E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresmeni Engel Balliut: “Jam krenar që s’kam imunitet, njëlloj si zgjedhësit e mi”

05-08-2012 / Gazeta 55

Shkrimtari dhe publicisti Fahri Balliu u prit dje nga Kongresmeni Eliot Engëll, kryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan. Duke u ndalur tek momenti historik që kalon Shqipëria, Eliot Engëll i deklaroi zotit Balliu se ishte e nevojshme që politika shqiptare ta miratonte heqjen e imunitetit, edhe si një konfirmim i vullnetit të saj për t’u integruar sa më shpejt në hapësirat euroatlantike

Në kuadër të turit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, publicisti dhe shkrimtari Fahri Balliu ka zhvilluar dje një takim me z. Eliot Engel, kongresmenin e mirënjohur amerikan, kryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në organin ligjvënës.
Gjatë takimit, z. Engel e falënderoi publicistin Balliu për aktivitetin e tij në thellim të miqësisë shqiptaro-amerikane, qoftë si botues i një të përditshmeje të rëndësishme me qarkullim kombëtar, qoftë edhe si botues i një larmie të madhe të librave të figurave të shquara të kombit amerikan. Nga ana e tij, duke e cilësuar si një mik të madh të kombit shqiptar, publicisti Balliu e falënderoi  z. Engel për kontributin e vyer në afirmimin dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare, në veçanti për kontributin lidhur me Kosovën.
Gjatë këtij takimi, Z. Balliu e informoi kongresmenin Engel për situatën politike në vend, duke u ndalur edhe tek debati më i fundit politik për çështjen e heqjes se imunitetit. Ai bëri një pasqyrim te detajuar te gjenezës se këtij debati, sfondit te tij dhe pozicionit aktual te palëve politike. Pasi u njoh në themel me konfliktin që buron nga heqja e imunitetit, z. Engel u bëri thirrje palëve politike që të miratojnë heqjen e këtij muri të korrupsionit, pasi sipas tij, është mjaft e rëndësishme që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Kongresmeni Engel i tha z. Balliu se “ne në SHBA nuk kemi imunitet, unë vetë nuk kam imunitet, asnjë anëtar i senatit, kongresit apo zyrtar i lartë nuk kemi imunitet. Unë jam krenar që me vullnetin tim e kam vendosur veten në të njëjtin pozicion me secilin nga shtetasit amerikanë - së pari, me secilin nga zgjedhësit e mi”. Në vijim të bisedës, Z. Balliu e njohu gjithashtu z. Engel me miratimin me konsensus te reformës zgjedhore, si një garanci me shume për zgjedhjet e ardhshme dhe kalimi kësisoj në një stad me te larte te plotësimit te rekomandimeve te sugjeruara nga partneret europiane.
Duke vlerësuar arritjet e qeverisë shqiptare, si dhe përparimin e madh të Shqipërisë, Kongresmeni Eliot Engel nënvizoi se Shqipëria tashmë krahasohet me vendet e tjera të zhvilluar të Europës. Ai u shpreh optimist për marrjen e statusit nga ana e Shqipërisë, pasi sipas tij, “Shqipëria i përket familjes së madhe euro-atlantike”. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›