E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: “100 shtete do të njohin pavarësinë e Kosovës”

Sipas kryeministrit, frika dhe kërcënimet për Kosovën kanë përfunduar në vitin 1999. Thaçi ka përjashtuar mundësinë që problemet e Serbisë të ndikojnë në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se me rastin e shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, që në ditët e para 100 shtete të ndryshme të botës janë të gatshme që ta njohin atë. “Tani mund të rikonfirmoj se kemi gati rreth 100 shtete të botës që janë të gatshme ta njohin pavarësinë menjëherë pas shpalljes dhe tani duhet t’i kushtojmë rëndësi njohjes ndërkombëtare për shtetin e Kosovës. Do të kemi njohjen e fuqishme, masive dhe të konsoliduar”, - ka theksuar Thaçi gjatë takimit me shefin e UNMIK-ut Joakim Ryker. Kryeministri i vendit tha se institucionet e Kosovës së bashku me UNMIK-un po ndërtojnë hapësirën dhe rendin demokratik dhe perspektivën multietnike të Kosovës për një perspektivë të sigurt të fillimit të implementimit të procesit shtetëror në Kosovë. “Ky takim kishte të bënte me informimin për suksesin e institucioneve të Kosovës edhe sa i përket nxjerrjes së kushtetutës e simboleve, prandaj këto takime do të vazhdojnë dhe do të jemi në koordinim të të gjitha aktiviteteve tona në interes të përbashkët në mënyrë që të përmbyllim këtë proces të rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj”, - u shpreh Thaçi. I pyetur për ndonjë kërcënim sa i përket shpalljes së pavarësisë, ai theksoi: "Frika dhe kërcënimet për popullin e Kosovës kanë përfunduar para dhjetë vitesh, pra në vitin 1999”. Tani, sipas tij, pritet vetëm vendimi i institucioneve për shpalljen e pavarësisë. Thaçi ka përjashtuar mundësinë që problemet e brendshme të Serbisë të ndikojnë në zhvillimet pozitive të shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker theksoi se me kryeministrin kanë biseduar për procesin e statusit dhe për planin veprues për partneritetin europian. Ryker tha se qeveria e Kosovës është duke u fokusuar në çdo gjë që është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Ndërsa lidhur me atë se çfarë po ndërmerr UNMIK-u kundër strukturave paralele të sigurisë në veri të Mitrovicës, Ryker shprehu përgatitjen për një ballafaqim të mundshëm në ditët dhe javët e ardhshme. “Kur themi ne, kjo ka të bëjë me institucionet e Kosovës, SHPK-në, Policinë e UNMIK-ut dhe përgjegjësit e tjerë, KFOR-in, të cilët janë të përgatitur dhe strukturat e tjera paralele të sigurisë nuk janë legale në Kosovë dhe në rast të evidentimit të strukturave paralele të sigurisë ne do t’i parandalojmë”, - tha Ryker. Ai bëri të ditur se strukturat paralele në arsim dhe shëndetësi do të legalizohen përmes kontekstit të planit të Ahtisarit, por kur bëhet fjalë për strukturat administrative, "UNMIK-është autoritet për këto struktura dhe do të shihet më nga afër se çfarë do të ndodhë me këto struktura të mundshme paralele”, - ka theksuar Ryker.

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›