E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kongresi i Partisë Socialiste, zbardhet agjenda

Socialistët shqiptarë mbledhin sot Kongresin. Forumi më i lartë politik i partisë që drejton qeverinë e Shqipërisë prej 9 vitesh,  ishte parashikuar të mbahej në muajin shkurt, por u shty për shkak të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit.

Kongresi do të jetë një shfaqje politike ku protagonistët do të jenë të shumtë, nga kryeministri me fjalimin e tij, sekretariati, deputetet dhe delegatët.

Kreu i partisë dhe kryeministri Rama i ka ftuar të jenë kritikë për të treguar çfarë nuk funksionon. Rama lajmëroi vetë këtë javë se kongresi do të jetë një format i ri në organizim.

Kongresi i socialistëve shqiptarë do të miratojë disa ndryshime në statutin e PS. Kongresi do të votëbesojë sekretariatin e partisë që drejtohet nga Gjiknuri dhe do të votojë për lirimin nga detyra të të gjithë kryetarëve të PS në nivel bashkie. 

Kongresi i PS vjen në një kohë kur skena politike në Shqipëri është sa e qetë në dukje aq edhe me të papritura. 

Opozita e djathtë dhe ajo e majtë është në krizën më të thellë që kur u krijua në vitin 1991, Parlamenti duhet të zgjedhë një president të ri, ndërsa qeveria e zotit Rama duhet të përballet me krizën që mund të sjellë përshkallëzimi i luftës në Ukrainë dhe orteku i çmimeve në tregjet botërore që sigurisht nuk mund të mos ndikojnë edhe në tregun e vogël të Shqipërisë. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›