Konkurrenca në biznes, vritet 42-vjeçari, arrestohen at e bir
SHKODËR- Një sherr me motive konkurrence për pasagjerët e linjës Shkodër-Oblikë i ka kushtuar jetën një 42-vjeçari, babai i tre fëmijëve. Ai është qëlluar me armë zjarri dje rreth orës 22:45 minuta të ditës së dielë në fshatin Oblikë, komuna Ana e Malit në Shkodër. Sipas policisë, Agim Shallani është qëlluar për vdekje me pistoletë me dy plumba, një në gjoks dhe një në kokë. Nga hetimet paraprake mësohet se viktima ka qenë duke u kthyer i vetëm në banesë, në momentet kur autorët i janë afruar dhe e kanë qëlluar me pistoletë.
Viktima është shtetasi, Agim Shullani, banues në Garuc, fshati Oblikë. Sipas burimeve nga policia lokale, mësohet se ai u gjet i pa jetë 100 metra larg banesës së tij. Policia pas sinjalizimit ngriti dyshimin se vrasja mund të kishte ndodhur pas ndonjë konflikti të çastit, dhe organizoi operacionin e koduar "Taraboshi". Pas marrjes se dëshmive të ndryshme, disa orë pas vrasjes u bë i mundur arrestimi i dy personave si të dyshuarit kryesorë për këtë ngjarje. Ata janë babë e bir, Riza Idrizi 56 vjeç dhe Naim Idrizi 22 vjeç, po nga fshati Oblikë. Mes autorëve dhe viktimës, disa orë para ngjarjes, ka pasur një konflikt në lidhje me konkurrencën në punë dhe më pas në shenjë hakmarrje babë e bir i kanë zënë pritë pranë shtëpisë, duke e qëlluar për vdekje 42-vjeçarin. Edhe autorët e ngjarjes kanë furgonë që bëjnë transportin e pasagjerëve në të njëjtën linjë dhe janë fqinj me viktimën. Ata ishin konfliktuar me viktimën pak orë para se të organizonin vrasjen.
Nga hetimet paraprake dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërkohë që u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i armës së krimit tip pistoletë "Berrett", si dhe një silenciatori me një sasi fishekësh model 56.
Mësohet se materialet procedurale, në ngarkim të shtetasve Riza dhe Naim Idrizi, iu kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale "Vrasje me paramendim" dhe "Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake".