E Diel, 1 Nëntor 2026

Festa dhe përgjime, shtatori i zi i Ronaldinjos

“Ylli” brazilian i Milanit është përgjuar në telefon nga policia, ndërsa flet me një bos droge

Ronaldinjo është lojtari i fundit që ngjitet në autobusin që transporton ekipin e Milanit nga aeroporti i Rexho Kalabrias drejt hotelit. Si gjithmonë, është i zënë me gjuetarët e zakonshëm të autografeve dhe fotografëve. Tifozët kërkojnë dhe duan vetëm atë, futbollistin më mediatik të planetit. Për momentin, kuqezinjtë po e trajtojnë si një statujë fatndjellëse: braziliani ka disa ndeshje që nuk luan që nga fillimi, por ka në dispozicion 20 minutat e zakonshme, për të mrekulluar publikun me fintet e tij. Më pas rifutet brenda laboratorit atletik, ku po përgatitet prej kohësh (kështu garantojnë) për rikthimin e fuqishëm.

PROGRAMET -Gjithsesi, Ronaldinjo nuk mërzitet, se edhe njëherë do ta fillojë ndeshjen nga stoli. "Po përpiqem të gjej vazhdimësinë," - thotë ai. E ka të qartë se duhet ta rigjejë sa më shpejt gjendjen më të mirë fizike dhe, për këtë arsye, po zhvillon një punë intensive dhe lodhëse. Duhet ta rigjejë sa më shpejt forcën e muskujve, si dhe duhet të arrijë në të njëjtin nivel me shokët e ekipit. Ata që thonë se do ta shohim në maksimumin e tij, në muajin nëntor, nuk gabojnë, pasi këto janë kohët që i nevojiten lojtarit për t'u përshtatur me fazën stërvitore dhe për t'u rikarikuar.

HETIMI- Edhe pse akoma nuk po e shohim si protagonist në fushë, Ronaldinjo, ashtu siç parashikohej, nuk humb rast për ta tërhequr vëmendjen e medieve. Lajmi nga Rio-de-Zhanejro, për një telefonatë të përgjuar, si pasojë e një hetimi që po zhvillohet nga policia braziliane ndaj një trafikanti të drogës, ka marrë dhenë. Për t'i rënë shkurt, Riçard Aleks da Silva Martins, i thirrur "Xhixhi", bos i trafikut të drogës, është arrestuar në Porto Alegre në shtëpinë e Anderson, lojtari tjetër brazilian që luan për Mançester Junajted. Pikërisht me "Xhixhin", Ronaldinjo dhe Anderson flisnin në telefon, në një bisedë të përgjuar nga policia, me urdhër të gjykatës. Siç bëhet e ditur nga gazeta braziliane "O'Globo", dy lojtarët diskutonin lidhur me një festë që do të organizonin bashkë me trafikantin. Në bashkëbisedimin midis dy lojtarëve nuk flitet për përdorim të substancave të palejuara dhe, për këtë arsye, nuk do të ketë ndjekje penale për dy brazilianët. Megjithatë, bosi "Xhixhi", që duket të jetë shok i ngushtë i Anderson, ka përdorur makinën luksoze Porshe të mesfushorit të Mançesterit, me rastin e arratisjes nga burgu i Rio-de-Zhanerjos, 24 qershorin e kaluar. Në këtë operacion antidrogë policia ka arrestuar 31 persona.

THIRRJA- Lajmi i mbërritur nga Brazili që, gjithsesi nuk flet për Ronaldinjon dhe Andersonin, në cilësinë e të dyshuarve, i shtohet tërheqjes së veshit që i është bërë Dinjos pak ditë më parë në zyrat e Galianit. Administartori i deleguar kuq e zi, pikërisht në momentin kur ekipi i Ançelotit po kalonte momentin më të keq, sapo ka mësuar për pjesëmarrjen e lojtarit në një festë me drita të kuqe, e ka thirrur në zyrën e tij dhe i ka shpjeguar se si duhet të sillet një milanist i mirë jashtë fushës së lojës. Ronaldinjo akuzohej se festoi deri në orët e vona të natës në një vilë në Zhakarepagua, në shoqërinë e shumë vajzave, dhe se ishte paraqitur mëngjesin e nesërm në Milanelo pa asnjë orë gjumë. Braziliani është mbrojtur, duke thënë se kishte qenë tek ajo vilë, por vetëm deri në orën dy të natës, e më pas kishte shkuar në hotel. Me kaq duket se ky incident është mbyllur pasi, sipas fjalëve të Galianit, "ne i besojmë lojtarit deri në provë të kundërt". Për momentin, prova që kundërshtojnë shpjegimin e lojtarit nuk ka, megjithëse të dhënat për një jetë nate aktive po shtohen. Frika e tifozëve, edhe pse të mahnitur nga disa "numra" magjie, është se Dinjo mund të jetë më shumë protagonist në kronikat rozë se në ato sportive. I takon atij tani ta driblojë këtë parashikim të keq.

Seria A,java e 4-t

Dje

Rexhina – Milan

Inter – Leçe

Juventus – Katania

Xhenoa – Roma

Napoli – Palermo

Atalanta – Kaljari

Kievo – Torino

Bolonja – Udineze

Lacio – Fiorentina

Siena – Sampdoria

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›