Berat, Skrapar, Kuçovë në rrethin e Myzeqesë aty afër. Brigada e Pestë ishte afër Vlorës, ndërsa ajo e gjashtë rreth Korçës. Kur filluan dhe u bënë më shumë filluan dhe të lëvizin duke bërë lëvizje taktike, por Brigadën e Parë e shikoje që nga Veriu dhe deri në Çermenikë, ashtu si bëri për të marrë shtabin në kohën e Operacionit të Dimrit.

E pranoni se Lëvizja Nacionalçlirimtare gati u shuajt krejt pas Operacionit të Dimrit?

Jo. S’u shua. Atje u tregua forca jonë, por është e vërtetë se u dëmtua. Një gjë është e çuditshme dhe ka dokumente madje edhe me firmën e Mit’hat Frashërit, i cili ishte kryetar i Ballit (dhe e kam diku se e ka shkruar) e që u drejtohet ballistëve të Korçës dhe u thotë se fillon operacioni për zhdukjen e partizanëve, ndërsa ju duhet t’i udhëhiqni, t’u tregoni vendet, që ky moment të mos shfrytëzohet për partizanët. Sërish, s’e quaj luftë civile, edhe kur një forcë në vend bashkëpunon hapur me okupatorin...

A keni qenë në raste kur keni bashkëpunuar me nacionalistët?

Nuk kam ndonjë rast të them se kemi bashkëpunuar me ta, ngaqë ju thashë që s’ka pasur ballistë aq luftarakë. Edhe këtu duhet të bëhet dallim. Jo i gjithë Balli Kombëtar, por di që ishin reparte të tëra që për hir të së vërtetës, i kanë shërbyer pushtuesit. Këta nuk i quaj dhe ballistë dhe nëse ka bërë ndonjë gjë të mirë Balli është afërmendsh, që s’janë këta që e përfaqësojnë më shumë...

Ka evidenca që emisarë të Enver Hoxhës kanë pasur lidhje të fshehta me gjermanët dhe ju diku përmendni një lloj lidhjeje të disa formacioneve...

Jo s’është e vërtetë. S’ka pasur gjëra të tilla. Unë di t’ju sqaroj për atë që thuhet si kompromisi i Beratit, kohë e cila përkon me kohën e kapitullimit të Italisë. Gjin Marku, i cili drejtonte organizatën e Partisë në Berat, ishte i shqetësuar dhe kërkonte të merrte armët nga italianët, që ishin ende në kazermat e qytetit, për partizanët. Por italianët hezitonin, sepse dyshohej se gjermanët ishin në Kuçovë. Kjo krijoi një situatë të heshtur, por disi absurde, sepse gjermanët njëherë apo dy herë erdhën në qytet dhe forcat partizane u tërhoqën faktikisht nga qyteti. Nuk pati asnjë luftë nga dy palët. Gjin Marku e pësoi nga kjo dhe kjo u dënua ashpër, sepse Gjin Marku ishte në atë kohë një nga komandantët e mirë dhe ishte vërtetë aktiv, njëkohësisht edhe i zgjedhur në Byronë Politike. Pas kësaj, mbeti thjesht në Komitetin Qendror: në fakt filloi rënia e tij, sepse kjo u quajt krim.

Çfarë mbani mend nga çlirimi i Tiranës?

Për çlirimin e Tiranës nuk jam unë ai që mund të thotë diçka. Mund të them gjëra jo shumë konkrete. Di që e ka udhëhequr Mehmet Shehu luftën për çlirimin e saj, por ka qenë dhe Hysni Kapo, i cili ishte komisar i Korparmatës së Parë. Efektivisht udhëheqës ushtarak, që drejtoi operacionet, ishte vetë Mehmet Shehu. S’di gjë konkrete, por di vetëm këtë se e gjitha ishte merita kryesore e tij.

Çfarë mban mend nga çlirimi i Shkodrës?

