“Vota pro më 6 gusht, detyrim i klasës politike”
Mesazhi i Sekretarit tëPërgjithshëm të LSI-së, Luan Rama
Lëvizja Socialiste për Integrim lëshon apelin e radhës për Partinë Socialiste duke i kërkuar të heqë dorë nga qëndrimet bllokuese dhe inatçore dhe të bëjë atë çfarë është e udhës të bëjë, e që është vota pro në 6 gusht për kufizimin e imunitetit.
Kjo thirrje në emër të LSI-së, u lëshua nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.
Përmes një deklarate për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha se, heqja e imunitetit është ndër detyrat kryesore që duhet të përmbush Shqipëria për të merituar statusin e vendit kandidat në BE.
“Ajo është një detyrë e lënë nga partnerët tanë ndërkombëtar dhe e pranuar nga aktorët politikë vendas për të përballuar të gjithë së bashku sfidën kundër luftës ndaj korrupsionit. Çështja e heqjes së imunitetit është e lidhur me një prioritet kombëtar si integrimi europian i vendit”, tha ai.
Sipas Luan Ramës, “interesat e vendit kanë nevojë edhe në këtë rast për kontributin e PS-së, për angazhimin, përgjegjshmërinë dhe për votën e saj në 6 gusht, për projektin që vetë e ka hartuar dhe sjellë në Kuvend dhe që lidhet me ndryshimet kushtetuese që bëjnë të mundur heqjen e imunitetit”
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama shprehu keqardhje për deklaratat e ardhura nga lidershipi socialist, lidhur me heqjen e imunitetit.
“Data 6 gusht nuk është një referencë egoizmi e pakuptimtë, por një referencë e angazhimit tonë, e demonstrimit të klasës politike, që është e gatshme të përmbushë të gjitha detyrimet për integrimin e vendit në BE. Socialistët nuk duhet nuk mund të bllokojnë përmbushjen e kësaj detyre, por të bëhen pjesë dhe të kontribuojnë në realizimin e saj”, vuri në dukje Rama, gjatë deklaratës për shtyp.