E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrenca fiton moralisht mbi Sigurimet në Gjykatë

Me gati dy vjet vonesë, Gjykata e Apelit i dha të drejtë Autoritetit të Konkurrencës, por tani duket se nuk ka mbetur shumë për të hetuar

Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi dje të rrëzojë një vendim të Gjykatës së Faktit dhe t'i japë të drejtë Autoritetit të Konkurrencës të rifillojë hetimin për krijim oligopoli dhe kufizim konkurrence në tregun e Sigurimit të Detyrueshëm të Automjeteve. Apeli vërejti në vendimin e tij se procedura e hapjes së hetimeve nuk përbën akt administrativ dhe për pasojë, nuk mund të hidhen poshtë nga gjykata.

Sherri

Në vitin 2005, gjashtë kompani sigurimesh krijuan një sistem kompjuterik dhe një rrjet agjencish për shitjen e përbashkët të Policës së Sigurimit të Detyrueshëm të Makinave, një produkt që i kushton shqiptarëve rreth 25 milionë euro në vit. Zyra e përbashkët synonte të shmangte konkurrencën me çmime, të ulte kostot e kompanive të sigurimeve dhe të mbante të larta çmimet e policave. Për pasojë, qytetarët paguan për gati një vit siguracione shumë më të larta sesa qenë mësuar të paguanin më herët. Autoriteti i Konkurrencës hapi hetime për sjellje oligopol në këtë treg, por hetimet e saj u bllokuan për shkak se kompanitë iu drejtuan Gjykatës së Tiranës, ku gjykata e konsideroi “të parregullt hapjen e hetimeve”. Që nga janari i vitit 2007 deri më sot, Autoriteti nuk pati mundësi të zhvillonte hetime, në pritje të një vendimi nga Gjykata e Apelit. Kjo e fundit është e njohur për faktin se i lë çështjet në radhë pritjeje për më shumë se një vit e gjysmë. Vetëm tani, afro dy vjet nga data kur oligopoli nën hetim pushoi së ekzistuari si pasojë e mosmarrëveshjeve mes kompanive, u bë e mundur që Autoriteti të rifillojë hetimet. Hetimet e saj do të mbulojnë veprimtarinë e këtyre kompanive nga viti 2006 deri në vitin 2007, gjë që duket disi e vështirë, për shkak se shumë prova fizike për ekzistencën e oligopolit kanë humbur tashmë.

Vendime në letër

Autoriteti i Konkurrencës u ankua dje gjithashtu për faktin se Policia Tatimore nuk denjon të zbatojë vendimet e saj dhe të mbledhë gjobat e vëna, për shkak se nuk e sheh të arsyeshme, pavarësisht se ka detyrim ligjor për këtë çështje.

“Komisioni ka gjobitur në masën 2% të xhiros së vitit 2005, të gjitha shoqëritë e sigurimit. Në bazë të nenit 80, të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, është Policia Tatimore organi i ngarkuar me vjeljen e këtyre gjobave. Ky institucion është i detyruar që të vjelë këto gjoba dhe mund ta pezullojë këtë veprim, vetëm në rast se vetë gjykata shprehet për pezullimin e ekzekutimit. Deri tani, Policia Tatimore nuk e ka realizuar këtë detyrë funksionale të saj, me gjithë insistimet e herëpashershme të AK dhe shqetësimin publik të Kuvendit dhe të Ministrit të Financave se po vonohet mbledhja e gjobave të vendosura nga Komisioni i Konkurrencës, duke ulur efektivitetin real të funksionimi të tij në treg”, - deklaroi dje Autoriteti.

Gjoba e parë kompanive të sigurimit iu vendos për shkak se patën krijuar një sistem oligopol shitjesh për produktin e Kartonit Jeshil, duke grumbulluar nga qytetarët rreth 4 milionë euro në vit dhe duke i ndarë mes tyre përmes një formule të negociuar. Qytetarët shqiptarë vijojnë të paguajnë për këtë produkt mëse dy herë më shtrenjtë sesa malazezët apo maqedonasit. Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur më herët edhe kompanitë e shërbimit të telefonisë celulare si dhe prodhuesit e betonit, por gjobat e saj kanë mbetur ende në letër, për shkak të frikës së financave për t'u përballur me kompani të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›