E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi i Berlinit, të gjitha dokumentet në shqip

Pse nuk u pranuan disa nga dokumentet e Arkivit Politik të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë rreth Kongresit të Berlinit, që me ndërmjetësimin e Franc Jozef Shtrausit deshën t‘i jepeshin Shqipërisë? Jusuf Buxhovi, gazetar i njohur i Rilindjes, atë kohë gërmonte në arkivat e shtetit gjerman me një pasion të madh, që t‘i ofronte shtetit amë rreth 5000 dokumente që do të ndihmonin për rishkrimin e historisë së shqiptarëve të shekullit të 19. Por, u deshën disa dekada, derisa këto dokumente të vijnë afër lexuesit dhe vetë studiuesve. Ai tashmë i ka përmbledhur në një libër të titulluar "Kongresi i Berlinit".

Libri "Kongresi i Berlinit 1878", që sapo doli nga shtypi, paraqet një kontribut të rëndësishëm për historiografinë tonë. Sa kohë ju është dashur për t‘i gjetur këto lloj dokumentesh, për t‘i grumbulluar e vënë në një libër?

Fillimisht kjo lidhet me punën time si korrespondent i së përditshmes "Rilindja" në Gjermani, që e kam filluar në vitin 1976 dhe ka zgjatur për tridhjetë vjet. Gazeta jonë, në atë kohë, pati filluar hapjen e vendeve të punës jashtë Kosovës dhe siç do të shihet, ky ishte një investim i rëndësishëm. Viti 1978 ishte vit ku duhej të kremtohej 100-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe si korrespondent më binte barra që ta prekja çështjen nga këndvështrimi i jehonës së kësaj ngjarjeje në këtë vend, në përputhje me frymën e dokumenteve ku ishte mbajtur Kongresi i Berlinit. Kështu, ia fillova që të kërkoj gjurmët. Dhe ishte Arkivi Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Bon, adresa më e përshtatshme për to, ku mora leje të hulumtoj për një fejton gazetaresk. Dhe doli që ai fejton shkaktoi shumë kërshëri edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Atëherë ishin marrëdhëniet e mira të shkëmbimit të profesorëve mes Kosovës e Shqipërisë dhe profesor Ali Hadri bashkë me profesor Arben Puton dhe Aleks Budën shprehen interesim për to dhe gjatë një takimi në Prishtinë u interesuan se si mund të shkohet më tutje. Pas njoftimit tim, rreth morisë së dokumenteve që gjendeshin në Arkivin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon, profesor Ali Hadri këmbëngulte që punët të mos mbeteshin te një fejton gazetaresk, po të punohej më tutje, veçmas që të krijoheshin mundësitë që sa më shumë nga këto dokumente t‘i merrte Shqipëria. Kjo, për mua, paraqiste një sfidë të madhe, së cilës iu nënshtrova me përkushtim.

Dhe a ia dolët që të dërgoni dokumente në Shqipëri?
Fillimisht në Shqipëri dërgova rreth 400 dokumente. Meqë Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Gjermaninë dhe as kulturore, u desh të gjenden rrugë "të tërthorta". Por, edhe pse Shqipëria aso kohe ishte një vend i izoluar dhe propaganda e saj nuk pushonte së akuzuari Perëndimin, madje pa ngurruar që në atë varfëri të vet, në Gjermani të organizonte dhe të financonte grupe ekstreme marksiste-leniniste-staliniste, për të cilat burimet zyrtare gjermane thoshin se derdheshin si lumë paratë në atë vend, sidomos ndër qarqet konservative politike, ekzistonte një interesim i ndjeshëm për Shqipërinë, që erdhi dhe u shtua pas daljes së Shqipërisë nga traktati i Varshavës. Nga fundi i viteve të shtatëdhjeta, ishte pikërisht politikani bavarez konservativ Frans Jozef Shtraus (kryetar i Partisë së Social të Krishterëve të Bavarisë dhe nënkryetar i Unionit Demokristian të Helmut Kolit,) njëri prej atyre që kërkonte të merrte rolin e një ndërmjetësuesi në relacionet e ardhshme shqiptaro-gjermane. Gjatë takimeve të punës që u mundësohen gazetarëve të huaj me personalitetet më të larta të vendit, disa herë kisha hetuar interesimin e Kancelarit të Bavarisë për botën shqiptare (gjithnjë duke u aluduar te lidhjet historike midis dy popujve, ku bavarezët shfaqeshin si pionierë të tyre), duke theksuar nevojën e rikthimit me anën e kontaktimeve të ndryshme. "Shqiptarët nuk e meritojnë vetminë e tillë dhe mbylljen", pat deklaruar një herë për gazetën "Rilindja". Tha se duhet të ndihmohen që ta përballojnë atë. Hetova se çështja e dërgimit të dokumenteve të Kongresit të Berlinit të Shqipërisë do të mund të shfrytëzohej si një "gjest i vullnetit të mirë" nga pala gjermane për atë shqiptare për një afri, gjë që i propozova kryetarit të Bavarisë dhe ai e pranoi me kënaqësi, por që si "modus" propozoi "ndërhyrjen" e UNESCO-s si bartës teknik. Gjatë vizitë sime në Shqipëri në verën e vitit 1979, çështja e dokumenteve gjermane që kishin të bënin me Kongresin e Berlinit u shtrua edhe gjatë një takimi që pata me ministren e Kulturës, Tefta Cani, e cila tha se Shqipëria kishte interesim për ato dokumente dhe se ndërmjetësimi i UNESCO-s ishte i mirëseardhur. Por, siç mora vesh më vonë, ato dokumente nuk i kishin shkuar Shqipërisë as atëherë, e as më vonë, edhe pse dërgimi i tyre kishte qenë njëra ndër ofertat që Shtrausi i kishte paraqitur Shqipërisë me rastin e vizitës së tij historike në Tiranë, në fillim të viteve të tetëdhjeta, por që për fat të keq do të mbetet pa ndonjë sukses.

