E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkluzioni i ekspertëve: Nuk është e vërtetë se uzinat shtetërore dilnin me humbje kur demontonin

Shkresat zyrtare tregojnë se uzinat e Mjekësit dhe të Poliçanit luteshin për të demontuar. Tabela e kostos hedh poshtë alibinë e Ministrisë së Mbrojtjes për humbje në demontim

Tiranë - Gjithë sa është thënë nga ushtarakët dhe krerët e Ministrisë së Mbrojtjes për pamundësinë e demontimit (për shkak të humbjeve) të municioneve në uzinat e Gramshit, Mjekësit dhe Poliçanit, është një sajesë. Raporti i ekspertëve financiarë, që është marrë posaçërisht me studimin e të gjithë praktikës juridiko-financiare të demontimit në 3 vitet e fundit, tregon se në të vërtetë uzinat shtetërore jo vetëm kanë pasur mundësi të kryenin këto demontime, por madje në shumë raste ato janë lutur për ta bërë një gjë të tillë. “Mes MEICO-s dhe Kombinatit Mekanik në Poliçan ekziston një kontratë shërbimi pa afat kohor. Kjo kontratë mban datën 5 maj 2003, e protokolluar nga MEICO me nr. 602/409 për demontimin e dy tipave të shtimjeve, shtimjet 85 mm dhe shtimjet 10 mm në sasinë prej 131 mijë e 908 copash, me çmime përkatësisht 300 lekë copa dhe 690 lekë copa”, - shkruhet në raportin e ekspertëve financiarë që kanë studiuar fitimet dhe kostot nga procesi i demontimit.
Paradoksi
Në raportin e ekspertëve gjendet një paragraf shumë i veçantë. Ky paragraf nxjerr në dritë të diellit përgjigjet fiktive dhe të gënjeshtërta të drejtorëve të uzinave shtetërore që nënshkruan se nuk dilnin me fitim nga procesi i demontimit. Por vetëm pak kohë para se këta drejtorë të kishin dhënë këto përgjigje, të njëjtët kishin deklaruar zyrtarisht fitime të majme nga ky proces. “Kombinati me shkresën nr. 1127 datë 22.08.2007, e cila bën fjalë për koston e demontimit të disa municioneve, midis të tjerave koston e shtimjes 37 mm e ka llogaritur me humbje 61.984 lekë/copa, ndërsa në janar të vitit 2007, me shkresën nr. 1008 të datës 31.01.2007, që i referohet një tjetër shkrese të Ministrisë së Mbrojtjes për këtë kalibër. Kombinati e ka llogaritur me fitim prej 9 mijë e 841 lekë copa. Për një periudhë 9-mujore kemi dy kosto të ndryshme kur kushtet e uzinës nuk kanë ndryshuar aspak gjatë këtij intervali. Diferenca është e thjeshtë”, - shkruan raporti i ekspertëve.
Gramshi
Një tjetër abuzim spektakolar është evidentuar në raport me Uzinën Mekanike të Gramshit. Sipas raportit, kjo uzinë kishte bërë më shumë se pesë kërkesa zyrtare brenda një viti për të marrë në dorëzim demontimin e një sasie të madhe municioni, ndërsa porsa kësaj uzine iu kërkua nga Ministria e Mbrojtjes mendim për koston e demontimit të sasive të municionit që kërkoheshin nga firma “Albademil”, uzina ndryshon me 180 gradë qëndrim duke u “ankuar” për rreziqet e mëdha dhe humbjet kolosale që sipas saj do të sillnin këto demontime. Por duket se analiza e ekspertëve ka provuar se cila nga këto qëndrime diametralisht të kundërta të Uzinës ka qenë i vërteti. Raporti ka saktësuar se në të vërtetë Uzina e Gramshit jo vetëm që nuk do të dilte me humbje, por do t’i sillte fitime të majme shportës së shtetit, por edhe vetë punonjësve të saj. Fitimet e refuzuara nga Uzina e Gramshit shkojnë deri në 80 milionë euro sipas raportit të ekspertëve. Kjo shumë kolosale nuk është qarkulluar asnjëherë nga kjo uzinë (me një porosi të vetme), megjithatë Uzina diti ta refuzojë duke u hapur rrugë kontraktorëve privatë.

EKSPERTËT FINANCIARË QË KRYEN ANALIZËN

Bexhet Zeqiri, kontrollor pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit
Ymer Stafa, kontrollor pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit
Rasim Metallari, specialist finance në Drejtorinë e Auditit në Ministrinë e Financave
Latif Çela, specialist finance në Drejtorinë e Auditit në Ministrinë e Financave
Mondi Hoxha, specialist armatimi i pajisjeve speciale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës

23 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›