E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj dublon kryetarët e gjykatave

 

Trazhgim Sokolaj

Ministri i Drejtësisë do të fillojë nga dita e sotme, zbatimin e një rregulloreje të re për gjykatat, e cila sipas togave të zeza, i bën kancelarët kryetarë de fakto në këto institucione duke dubluar madje, eklipsuar kryegjyqtarët e emëruar nga KLD dhe Presidenti i Republikës. Sipas ligjit aktual, kancelarët mbulojnë veprimtarinë administrative të gjykatave, pa ndërhyrë në procesin e dhënies së drejtësisë, për shkak se janë në varësi të Ministrit të Drejtësisë. Gjyqtarët janë shprehur dje të shqetësuar, pasi këtë parim të mosndërhyrjes së ekzekutivit në dhënien e drejtësisë, e cenon rëndë rregullorja e hartuar nga Ministria e Drejtësisë, e cila synon ta vendosë atë në zbatim që nga dita e sotme. Edhe pse në një ditë pushimi për gjithë administratën shtetërore, kryetarët e gjykatave në të gjithë vendin janë lajmëruar dje për një takim në Ministrinë e Drejtësisë me kreun e këtij institucioni Enkelejd Alibeaj. Në këtë takim mësohet se kanë qenë të pranishëm edhe kancelarët e gjykatave ndërsa ka rënë në sy mungesa në shenjë proteste e 13 kryegjyqtarëve të cilët nuk kanë pranuar të paraqiten. “Nga 25 kryetarë gjykatash që ka gjithë vendi, thirrjes së Ministrit i janë përgjigjur vetëm 12 prej tyre. “Ministri i Drejtësisë nuk mund t’i thërrasë kryetarët e gjykatave jashtë KLD-së. Nëse ai dëshiron të komunikojë me ta si grupe interesi për të diskutuar një projektligj apo rregullore, ai duhet të bëjë kërkesë për thirrjen e tyre në KLD, jo t’u kërkojë të paraqiten në Ministri”, konfirmuan burimet. Në takim, ministri Alibeaj prezantoi një rregullore të re për gjykatat, e cila në thelb të saj bën de fakto kryetarë të këtyre institucioneve kancelarët, duke dubluar dhe eklipsuar pushtetin dhe kompetencat e kryetarëve të zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe të dekretuar nga Presidenti”, thanë dje burimet zyrtare nga takimi, pasi u kontaktuan nga gazeta “Panorama”. Sipas këtyre burimeve, edhe pse i janë përgjigjur thirrjes së ministrit për të marrë pjesë në takim, 12 kryegjyqtarët e pranishëm kanë debatuar dhe kanë kundërshtuar ashpër rregulloren e prezantuar nga Ministri, sipas të cilit ajo hyn në zbatim që nga dita e sotme. “Me këtë rregullore, Ministri bën de fakto kryetarë gjykatash kancelarët, të cilët i ka në varësi të tij, duke futur kështu në ndikimin e vet pushtetin gjyqësor”, shtuan më tej gjyqtarët e pranishëm në takimin e djeshëm, sipas të cilëve, shumica e pjesëmarrësve në diskutim kanë kundërshtuar planin e Ministrit të Drejtësisë. Gjithashtu, mësohet se me rregulloren e re të ministrit, kancelarët janë ata që shqyrtojnë dosjet, firmosin dhe vulosin të gjithë dokumentet, që hyjnë dhe dalin zyrtarisht nga gjykata (në këtë rast shmanget kryetari i gjykatës) si dhe hartojnë projektbuxhetin e institucionit çdo fundviti për vitin pasardhës. Në rregullore, parashikohet se të gjitha pronat e gjykatave kalojnë në emër të Ministrisë së Drejtësisë, e cila varet nga Qeveria ndërsa që nga kryetari i gjykatës, gjyqtarët dhe deri tek punonjësit e thjeshtë, të gjithë janë të detyruar të marrin leje tek kancelari për përdorimin e mjeteve të punës së gjykatës, si për shembull lëvizja me automjete për nevoja të kryerjes së detyrës.

Rregullorja e re e Ministrisë për gjykatat

- Kancelari organizon shortimin e dosjeve dhe kërkesave të ardhura në gjykatë nga institucionet dhe shtetasit

- Të gjitha dokumentet që hyjnë dhe dalin në gjykata në formën e shkresave zyrtare, duhet të firmosen dhe të vulosen si dhe të kalojnë së pari në zyrën e Kancelarit, jo nga kryetari
 
- Kancelari është autoriteti që në fund të çdo fundviti, bën hartimin e projekt-buxhetit të gjykatës për vitin pasardhës, ai kujdeset për miratimin dhe zbatimin e tij

- Pronat në zotërim të gjykatave në Republikën e Shqipërisë, hipotekohen dhe kalojnë në zotërim të Ministrisë së Drejtësisë      