Ju i dini arsyet pse ndodhi ky refuzim dokumentesh?
Vizita e Shtrausit në Shqipëri dhe oferta që ai solli me vete për shtetin shqiptar (fjala ishte për një pako të rëndësishme të ndihmës ekonomike), ishte pjesë e një pakoje më të gjerë, me të cilën Perëndimi asokohe synonte që t‘i nxisë reformat në Shqipëri, me bindjen se ky vend, që kishte shkëputur lidhjet me paktin e Varshavës dhe Moskës, dhe pas ftohjes me Pekinin, mund t‘iu nënshtrohej kthesave pozitive. Dhe kjo do të paraqiste shkrirjen e parë ideologjike drejt Lindjes. Për fat të keq, kjo nuk ndodhi dhe sipas disa burimet, kjo ngaqë Shqipëria nuk ishte e gatshme që të lëshonte kursin e izolimit që kishte vendosur regjimi komunist i Tiranës, anipse, herë pas here dukej se Enver Hoxha lëshonte ndonjë sinjal tjetër... Kështu, bashkëpunimi me gjermanët u kushtëzua me nënshkrimin e një protokolli, ku do të gjykohej NATO - si pakt agresor dhe politika imperialiste e Perëndimit! Gjermanët konstatuan se Shqipëria dhe më tutje ruante ethet e frikës ndaj Perëndimit dhe të hapjes. Në një shënim tjetër që ruan Ministria e Jashtme gjermane nga tentativat e asaj kohe të bashkëpunimit me Shqipërinë, edhe bashkëpunimi kulturor, i cili do të mund t‘u ikte klauzolave ideologjike, nga ana e Tiranës shihej si i rrezikshëm dhe madje cilësohej "si perfiditet" i caktuar "ndaj grackave të së cilit duhet pasur kujdes" dhe të ngjashmeve me to1, andaj nuk është për t‘u habitur pse nuk u pranua as marrja e dokumenteve që lidheshin me Kongresin e Berlinit dhe ofertat e tjera për dërgimin e studentëve në specializim dhe studime të tjera pasuniversitare në qendrat gjermane.

Shihej ndonjë rrezik nga dokumentet historike që nuk u pranuan?
Sepse, me pranimin e tyre dhe vënien në dispozicion, atëherë vihej në rrezik koncepti ideologjik, sipas të cilit Evropa dhe Perëndimi në përgjithësi ishin armiq të përbetuar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, që nuk kishin bërë gjë tjetër, pos që kishin kurdisur gjithfarë komplotesh kundër shqiptarëve dhe shtetit të tyre, ku me këtë propagandë vendi mbahej i mbyllur dhe ushqehej armiqësia e njohur me gjithë botën. Shumë nga interpretimet që i bëheshin Kongresit të Berlinit ishin në atë frymë. Them se duhen pritur edhe shtatë-tetë vjet që t‘u hiqet embargoja dokumenteve të kohës së përpjekjeve gjermane, në krye me Franc Jozef Shtrausin, që t‘i afrohej Shqipërisë, megjithatë, që tani mund të vlersohet se pa refuzimin shqiptar, kah historisë do të ishte tjetërfare jo vetëm për këtë vend dhe këtë popull, por edhe për rrjedhat e gjithmbarshme të kohëzgjatjes së diktaturës totalitare në përgjithësi.

