Vetëvaret 21-vjeçarja në Elbasan, mister motivet
ELBASAN-Një 21-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në kasollen e bagëtive. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e së premtes në familjen Xhepri, në fshatin Qukës Shkumbin, të komunës Qukës, në rrethin e Librazhdit. Vëllai ka hyrë në kasollen e bagëtive pa ditur se çfarë kishte ndodhur. Sapo ka hyrë brenda është përballur me skenën e tmerrshme të vetëvarjes së të motrës. Për 21-vjeçaren Xhemile Xhepri nuk ka pasur asnjë shpresë për jetën megjithëse vëllai ka tentuar ta heqë nga laku që i shtrëngonte fytin. Ende nuk dihen shkaqet që kanë çuar drejt vetëvrasjes vajzën, por sipas të dhënave të para pas pyetjes së familjarëve, vajza mund të ketë pësuar një depresion të çastit. Policia ka filluar menjëherë hetimet për këtë ngjarje dhe mësohet se nuk ka ende një pistë të plotë por ajo e depresionit mbetet ndër më të mundshmet. Ndërkaq, mësohet se zonat rurale kanë regjistruar edhe numrin më të madh të vetëvrasjeve sidomos për vajzat e reja, por edhe për gra pre e një keqtrajtimi nga bashkëshortët e tyre. Rritja e rasteve të dhunës në familje ka rritur edhe numrin e personave që kanë pësuar një fund tragjik siç edhe ka ndodhur kur nëna ka arritur deri atje sa është hedhur para trenit si pasojë e problemeve në familje. Psikologët raste të tilla i argumentojnë me privimet dhe shpresat e pakta për një jetë më të mirë që shpien në gjendje depresive që shpesh çon deri në vetëvrasje. Edhe gjendja ekonomike përbën një shkak që mbyllet me akt tragjik.