Biznesi kundër financave, ndryshon renta minerare
Qeveria përplaset me investitorët për dyfishimin e rentës minerare. Bizneset deklarojnë se vendi është i mbytur në taksa
Dyfishimi i rentës minerare ka bërë që investitorët të kundërshtojnë këtë taksë shtesë që erdhi pas kërkesës së bërë nga ana e ministrit të Financave, i cili deklaroi se kjo pjesë e biznesit në vend po favorizohet. Pas kësaj kërkese, qeveria rriti me gati dy herë të gjitha rentat për mineralet që nxirren në vend. Nga 2 për qind që ishte kjo taksë për çdo mineral që nxirrej, tashmë, vendimi i bën këto taksa nga 4 deri në 10 për qind. Sipas investitorëve, vendimi për rritjen e kësaj takse e vendos vendin në kushte jo favorizuese për investime. Por siç është bërë zakon tashmë me ligjet që miratohen në fushën e financave, pas ligjit të parë, vjen në një kohë të shkurtër edhe një ndryshim i dytë nga ana e qeverisë. Sipas këtij vendimi, “në rastet kur mineralet përdoren për prodhim nënproduktesh (koncentrat minerali apo prodhime metalurgjike), të cilat eksportohen, renta minerare do të aplikohet në doganë, mbi vlerën e mineralit të përdorur për prodhimin e nënproduktit. Kjo vlerë do të llogaritet në bazë të faturave të shitjes së sasisë së mineralit, të përdorur për prodhimin e nënproduktit. Në rastin kur eksportuesi i nënproduktit (koncentrat minerali apo prodhime metalurgjike) është njëkohësisht edhe prodhues i mineralit, përqindja e rentës minerare do të llogaritet mbi koston e prodhimit (nxjerrjes) të mineralit të përdorur. Kjo vlerë përcaktohet në bazë të sasisë së produktit përfundimtar (koncentrat apo prodhime metalurgjike), të deklaruar në doganë, si dhe të normativave korresponduese të mineralit të përdorur. Normativat dërgohen periodikisht nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pranë Ministrisë së Financave, dhe publikohen në website-in e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave”. Në këtë vendim të marrë dje nga ana e qeverisë, është ndryshuar edhe mënyra e llogaritjes për mineralet e tjera që përpunohen në vend dhe për të cilat Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nuk ka përcaktuar normativa korresponduese të mineraleve, që janë përbërës të këtij nënprodukti. Sipas vendimit, kur zotëruesi i lejes së shfrytëzimit të mineralit është njëkohësisht edhe përpunues, renta minerare do të aplikohet mbi koston e prodhimit të mineralit. Kjo kosto do të deklarohet nga prodhuesi dhe paguhet pranë organeve tatimore, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit të Financave.
Renta minerare sipas mineralit
Minerale argjendi 10%
Minerale floriri 10%
Minerale bakri 4-7%
Minerale plumbi 4-7%
Minerale zinku 4-7%
Minerale hekuri 4-5%
Minerale nikeli 4-6%
Minerale kromi 4-8%
Minerale të tjera 4%