E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurs ndërkombëtar për tregimin e shkurtër

03/06/2009  Realiteti evropian vjen i përcjellë nga këndvështrimi i të rinjve. Jo nëpërmjet një tabloje “faktesh” apo dokumentesh, por i përkthyer në gjuhë letrare. “Një det me fjalë” është projekti për konkursin ndërkombëtar euromesdhetar në gjininë e tregimit të shkurtër, që vjen për të dytin vit radhazi nga Instituti Evropian i Mesdheut, anëtar i Rrjetit Spanjoll, dhe fondacioni “Anna Lindh”.

Nisma ka për qëllim të inkurajojë prodhimin e tregimit të shkurtër (short story), ku do të portretizohen realitete të ndryshme të rajonit euromesdhetar nëpërmjet të rinjve. Tema është rivendosja e besimit, dialogut dhe pajtimit në situatat e krizave dhe konflikteve. Më 2008-n, në edicionin e parë të konkursit, i cili nga organizatorët cilësohet një sukses, janë mbledhur gjithsej 211 tregime të shkurtra nga 37 vende, duke përfshirë katër vendet e Ballkanit. Afati zyrtar për dorëzimin e historive këtë vit është 20 qershori.

Seleksionimi i parë i punimeve do të bëhet nga një juri kombëtare. Pesë punimet më të mira të çdo vendi do të përkthehen në gjuhën angleze dhe do t’i dërgohen jurisë ndërkombëtare që fondacioni “Anna Lindt” do të krijojë për këtë qëllim, i përbërë nga pesë personalitete të rajonit euromesdhetar të fushës akademike, të medies apo të fushës së letrave. Në fund të muajit korrik juria do të përzgjedhë 30 punimet më të mira.

Më pas, në shtator, autorët e 30 punimeve më të mira do të ftohen të marrin pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e cila do të organizohet në Barcelonë. Punimet e tyre do të botohen në formatin e një antologjie.

Këta fitues, të shoqëruar nga të rinj spanjollë, do të marrin pjesë në një forum rinor me tematikë rivendosjen e besimit, dialogut dhe pajtimit në hapësirën euromesdhetare. Ata do të marrin pjesë edhe në aktivitete kulturore, që do të organizohen në qytetin e Barcelonës dhe në Toledo. Do të kenë mundësinë të vizitojnë atelietë kombëtare të krijuesve të qyteteve të tjera të hapësirën euromesdhetare gjatë periudhës vjeshtë–dimër 2009–2010.

Në rastin e Shqipërisë është Forumi Shqiptar për Aleancë të Qytetërimeve që ka marrë përsipër mbledhjen e materialeve dhe seleksionimin e tyre, si dhe përkthimin në anglisht të tregimeve të përzgjedhura. Autorët duhet të jenë deri në moshën 30 vjeç dhe mund të paraqesin një ose më shumë krijime, të cilat nuk mund të jenë më të gjata se 2500 fjalë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›