Kongresi i PS-së, sot numërimi për emrat e Asamblesë Kombëtare
Festa e Kurban Bajramit ka shtyrë për sot procesin e numërimit, e parashikuar të fillonte mëngjesin e ditës së djeshme. Lista përfundimtare e Asamblesë pritet të ketë një ndërthurje mes emrave që dikur militonin në strukturat drejtuese të partisë dhe figurave të reja.
TIRANË Lista përfundimtare e Asamblesë Kombëtare e Partisë Socialiste do të bëhet publike vetëm kësaj jave. Festa e Kurban Bajramit ka shtyrë procesin e numërimit e parashikuar të fillonte mëngjesin e ditës së djeshme. Burime zyrtare nga PS-ja deklaruan dje se numërimi për listën e re të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare do të fillojë sot paradite. Asambleja e re e Partisë Socialiste do të ketë 236 anëtarë, nga të cilët 116 janë për shkak të detyrave dhe posteve dhe 120 të tjerë janë të zgjedhur nga Kongresi. Lista e votimit nga ku do dalin 120 të zgjedhurit përbëhet nga dy pjesë: 40 femra, për të cilat kandidojnë 58 kandidate dhe 80 anëtarë të rinj meshkuj, për të cilët konkurrojnë 127 kandidatë. Lista e kandidatëve për Asamblenë Kombëtare u bë publike dy ditë më parë gjatë punimeve të Kongresit zgjedhor të PS-së. Në ndryshim nga vitet e tjera, kësaj here lista e kandidatëve ka një ndërthurje mes emrave që dikur militonin në strukturat drejtuese të partisë dhe figurave të reja, ku janë përfshirë edhe përfaqësues nga shoqëria civile. Kështu në listën e kandidatëve për anëtarë Asambleje janë përfshirë emra të tillë si ai i Anastas Angjelit, Viktor Dodës, Musa Ulqinit, Natasha Paços, Mezan Malajt, Luan Hajdaragës, Ilir Zelës, Agron Dibrës, Besnik Dervishit e të tjerë. Në këtë listë janë përfshirë edhe ekspertë të njohur në fusha të ndryshme si emri i ish-guvernatorit Shkëlqim Cani; ish-drejtori i doganave, Petrit Ago; ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku; ish-ambasadori Bashkim Zeneli; rektori dhe aktori Petrit Malaj; apo diplomati dhe analisti Dritan Hila. Kjo listë u propozua kryesisht nga kreu i PS-së, Edi Rama, dhe u pasurua me propozime të ardhura nga deputetë dhe përfaqësi të ndryshme të qarqeve. Debati më i madh për këtë listë në fakt u shoqërua gjatë punimeve të kongresit, ku delegatë që i përkisnin qarqeve të ndryshme kanë akuzuar se janë lënë jashtë disa propozime që ata kishin depozituar. Ndërkohë, i pakët do jetë numri i atyre që nuk do të përfitojnë nga kjo listë, andaj dhe emrat përfundimtarë të Asamblesë Kombëtare pritet të mos shoqërohen me ndonjë interes të madh. Ajo që do të pritet me interes, në fakt, do të jetë votimi nga kjo Asamble për kryesinë e ardhshme të Partisë Socialiste dhe emrat për sekretariatin.