E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e vlerësimit për secilin test

03/06/2009  Mbyllet provimi i parë i Maturës Shtetërore 2009 për lëndën e gjuhë-letërsisë, brenda dy ditësh nis korrigjimi

Vlerësimi i testeve dhe notat për çdo kandidat do të publikohen pas 15 ditësh.

Zhvillohet provimi i parë i Maturës Shtetërore për pranimet në universitete për vitin akademik 2009–2010. Provimi mbi testimin e njohurive në gjuhë dhe letërsi është zhvilluar njëkohësisht në të gjitha shkollat e mesme të vendit, ku morën pjesë plot 38 499 maturantë. Ata kishin në dispozicion plot dy orë e gjysmë kohë për të dhënë alternativat e tyre për 25 pyetjet e testit dhe tashmë është përcaktuar dhe skema e vlerësimit për çdo pyetje. Nga 25 pyetjet që u janë dhënë në testim nxënësve, 13 prej tyre ishin me alternativa. Sipas skemës së vlerësimit, pyetjet e testit me alternativa do të kenë 13 pikë, ndërsa 12 pyetjet me zhvillim do të vlerësohen në total me 37 pikë. Vlerësimi i testeve do të bëhet në katër qendra të ngritura jo vetëm në kryeqytet, por edhe në rrethe. Shpërndarja e testeve drejt këtyre qendrave, ku dhe do të korrigjohen nga vlerësuesit e jashtëm, do të bëhet në mënyrë të rastësishme (pas grumbullimit të të gjitha fletëve në qendrën e Tiranës) dhe nën masa të rrepta sigurie për të mos lejuar zhvillimin e ndonjë abuzimi. Më poshtë do të publikojmë përgjigjet e sakta, ose siç njihet ndryshe skemën e vlerësimit për çdo përgjigje të testit. Dalja e rezultateve të korrigjimit do të publikohet 15 ditë pas zhvillimit të provimit. Ndërkohë pas këtij afati maturantët, nëse do të jenë të pakënaqur me vlerësimin e dhënë, do të kenë mundësi që të bëjnë dhe kontestimet përkatëse. “Nga raportimet e vazhdueshme për shtabin e ngritur në Ministrinë e Arsimit gjatë këtyre 24 orëve të shpërndarjes dhe kryerjes së provimit në 37 drejtori arsimore rajonale dhe zyra arsimore gjithçka eci normalisht”, - pohon zëvendësministri i Halit Shamata. Sipas të dhënave të raportuara dje, rezulton se në provim morën pjesë gjithsej 38 499 maturantë dhe u testuan për 7 lloje të ndryshme testesh të gjuhë–letërsisë. 2500 administratorë të provimit (AP) u përfshinë në këtë proces dhe mbikëqyrën maturantët në 282 mjediset e provimit të përzgjedhura nga drejtoritë arsimore rajonale. Gjithashtu gjatë ditës së djeshme u hodhën në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit (www.mash.gov.al ) përgjigjet e kërkesave (pyetjeve) të testit të gjuhë–letërsisë.”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›