A i mblodhët dokumentet e parapara, pavarësisht këtyre pengesave?
Dokumentet, që ishin rreth pesë mijë sosh, me perspektivën që t‘u shtohen edhe shumë e shumë të tjera nga arkivat e tjera gjermane, që ruajnë lëndë të bollshme arkivore për shqiptarët, i mblodha dhe i bëra të gatshme që të niseshin për në Shqipëri. Punova me përkushtim të madh, sepse ato ishin tejet të rëndësishme për historiografinë tonë, por edhe për kahun e bashkëpunimit të ardhshëm gjermano-shqiptar në fushën e kulturës, me shpresën se ai do t‘ua hapte udhën edhe fushave të tjera. Dokumentet ishin jo vetëm të Kongresit të Berlinit, por përfshinin periudhën e krizës lindore, deri te viti 1914. Është një kompleksitet shumë i gjerë dokumentesh të nxjerra nga dosja turke, e Austro-Hungarisë, e Gjermanisë, e Italisë, e Rusisë e madje edhe ajo e Serbisë. Ato duhet të përpunohen. Nga druajta se mund të ndodhë ndonjë ngecje në relacionet gjermano-shqiptare, ndava rreth dymijë sosh për nevojat e hulumtimeve të mia të mëtutjeshme në fushën e historiografisë. Fjala është për dokumente pjesërisht të përpunuara, ku përfshihen relacione të konsujve gjermanë nga Athina, Stambolli, Beogradi, Roma dhe Rusia. Për fat të mirë, ato i kam ruajtur me përkushtim dhe pas botimit të librit "Kongresi i Berlinit 1878" me dokumentet bazike, do t‘i jepem punës së pasqyrimit të tyre veç e veç, ku përparësi do të kenë ato të konsujve gjermanë nga Athina, sepse janë të një rëndësisë të veçantë, që korrespondojnë edhe me problemet që sot e gjithë ditën ngarkojnë relacionet midis shqiptarëve dhe grekëve.

Por, t‘i kthehemi librit "Kongresi i Berlinit 1878". Çfarë faktesh të reja historike nxjerrin në dritë këto dokumente?

Materialet e Kongresit të Berlinit janë materiale bazike, nga ato që janë përfolur dhe cituar prej burimeve të huaja, por që asnjëherë nuk janë shfaqur si të plota. Andaj, prezantimi i tyre krijon kushtet e domosdoshme që t‘u hapet rruga të tjerave, siç janë relacionet e konsujve, marrëveshjet e njohura dhe të panjohura, vlerësimet e shtypit dhe të tjera, që me fakte e plotësojnë mozaikun e historisë dhe të rrjedhave të saj të njëmendta. Meqë historiografia mbështetet në argumente, ato që tashmë po vijnë nga anë të ndryshme, sigurisht që me anën e tyre mund të ndryshohen shumë nga ato pikëpamjet e gabuara që janë pranuar, qoftë nga mosnjohja e dokumenteve meritore, qoftë shtrembërimet që ka shkaktuar marrja e "argumenteve" të huaja, në të cilat jemi mbështetur, duke i cituar dhe interpretuar si burime "të merituara", edhe pse, shumë prej tyre, kanë qenë në funksion të propagandave të huaja antishqiptare. Kështu, ka ndodhur që gjoja disa citime të Bismarkut, apo theksime gjermane janë marrë të shumtën nga propaganda sllave dhe veçmas nga ajo e Beogradit në vazhdimësi, që kryesisht ka pasur për qëllim që shqiptarëve t‘u mvishen hipotekat e një populli të emancipuar dhe të rrezikshëm, madje popull që duhet të largohet prej Ballkanit, meqë ai pengon Ballkanin etj.

Nga një prononcim i juaji i këtyre ditëve thuhet se libri "Kongresi i Berlinit 1878", pos historianëve, mund t‘u shërbejë edhe politikanëve e të tjerëve?

