Komenti/Me vapën e gushtit, Rama vetëçertifikohet si eurokomunist
Për lexuesin e ditës së diel vjen editoriali i radhës i shefit të opozitës. Dje Edi Rama shkroi për sytë e lexuesit mbi motivet që e shtynë t’i dërgonte një letër kancelarin austriak dhe për të “demaskuar” 7 vitet e qeverisë Berisha.
Së pari renditja e motiveve që e detyruan moralisht e ligjërisht kreun e PS-së të postonte letrën akuzuese për kompaninë austriake janë të dobëta, në rastin më të keq të mbështetura në këndvështrime eurokomuniste: ku kapitalizmi imperialist i huaj përvetëson pasurinë e popullit të pambrojtur. Edhe nevoja e dyshimtë për t’u justifikuar se nuk është kundër investimeve austriake e aq më pak ndaj shtetit e Austrisë dëftejnë logjikën e “hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës”.
Së dyti në editorial konstatohet një refleks i kushtëzuar shefit të opozitës, i cili sa herë i hapet rrugë sipërmarrjes së lirë dhe konkurrencës të deklarojë se kur do të vijë në pushtet do të anulojë e sekuestrojë pasuritë, do të shtetëzojë privatizimet dhe do të pezullojë punën. Në të gjithë Europën në shtrëngatë ekonomike, bashkëpunimi i përgjegjshëm politik dhe krijimi i një klime të favorshme (taksa të ulëta, dixhitalizim i shërbimeve) për biznesin vendas dhe investitorëve të huaj është fjalëkalim i partive të mëdha politike. Ndërsa tek ne, kreu i opozitës jo vetëm që është pa një vizion sesi Shqipëria të renditet së shpejti një vend i zhvilluar, por kryen akt-padi shkurajuese në kancelaritë e Europës për ta klasifikuar të paligjshme.
Së treti në editorialin e radhës gjendet sidozot “kripa” e Ramës, e cila pa shfryrjen ndaj kundërshtarit politik. Por kripa e fortë e papërpunuar është pa karar. Ndonëse emri Sali Berisha përmendet veç njëherë aty kupton kllapinë e Ramës. Sipas tij, “tanimë Sali Berisha synon përjetësimin e pushtetit të vet përmes marrjes së kontrollit të plotë mbi paranë e mbi çdo institucion të këtij vendi”. Nëse e lexon me vëmendje këtë fjali të Ramës kupton retorikën e tij të përditshme që çliron energji negative duke helmuar çdo pus të arsyes së pastër.
Së fundmi Rama mbyll editorialin me fjalët se nuk është skllav ndaj “një pushteti që synon të kthehet në absolut përmes korrupsionit absolut. E di që janë pakicë, por është një pakicë sidoqoftë shumë e trishtueshme për Europën e shekullit XXI.” Mirëpo kjo legjenda e pakicave të virtytshme është e neveritshme. Në të gjitha epokat është shkruar se të mirët u mundën, nuk u kuptuan dhe plebenjtë u pushtuan prej tribunëve populistë. Ka referenca në rrjedhën e historisë ku heretikë, sektarë, jakobinë, utopistë janë minoranca shpallur si pakica të ndershme plot virtyte. Por, po aq mirë dihet sesi janë sjellë sektet fanatike kur kanë ardhur në pushtet: jakobinët në Francë e gjetiu në Europë. Ligji popullor “pak dhe të mirë” nuk vlen për Edi Ramën dhe gjeneratën e dytë të dinastisë bllokmene. Ligji i së vërtetës ashtu siç vlen për cilësinë e asaj që thuhet nuk është e garantuar as nga pakica e as nga shumica.