Maqedoni, Kuvendi u heq imunitetet dy deputetëve të BDI-së
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë votoi heqjen e imuniteteve të dy deputetëve të BDI. Parlamentarët votuan pro ndaj vendimit për miratimin e kërkesave të Gjykatës Themelore 1 për paraburgimin e deputetëve Hysen Xhemaili dhe Hajrulla Misinit. Pro votuan deputetët nga partia qeveritare VMRO-DPMNE dhe ato të opozitës. E vetmja që votoi kundër ishte BDI-ja. Deputeti Aleksandar Nikollovski, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Kuvendit për çështje të imunitetit dhe të rregullores, i shqyrtoi para dy ditësh kërkesat. Ai tha se dy deputetët kanë deklaruar nuk do të referohen në imunitetin e deputetëve dhe kanë premtuar se do të paraqiten në seancat gjyqësore në të gjitha proceset që do të zhvillohen kundër tyre. Deputeti Rafiz Haliti i BDI-së tha se si grup i deputetëve e mbështesin qëndrimin e kolegëve të tyre Hyseni dhe Misini, por edhe se konsiderojnë që duhet të respektohet Ligji për amnisti. “Si grup parlamentar mbetemi konsekuent në qëndrimin tonë se duhet të respektohet Ligji për amnisti. Nuk do të mbështesim kërkesë me të cilën shkelet Ligji për amnisti, i miratuar në vitin 2002”,- theksoi Aliti. Me dritën jeshile që hapi Kuvendi i Maqedonisë, hapet mundësia që dy deputetët të arrestohen dhe të dërgohen në Burgun hetues në Shkup.
Danimarka njeh pasaportat e Republikës së Kosovës
Pasaportat e Kosovës janë njohur edhe nga Danimarka. Ky vend i është bashkuar vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të cilat e njohën zyrtarisht të vlefshëm pasaportën e Republikës së Kosovës.
Autoritetet daneze, po ashtu njoftuan se do të vendosin vizat në pasaportën e Republikës së Kosovës. Njohjen e pasaportës së Republikës së Kosovës e kanë njohur shumica e vendeve të rajonit të BE-së, SHBA-së, Japonisë etj. Ministria e Punëve të Brendshme shpreson se njohja e pasaportave të Republikës së Kosovës, do të vazhdojë me ritmin dhe dinamikën e parashikuar, duke u mundësuar lëvizjen qytetarëve të Republikës së Kosovës në të gjitha vendet që ata udhëtojnë.
Stub: “Kosova nuk krahasohet me Abkazinë dhe Osetinë”
Ministri i Jashtëm i Finlandës dhe njëherësh kryesues i radhës i OSBE-së, Alexander Stub, i ka hedhur poshtë si të paqëndrueshme krahasimet mes rastit të Kosovës dhe rajoneve të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në Gjeorgji. “Kosova ka qenë një rast i veçantë. Atje kemi pasur një proces gati tetë vjeçar të drejtuar nga Kombet e Bashkuara. Në Kosovë kemi pasur një përpjekje të përgjithshme ndërkombëtare”,- ka vlerësuar ai. Po kështu po të shohim dhe vendet që i kanë njohur, në rastin e Abhkazisë dhe Osetisë së Jugut njohja është shumë e limituar, vetëm dy vende i kanë njohur”,- tha Stub në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
RUSI
Qeveria modernizon armët bërthamore
Presidenti rus, Dimitri Medvedev ka njoftuar planet modernizimin e armëve bërthamore. Sistemi i ri mendohet të jetë gati deri në vitin 2020 dhe do t’i mundësonte Rusisë që të kundërpërgjigjej ndaj kërcënimeve të mundshme. Medvedev tha se planet përfshinin ndërtimin e një lloji të ri anijesh luftarake dhe nëndetësesh të armatosura me raketa Kruiz si edhe një plan hapësinor mbrojtjeje.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, tha se ky zhvillim nuk do të ndikonte mbi ekuilibrin e fuqisë, përsa i takon armëve bërthamore pasi armët amerikane ishin të plota.
KROACI
Rrezikohen fondet e BE-së
Qeveria e Kroacisë ende nuk e ka përgatitur projektet e saj për të siguruar fondin prej 60 milionë eurosh nga Bashkimi Europian, duke e rrezikuar seriozisht këtë fond. Projektet janë të domosdoshme, jo vetëm për të fituar fondet, por edhe për të marrë një notë pozitive nga Brukseli lidhur me përpjekjet kroate për anëtarësimin në BE. Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso ka deklaruar disa herë se negociatat nuk mund të mbyllen në vjeshtën e ardhshme nëse nuk do të ketë angazhim serioz nga ana e Zagrebit.
SOMALI
Piratët kërkojnë 35 milionë dollarë
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin për rrëmbimin e një anijeje ukrainase të rrëmbyer nga piratët në bregdetin e Somalisë. Anija ishte e ngarkuar me armatime të ndryshme, municione dhe 33 tanke luftarake dhe zëdhënësi i Pentagonit tha se Uashigntoni po e “monitoron situatën”, por ai refuzoi të japë detaje se ç’mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara. Një zëdhënës i marinës ruse, tha se fregata raketore ruse ishte urdhëruar të lëvizte drejt bregdetit të Somalisë, pas rrëmbimit të anijes
Piratët kërkojnë 35 milionë dollarë për ta liruar anijen.
KABUL
Lirohen 118 të rrëmbyer
Janë liruar dje 118 punëtorë afganë që ishin rrëmbyer. Lajmi u bë i ditur nga zyrtarët afganë të cilët u shprehën se rrëmbyesit kishin iruar 118 punëtorë. Punonjësit ishin rrëmbyer një javë më parë, por 32 prej tyre kanë mbetur ende të rrëmbyer. Të 150 punëtorët po ndërtonin një bazë për ushtrinë afgane në provinclën Farah. Rrëmbyesit e identifikuan veten si militantë talibanë, por burime të tjera të talibanëve e kanë mohuar përfshirjen. Ende nuk dihet se kush janë autorët e këtij rrëmbimi masiv, megjithatë autoritetet vendore po punojnë për zbardhjen e çështjes.
29 Shtator 2008