E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konjufca: Grabovci na shau nënën

( E plotësuar) Kuvendi i Kosovës nuk miratoi propozimin e qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të AKP-së, derisa ata të kompletojnë të dhënat e tyre personale.

Ndërkohë deputetët me shumicë votash miratuan Raportin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për efiçiencën e energjisë, dhe vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e periudhës kalimtare të lirimeve nga Tatimi i vlerës së shtuar deri më 31 dhjetor 2014.

Kryetari i Komisionit për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti e industri, Zenun Pajaziti, tha se komisioni ka përkrahur propozimin e qeverisë për anëtarë të bordit të AKP-së, me kusht që kandidatët të kompletojnë biografitë e tyre. Por meqë ata nuk e kanë bërë këtë brenda afatit të paraparë, Pajaziti duke folur edhe në emër të grupit parlamentar të PDK-së, kërkoi që kjo çështje të shtyhet.

Kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se LDK-ja është kundër emrave të propozuar, për disa arsye, raporton RTK.

Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Visar Ymeri, tha se lista e propozuar nga qeveria është e papranueshme, jo vetëm pse ka eksponentë të partisë në pushtet, por edhe për shkaqe tjera.

Ndërkohë grupi parlamentar i PDK-se paraqiti një mocion për shtyrjen e kësaj çështje derisa të kompletohen të dhënat nga kandidatët, që mori mbështetjen e deputetëve. Anëtarëve vendorë të Bordit të AKP-së u ka skaduar mandati me 22 korrik.

Ndërkaq qeveria në fund të tetorit kishte marrë vendim që t’i propozojë Kuvendit Blerim Rexhën për kryesues të Bordit, ndërkaq për anëtarë Maja Milanoviqin, Haxhi Arifin, Dardane Pejën dhe Skender Komonin.

....

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi i ka përgëzuar mediat për siç tha ai guximin që kanë pasur për të publikuar përgjimet e bisedave të zyrtarëve të lartë shtetëror.

“Mediet nuk kanë shkelë privatësinë pasi aty nuk flitet për asgjë private asi ne jemi të gjithë persona publik’ ka deklaruar Gashi.

Mediet si të tilla e kanë bërë punën e vet dhe nuk e kanë shkelë privatësinë, ka theksuar ai.

....

Skandali i përgjimeve telefonike të zyrtarëve të shtetit të publikuara para një jave në media, tani po diskutohet edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se, populli është tronditur tej mase nga gjuha e komunikimit të zyrtarëve të shtetit.

“Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci i ka sharë me nënë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe sot ai vjen ulët këtu pa i ardhur marre”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, ditën na thonë se kryeparlamentari po e mbron demokracinë, e natën shprehen me fjalët më të turpshme kundër tij.

“Tash po e kuptojmë, pse nuk kemi arsim cilësorë, sepse i kemi njerëzit e paedukuar që e organizojnë arsimin në Kosovë. Tash po e kuptojmë pse kemi shëndetësi të mjerueshme, sepse kemi udhëheqës të sëmurë për pushtet. Këta njerëz nuk e meritojnë të vendosin asgjë për popullin dhe qytetarët e Kosovës”, tha Konjufca.

Në skandalin e përgjimeve të publikuara ditë më parë në media, ishin të përfshirë, kryeministri Hashim Thaçi, ish shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku dhe kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku. Askush prej zyrtarëve të PDK-së në seancën e Kuvendit nuk doli t’u kundërpërgjigjet komenteve të opozitës.

---

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Në vazhdim do të shqyrtohet raporti i Komisionit për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti dhe industri, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për efiçiencën e energjisë, si dhe Propozim-vendimi i Qeverisë për zgjatjen e periudhës kalimtare të lirimeve nga Tatimi i vlerës së shtuar deri më 31 dhjetor 2014.

Pikë e fundit e kësaj seance do të jetë shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si dhe propozimi i Grupit parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit për mbikëqyrjen e financave./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›