“Ligji për TVSH-në po fundos arsimin”
ZIRINA LLAMBRO
Me gjithë ndryshimet e fundit që pritet t'i bëhen, mbetet një ligj pa spektër. Zgjidhjet e ofruara janë të pjesshme e nuk i japin fund diskriminimit të iniciativave private në arsim e kulturë. Produktet njësohen dhe nuk bëhet asnjë diferencim. Këto vendime pjellë e mentalitetit komunist që mbizotëron ende në politikën tonë, janë hapa mbrapa në dëm të gjithë shoqërisë. Konsorciumi i universiteteve jopublike shqiptare e komenton kështu ligjin "Për aplikimin e TVSH-së". Ky ligj është rikthyer sërish në Parlament për disa ndryshime. Drejtuesit e UET, "Polis", universitetit "Luarasi" e "Marubi", sqarojnë se fakti që nene të caktuara po korrigjohen ende pa kaluar mirë viti nga miratimi i tij, dëshmon për defektet madhore që ai ka. "Jemi i vetmi vend në Evropë ku institucionet arsimore jopublike paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar në masën 20%. Kjo do të thotë t'i fundosësh, ende pa u rritur mirë. Ne e kemi kundërshtuar ligjin që përpara se të hynte në fuqi. Meqë është kthyer në vëmendjen e politikëbërësve me ndryshimet e fundit e shohim të udhës t'i ngremë edhe një herë problemet që na shqetësojnë", shprehet Aleks Luarasi, rektori i universitetit "Luarasi". Ndërsa Kujtim Çashku kreu i universitetit "Marubi" nënvizon se, problemi është më kompleks dhe shumë më i thellë. "Ne nuk po ngremë zërin vetëm se jemi përfaqësues të arsimit jopublik. Arsyeja kryesore për të cilën ne ngremë zërin është se shteti nuk po arrin të bëjë diferencën mes asaj që është publike dhe asaj që është shtetërore. Me këtë logjikë me të cilën është konceptuar ligji, iniciativa private është në garë me shtetin. Pra, për aq kohë sa shteti ne nuk na konsideron partnerë, i bie të konkurrojmë vetëm me të", thekson Çashku. Sipas tij, arsimi dhe kultura nuk mund të trajtohen si produktet e tjera pasi më shumë se kujtdo i shërbejnë zhvillimit të shoqërisë. "Ky ligj nuk bën gjë tjetër veçse njëson produktet njësoj si në komunizëm. I mungon tërësisht spektri për të bërë diferencime", pohon Çashku. Sipas përfaqësuesve të Konsorciumit të universiteteve jopublike është momenti që të rishikohen me kujdes nenet përkatëse, të cilat bien ndesh me Kushtetutën, por edhe me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. "Aplikimi i TVSH-së është në kundërshtim edhe me procesin e licencimit të institucioneve të arsimit jopublik. Të gjithë këto institucione kanë marrë licencat e tyre mbi bazën e një plan biznesi disavjeçar, që është miratuar nga qeveria. Në momentin kur kjo taksë vendoset në mes të kësaj periudhe, atëherë automatikisht ky plan bëhet i pakuptimtë duke rrezikuar këto institucione që janë në fazë investimesh", sqaron rektori i universiteti "Polis", Besnik Alia. Vetëm disa ditë më parë ndryshimet në ligjin "Për tatimin mbi vlerën e shtuar" u votuan nga Parlamenti. Por për mungesë të kuorumit në sallë dhe kontestimeve nga opozita ai nuk arriti të kalojë. Sipas variantit të ri të ligjit, gazetat dhe revistat e huaja që vijnë në vendin tonë nuk do të paguajnë më TVSH. Argument për këtë korrigjim qeveria jep marrëveshjen e përkohshme BE-Shqipëri, ku theksohet se rivendosja e TVSH-së në import për shtypshkrimet e periodikët e huaj përbën një diskriminim fiskal ndaj këtyre produkteve. Sakaq Konsorciumi i universiteteve jopublike u shpreh se, diskriminimi nuk mbaron me këtë ndryshim. Ata kërkojnë që TVSH-ja të hiqet edhe për arsimin.
Privatët: Ja pse nuk pajtohemi me ligjin
Sipas përfaqësuesve të Konsorciumit, aplikimi i TVSH-së i kontrolleve dhe i standardeve teknike në mënyrë preferenciale vetëm për institucionet e arsimit jopublik shkel barazinë e qytetarëve përpara ligjit. Një tjetër argument është presioni për rritjen e tarifave të shkollimit në institucionet jopublike. “Pretendimet për rritje të kostos vetëm 6-7% janë të pavërteta pasi impakti, sidomos për vitin e parë arrin në rreth 30%”, sqarojnë përfaqësuesit. Gjithaq ata pohojnë se pengimi i konkurrencës mes sektorit privat dhe atij publik dëmton gramatikisht rritjen e cilësisë së arsimit në përgjithësi në vendin tonë. “Një ligj i tillë nuk do të ndihmojë dinamikën e re të arsimit në Shqipëri dhe do të bjerë ndesh më një sërë reformash integruese në këtë fushë, duke e trajtuar arsimin si një aktivitet të mirëfilltë biznesi”, sqarojnë rektorët.
Ndryshimet e pritshme
Neni 24/1
Furnizimi i shërbimeve arsimore nga institucionet publike dhe private është furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja.
Neni 26/1
Propozohet një riformulim i shkronjës “a” duke hequr fjalët “Periodikët dhe revistat”.Pra periodikët dhe revistat janë të përjashtuar nga TVSH-ja ndërsa shtypshkrimet dhe librat nuk përjashtohen nga kjo taksë.
Neni 55
Parashikohet një shtesë, e cila ka të bëjë me vendosjen e detyrimit për përfituesin vendas të shërbimit në rast te mungesës së një përfaqësuesi tatimor.