Ky libër sjell dokumentet bazë të Kongresit të Berlinit, siç janë 20 protokolle, për aq sa ka zgjatur Kongresi i Berlinit dhe sjellë dhe vendimet e tij. Janë dokumente të pashmangshme, mbi të cilat duhet të ndërtohet e gjithë ajo që ne e quajmë problematikë të Kongresit të Berlinit, problematikë të gjeostrategjisë dhe gjeopolitikës së re në Evropë dhe në Perëndim në përgjithësi, pas daljes në skenë të Anglisë, Gjermanisë dhe të Italisë, problematikë kjo, e cila për shumëçka ruan parametrat e njëjtë të sferave të interesit, ku në njërën anë kemi pozicionin evropiano-perëndimor dhe, në anën tjetër, atë rus me pinjollët e saj vendet sllavo-ortodokse. Nëse para njëqind e tridhjetë vjetësh ka pasur paqartësi rreth vendit të shqiptarëve dhe rolit të tyre në këtë skenë politike, sot kjo është qartësuar me rreshtimin e tyre të plotë në anën e Perëndimit, ku ata shfaqen si populli me përkushtimin tejet të sinqertë evropiano-perëndimorë, ndërkohë që serbët dhe vendet e tjera sllavo-ortodokse të Ballkanit, edhe përkundër përfitimeve të shumta nga Perëndimi, që të ruajnë kahun evropian, reflektojnë kah Moska dhe ndikimi i saj. Ky pozicionim ka të mirën dhe të keqen. Pse definitivisht shqiptarët shihen në anën e Perëndimit, kjo përkujton atë që gjatë kohës së Kongresit të Berlinit nga anglezët interesimi për shqiptarët dhe rolin e tyre në rrethanat e reja që do të pasonin pas largimit të Perandorisë Osmane te pjesa evropiane, shihej "si digë kundër sllavizmit dhe qenies së tyre", gjë që i hedh në vijën e parë të frontit Perëndim-Lindje.

Nga këto që thoni, libri "Kongresi i Berlinit 1878", me atë që sjell, sikur del nga suazat e dokumentit?

Edhe pse fjala është dokument bazë, pra një themel pa të cilin nuk mund të shkohet më tutje, megjithatë kur ato lexohen jashtë kontekstit të caktuar dhe lidhen me përvijimet e aktualiteteve, atëherë ato sikur fitojnë konotacionin e përsëritës së të njëjtës. Do të kisha dëshiruar të mos ishte kështu, por realitetet janë ato që janë dhe këto dokumente ofrojnë mësime të mira, që pësimet të mos mbesin mësime të përsëritshme. Kongresi i Berlinit ka sjellë dy gjëra, që duhet të kihen parasysh nga historiografia jonë, por edhe nga politika globale në përgjithësi, që pak a shumë përpëlitet me sfida të ngjashme të ndeshjes së sferave të interesit. Pse së pari, është anuluar Shën Stefani si një veprim i drejtpërdrejtë i depërtimit dhe të vendosjes së të gjitha parakushteve dhe hegjemonizmit rusomadh në Ballkan me instrumentalizimin e pansllavizmit ortodoks. Dhe pse, pastaj, me vendimet e Kongresit të Berlinit, me rikthimin e Perandorisë Osmane në pjesën më të madhe të hapësirës që ua kishte lëshuar rusëve, përkundër disa territoreve që do t‘u merren në veri dhe jug, edhe shqiptarëve, do t‘u ofrohet mundësia reale, që të luftojnë për shtetin e tyre, i cili do të arrihet në çastet e fundit, kur tashmë në Ballkan po binte perdja e fundit e sundimit qindravjeçar osman. Andaj, me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhte po qe se do të mbetej një Bullgari e Madhe në Ballkan, që shtrihej nga Deti i Zi, deri në Egje dhe madje edhe deri në Jon, ku përfshiheshin edhe shumë vise shqiptare? Do të kishte vallë për shqiptarët shpresa dhe gjasa mbijetimi, siç u rikthyen, pasi zhbënë vendimet e kësaj marrëveshjeje, e cila ndodhi në sajë të Anglisë, por edhe të Austro-Hungarisë e Gjermanisë, të cilat kanë qenë të vendosura që me Rusinë të hyjnë edhe në luftë, po qe se ajo do të ngulte këmbë në ato që kishte fituar në luftë me Turqinë?... Ka edhe shumë dilema të tjera që mund të shtrohen sot lidhur me atë që ngjau në Berlin para njëqind e tridhjetë vjetësh, qartësimi i të cilave mundëson që të mbesim në kursin e duhur historik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›