Konkurs ndërkombëtar për hyrjen e Tiranës
Bashkia e Tiranës çeli dje konkursin ndërkombëtar për zhvillimin urban të zonës në hyrje të Tiranës, që shtrihet në veri-perëndim të qytetit përgjatë Rrugës së Durrësit. Për zhvillimin e saj, ku më parë ndodheshin godinat e ish-pularisë, tre firma të huaja kanë paraqitur projekte konkrete për zhvillimin urban dhe tregtar të kësaj zone, që përfshin unazën e jashtme të qytetit, aksin kryesor të hyrjes në Tiranë dhe më pas vazhdon deri tek mbikalimi i Kamzës dhe vijon me kryqëzimin e unazës së madhe dhe Rrugën e Durrësit. Firma e parë, “BLK Architects” ka parashikuar ngritjen e nivelit të autostradës, në hyrje të të cilave do të jenë dy ndërtesa të larta, që do të shërbejnë edhe si qendra tregtare. Pjesa rezidenciale, ku do të ketë shkolla, kopshte, kinema, etj., do të ketë edhe hapësira të gjelbërta. Firma e dytë “Desing International”, ka projektuar ngritjen e dy kullave paralele, me 22 kate, të cilat do të lidhin Rrugën e Durrësit me unazën dhe do të shërbejnë si porta e qytetit. Në skajin jugor të këtyre kullave do të ngrihen 4 kulla më të ulëta, që do të shërbejnë si qendra pazari dhe në të djathtë të tyre do të ndërtohet një shesh i madh ku do të vendoset teatri, libraria dhe objekte të tjera kulturore. Për të ulur trafikun e rënduar do të ndërtohen rrugë dytësore dhe një parkim i nëndheshëm. Studioja e tretë, “Favre and Guth” ka pasur një ide tjetër për zhvillimin e kësaj zone. Sipas saj, në 40 % të kësaj zone do të ngrihet një park i madh, brenda të cilit do të ndërtohen vetëm 2 ndërtesa publike dhe një hotel. Në pjesën tjetër të hapësirës do të ndërtohen godina tregtare dhe rezidenciale. Ndërsa për të ulur trafikun do të ndërtohet një rrugë e nëndheshme që lidh këtë zonë me rrugën kryesore. Bashkia e Tiranës, në kuadër të procesit për formulimin e Planit të ri Rregullues, me qëllim harmonizimin e të gjithë elementëve urbanë, ka përcaktuar disa zona në kryeqytet si zona prioritare të zhvillimit. Pas konkurseve të zhvilluara për përcaktimin e zonave prioritare C dhe D, konkursi i djeshëm i përket zonës E.
Kushtet e bashkisë
Firma fituese që do të rehabilitojë zonën E duhet të plotësojë disa kushte të vendosura nga bashkia. Kështu si rrjedhojë e trafikut të dendur, në të dy këto akse, kërkohet që të dyja rrugët të kenë rrugë shërbimi. Në pjesën juglindore të zonës duhet të merret në konsideratë vendndodhja e një parkimi publik. Në këtë pikë duhet të rezervohet dhe hapësira për një terminal të linjave inter-urbane. Gjithashtu në këtë zonë duhet të vendosen 2 kopshte, 2 çerdhe, 1 shkollë 9-vjeçare, 1 shkollë e mesme (këto shkolla duhet të jenë detyrimisht publike).