E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Obama dhe Mekein replika për politikën e jashtme dhe krizën financiare



Dy kandidatët për presidentë të Shtëpisë së Bardhë, kandidati demokrat Barak Obama dhe kandidati republikan Xhon Mekein kanë zhvilluar debatin e tyre të parë presidencial para zgjedhjeve të nentorit i cili u shoqërua me replika për politikën e jashtme por edhe për gjendjen e rënduar ekonomike të SHBA-ve. Senatori Obama tha se problemet ishin më të vështirat që prej periudhës së njohur si depresioni i madh në vitet 1930. Ndërkohë Mekein sugjeroi ngrirjen e shpenzimeve në shumë sektorë përveç atij të mbrojtjes. Pikëpamjet e dy senatorëve ishin të kundërta në lidhje me luftën në Irak. Senatori Mekein tha se pasojat e humbjes në Irak do të ishin të shumta, përfshirë një ndikim më të madh të Iranit në rajon, shtimin e dhunës sektare dhe një luftë më të gjerë që mund t'i detyronte forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara të ktheheshin përsëri. Ndërkohë Senatori Obama në fjalën e tij, tha se ushtria amerikane nuk duhet të kishte shkuar në Irak sepse kërcënimi më i madh ishte Afganistani. Ai tha se lufta ishte një gabim strategjik. Të dy senatorët ranë dakord për kërcënimin që do të përbënte Irani për Izraelin, në qoftë se Teherani do të zotëronte armë bërthamore. Senatori Mekein u shpreh në favor të sanksioneve më të rrepta kundër Teheranit dhe tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të lejojnë një Holokaust të dytë. Senatori Obama u shpreh për një diplomaci të drejtpërdrejtë më të ashpër. Të dy kandidatët u përqendruan në problemet ekonomike të Shteteve të Bashkuara në pjesën e parë të debatit të tyre. Senatori Mekein e përshkroi Senatorin Obama si tepër liberal për të bashkëpunuar me republikanët dhe theksoi se shpenzimet në Uashington duhet të vihen patjetër nën kontroll. Senatori Obama u përpoq ta lidhte Senatorin Mekein me Presidentin Bush, duke thënë se kishte mbështetur politikat e gabuara të Presidentit Xhorxh Bush. Gjatë debatit, senatori Mekein tha se nuk besonte se rivali i tij kishte eksperiencën për të drejtuar. “Unë nuk mendoj se kam nevojë për trajnim për detyrën. Jam gati ta marrë atë që tani”,- shtoi ai. Megjithëse Mekein dukej më komod gjatë debatit, sondazhet sugjeruan se Obama me paraqitjen e tij, impresionoi disa prej votuesve të pavendosur.

Sot, marrëveshja për krizën në SHBA

Administrata Bush dhe Kongresi kanë vazhduar bisedimet lidhur me planin e Shtëpisë së Bardhë që parasheh 700 miliardë dollarë për të nxjerrë nga kriza sistemin financiar amerikan. “Jam i bindur se deri të dielën do të kemi një marrëveshje”,- tha Barni Frank, anëtar demokrat i Kongresit, i cili është një nga personat kyç në bisedime. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelosi tha se “është shënuar përparim”. Demokratët dhe administrata Bush njoftojnë se janë të gatshëm të përfshijnë idetë e republikanëve nga Dhoma e Përfaqësuesve në planin përfundimtar. Ekipet e ekspertëve të demokratëve dhe republikanëve kanë zhvilluar bisedime në Kongres.

29 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›