Ishin forca të tjera partizane, ndërsa nga kuadrot tona kryesore ishte Shefqet Peçi, Tuk Jakova, si komisar i divizionit të dytë. Kurse Sadik Bekteshi drejtoi luftën e qytetit... Këta ishin personalitetet e luftës...

Si i keni parë reprezaljet që u bënë në Tiranë dhe Shkodër?

Të them të vërtetën nuk di gjë fare për të. Por kur dëgjova emrat në një aktivitet të fundit, ishin të gjithë njerëz të kohës së Zogut. Jo nga këta.

Atëherë, më ndryshe: Si i keni përjetuar reprezaljet pas luftës?

Ah, këtu desha të them kështu: sistemi ynë ishte Diktaturë e Proletariatit. Bëhet fjalë për fillimin dhe ne në shpirt e kishim këtë si nocion. Dihej mirë që pas luftës do ishte diktaturë e tillë. Kishim konceptin e luftës së klasave dhe ne e vumë në veprim fill pas çlirimit. Më thjesht slogani ishte: Ai që është me luftën dhe kush është kundër saj?!

Janë vrarë njerëz të pafajshëm...

Po, me siguri. Por jo vetëm në atë kohë, unë dhe më vonë kam menduar se lufta e klasave në disa raste ishte shumë e ashpër dhe madje mund të shtoja që në gjirin e Partisë ishte më e egër se kundërshtarët jashtë partisë, sepse kundërshtari dënohej me burg dhe pastaj vijonte jetën. Bënte dënimin dhe dilte. Kurse, brenda Partisë....

Kur ishit si partizan mendonit më shumë për lidhjen me rusët apo anglezët dhe amerikanët?

Idetë tona vetëm Rusinë kishin në mendje. Në zemrat dhe mendjet tona ishin vetëm rusët. Por efektivisht ishin britanikët, që dhanë çdo gjë për luftën: paratë, uniformat gjithçka. Kurse rusët, përfaqësuesi i Ushtrisë së Kuqe erdhi vetëm kur u bë Kongresi i Helmësit më gusht 1944.

E megjithatë në Konferencën e Paqes pati shumë probleme për Shqipërinë..

Mendoj se kjo s’ka lidhje me Shqipërinë, por kjo ka lidhje me marrëdhëniet e dy blloqeve, që u krijuan në atë kohë. Shqipëria, si të thuash, ishte në gjendjen e thjeshtë që priste se çfarë do i jepnin ndërsa gurët i lëvizte Bashkimi Sovjetik dhe të tjerët...

Po roli i Enver Hoxhës gjatë luftës, me pak fjalë?

Mendimi im është në përgjithësi dhe pa rezervë që drejtimi i tij ka qenë efektiv dhe ai ka qenë një lider i vërtetë. Ai mund të mos ketë qenë ushtarak si specialist, por ishte një politikan i mirëfilli.

Po Mehmeti?

Si ushtarak? Patjetër, më i miri. Ka qenë një luftëtar i vërtetë. Vetëm emri i tij arrinte dhe i tmerronte armiqtë...

Jeni krenar që keni marrë pjesë në Luftën Antifashiste dhe si e shikoni sakrificën e shqiptarëve?

Padyshim. Kam trishtim që duket si një ofezë për atë gjak që ka dhënë ky popull dhe mos harroni se ka bërë shumë. Më kujtuat Operacionin. Ne pësuam, por populli u shkatërrua fare dhe unë kam parë vetë me sytë e mi gërmadha, atje ku ishte lufta në Gjirokastër, Skrapar, Himarë...e kudo. Përveç se fashistët vranë dhe pafund njerëz të pafajshëm. Edhe partizanët vetë kanë pësuar më pak se sa ka pësuar populli. Se një repart shikonte problem dhe shpërndahej, ndërsa shpesh ishte populli, i cili mbetej përballë rrebeshit fashist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›