Çmimet “Kult” 2009, 40 artistë në garë për 10 trofe
Akademia Kult me partner mediatik Vizion Plus, organizon edicionin e pestë të Çmimeve Kult 2009. Ethet e këtij aktiviteti të rëndësishëm, i vetmi në fushën e artit dhe kulturës shqiptare, sapo kanë nisur. Zyrtarisht, nga dita e sotme, ky aktivitet hyn në fazën e dytë, që mbetet përballja me publikun dhe votat e tij. Çmimet Kult kanë treguar se promovojnë artistët që kanë sjellë vlera të padiskutueshme, duke u përballur edhe me sfidën që quhet duartrokitje nga publiku. Pas katër edicioneve të suksesshme, ku Akademia Kult ka nderuar më të mirët e vitit, fituesit e këtij çmimi mund të krenohen për rëndësinë e tij. Çmimet për artistët më të mirë të vitit janë rezultat i punës 1-vjeçare të gazetarëve të revistës “Kult”, revista e vetme kulturore në vend, e cila mund të quhet me të drejtë një promotor i ideve, koncepteve dhe ngjarjeve në fushën e artit dhe kulturës. Revista “Kult” është lajmi kulturor në një javë, nëpërmjet një strukture informative të qartë, të shpejtë, praktike dhe të vlerësueshme, një database i pasur dhe i vetmi në Shqipëri. Duke qenë një përçues i denjë i ideve e koncepteve të reja, duke pasqyruar saktësisht elementët e traditës me veçoritë e reja që zenë vend në jetën artistike, Akademia Kult vëren me kënaqësi se këtë vit, kandidatët-garues janë të moshave të ndryshme, çka nënkupton një fillesë artistike që premton vazhdimësinë e brezit me pjekuri dhe eksperiencë artistike. Akademia Kult, institucioni i vetëm që me të drejtë mund të quhet, ‘syri’ i kudondodhur në Art&Kulturë përgjatë një viti, pas një përgatitjeje të gjatë dy-mujore nga juritë e ngritura, ka kënaqësinë të informojë se më të mirët e nominuar do të meritojnë edhe votën e publikut për të shkuar në natën finale, ku spektakli, çmimet dhe një mbrëmje gala do të kurorëzojnë Fituesit 2008. Gara për prurjet e vitit 2008 ka nisur me: 26 interpretues lirikë, 38 instrumentistë, 120 artistë pamorë në ekspozita personale e të përbashkëta, 61 aktorë, 49 aktore, 24 regjisorë, 125 libra artistikë, 110 albume muzikore, 56 aktivitete në të gjithë vendin. Edicioni i pestë sjell 40 artistë në garë të cilët konkurrojnë në 10 fushat: Artisti Pamor i vitit, Instrumentisti i vitit, Regjisori i vitit, Aktori i vitit, Aktorja e vitit, Filmi artistik i vitit, Interpretuesi Lirik i vitit, Albumi muzikor i vitit, Libri artistik. Për herë të parë në edicionin e sivjetmë do të jepet çmimi për Përkthyesin e vitit duke vlerësuar kontribute të rëndësishme në fushën e letrave, si dhe dy Çmime Speciale; Aktiviteti më i mirë i vitit dhe Personaliteti Kulturor i vitit. Edicioni i pestë i Çmimeve Kult 2009 është padyshim vazhdimësia e sistemit të vlerave, që mbështet dhe stimulon artistët shqiptarë duke i vlerësuar me kupën e më të mirit gjatë një viti. Në këtë vazhdimësi, Akademia Kult, i mbetet besnik idesë së fillimit për të krijuar vlera, në një treg, ku politikat e mbështetjes, rrugët dhe mundësitë për t’i gjetur ato mbeten të dyshimta. Që nga ky moment, të gjithë artistët janë në një përballje direkt me spektatorin. Votimi për artistin më të mirë bëhet nëpërmjet internetit në uebsajtin (akademiakult.com) dhe me telefon celular në numrin 1513, me tekst: votoj (hapësirë) emri i kandidatit të zgjedhur.
Një nga qëllimet e organizimit të këtij aktiviteti është dhe përballja e më të mirëve me publikun. Votimet për artistin e preferuar nëpërmjet internetit në adresën ëëë.akademiakult.com ka rezultuar se ka sjellë një fluks votimesh që tregon një pjesëmarrje tepër të interesuar dhe të drejtpërdrejtë të publikut në këtë eveniment të rëndësishëm. Akademia Kult do të paraprijë natën e spektaklit, më 10 qershor, në TKOB me katër netë debati të gjinisë talk-shou në një kohëzgjatje rreth 60 minutash.
Artistët në garë
Sa u takon artistëve të nominuar, në kategorinë e Librit Artistik marrin pjesë Ismail Kadare, Ben Blushi, Lindita Ahmeti dhe Fatos Baxhaku. Në kategorinë e përkthimit: Shpëtim Çuçka, Pashko Gjeçi, Mirela Kumbaro dhe Majlinda Nishku. Kategoria Artistit Pamor: Evis Fusha, Ali Oseku, Lek Tasi dhe Leonard Qylafi. Interpretuesi lirik: Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Armaldo Kllogjri dhe Mariana Leka. Instrumentisti i Vitit: Jonian Kadesha, Tedi Papavrami, Suela Piciri dhe Merita Rexha. Albumi Muzikor i Vitit: Genta Ismajli, Alban Skënderaj, Anjeza Shahini dhe Tingulli 3NT. Aktori i Vitit: Alert Çeloaliaj, Mirush Kabashi, Enver Petrovci dhe Ndriçim Xhepa. Aktorja e Vitit: Olta Dako, Eftiola Laçka, Margarita Xhepa dhe Luiza Xhuvani. Regjia e Vitit: Altin Basha, Erion Kame, Arben Kumbaro dhe Milto Kutali. Filmi Artistik: Dhimitër Anagnosti, Kujtim Çashku, Fatmir Koçi dhe Piro & Eno Milkani. Aktiviteti i Vitit: “Poeteka”, “Tirana Jazz Fest”, “Festivali Teatror i të Rinjve” dhe Panairi Ndërkombëtar i Librit.
22 Maj 2009