- Çdo punonjës i gjykatës, që nga kryetari, gjyqtarët dhe punonjësit e tjerë, duhet të marrin leje në zyrën e kancelarit për çdo rast të përdorimit të mjeteve të institucionit dhe automjeteve, që gjykata ka në dispozicion të saj

Alibeaj: Në draft u përfshinë të gjitha mendimet

TIRANE - Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, tha dje se të hënën e javës së kaluar u kishte dërguar zyrtarisht të gjithë kryetarëve të gjykatave një kopje të rregullores për administratën e gjyqësorit, të cilët, të premten e kishin kthyer të gjithë në Ministrinë e Drejtësisë, shoqëruar me vërejtjet dhe sugjerimet përkatëse. Pas kësaj, gjatë një takimi që kryetarët e gjykatave kanë bërë në Gjykatën e Lartë, kolegët i kanë kërkuar përfaqësuesit të bordit të kryetarëve të gjykatave, Ervin Metalla, të kërkonte një takim me ministrin e Drejtësisë. Pas kësaj është rënë dakord që takimi të zhvillohej në Ministri mesditën e së shtunës. Ministri i Drejtësisë i kontaktuar dje nga gazeta, pohoi se në takimin me kryetarët u ra dakord për të gjitha propozimet e bëra nga krerët e gjykatave. “Madje, ministria pranoi, që draftimet përkatëse të bëheshin nga vetë kryetarët, të cilët mbetën mëse të kënaqur nga takimi. Sipas ligjit dhe rregullores drejtimi administrativ i gjykatave bëhet në bashkëpunim mes kryetarëve dhe kancelarëve”. Alibeaj pohoi gjithashtu se, në këtë takim kishin marrë pjesë rreth 90 për qind e kryetarëve të gjykatave, të cilët e kishin kërkuar vetë takimin. Më tej ministri pohoi se në këtë takim u ftuan të merrnin pjesë edhe gjyqtarë nëse dëshironin. Gjithashtu u ftuan përfaqësues të Shoqatës së Unionit të Gjyqtarëve, ndërsa qëllimi i takimit ishte diskutimi për draftin. Në fund, ministri pohoi se të gjitha propozimet e krerëve të gjykatave u futën në rregullore, e cila do të nisë të zbatohet sot. Ndërkohë, më tej ministri i Drejtësisë, Alibeaj, pohoi se rregullorja aktuale që zbatohet nëpër gjykata është bërë në vitin 2000, kur ministër i Drejtësisë ishte Arben Imami. Sipas Alibeajt, tashmë kanë kaluar shumë vite dhe janë bërë mjaft ndryshime ligjore, çka kanë bërë që të lindë nevoja për bërjen e një rregulloreje të re, e cila është kompetencë dhe e drejtë e ministrit të Drejtësisë.                                  fa.ma.

Bejleri: S’do e zbatojmë draftin, është antiligjor

TIRANE - Manjola Bejleri, kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve pohoi dje, se rregullorja e re që pritet të nisë të zbatohet sot është e pafavorshme për sistemin e drejtësisë. Sipas saj, e gjithë rregullorja është e paligjshme nëse shqyrtohet nen për nen, por ajo që do të kundërshtohet fillimisht prej shoqatës është paligjshmëria e mënyrës, mbi të cilën është bërë rregullorja. Duke komentuar rregulloren, Bejleri pohoi se ajo përmban mjaft pasaktësi nëse do të analizohet e gjitha, por fillimisht Shoqata e Gjyqtarëve e kundërshton atë duke u nisur nga paligjshmëria, mbi të cilën ajo është mbështetur. Sipas saj, rregullorja për administratën është mbështetur në një draft, që ende nuk është bërë ligj dhe për më tepër ligji, mbi të cilin është mbështetur drafti është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për t’u shfuqizuar si antikushtetues. Duke shpjeguar këtë kryetarja e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve pohoi se projektligji për Administratën Gjyqësore ende nuk është bërë ligj. Sipas saj ky draft nuk ka mbërritur në parlament për t’u votuar, dhe vetëm pasi të marrë votat e tre të pestave të deputetëve, ky ligj do të nisë të zbatohet dhe nga ai mund të nxirren akte nënligjore. Duke vazhduar, Bejleri pohoi se 10 ditë më parë SHKGJSH kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese për të shfuqizuar, si antikushtetues, nenet për kompetencat e kancelarit të gjykatës. “Me këtë rregullore Kancelari merr më tepër kompetenca se kryetari”, tha Bejleri, e cila shtoi se kjo rregullore për administratën e gjyqësorit përfshin edhe disa detyra për kryetarin, gjë që konsiderohet paradoksale. Në fund Bejleri pohoi se gjykatësit nuk mund të zbatojnë një akt nënligjor, (nëse do e quanim kështu rregulloren), i cili është mbështetur në një projektligj, i cili gjithashtu është mbështetur në një ligj të kontestuar si antikushtetues. Pritet që Gjykata Kushtetuese të shprehet për këtë kërkesë të SHKGJSH në ditët në vazhdim.             fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›