E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhon Bolton: “Zgjidhja më e mirë për Kosovën, marrëveshja e negociuar”

Marrëveshja e negociuar mes Prishtinës dhe Beogradit do të ishte mënyra më e mirë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe do të siguronte stabilitetin në rajon. Kjo ka qenë deklarata e ish-ambasadorit amerikan në OKB, Xhon Bolton. Ai e ka konsideruar si të rrezikshme ndarjen e Kosovës nga Serbia nëse kjo nuk do të bëhet pa pajtimin e të dyja palëve dhe pasojat do të ndiheshin në të gjithë rajonin. I pyetur se ç’të reja mund të sillnin negociatat në këtë fazë pas negociatave të përfunduara pa rezultat, Bolton është shprehur se këto bisedime nuk kanë pasur rezultat sepse pala shqiptare ka qenë e sigurt se do të arrinte atë që dëshironte, pra pavarësinë e garantuar nga SHBA-të
dhe nga disa vende europiane që kanë dhënë mbështetjen e tyre. Megjithatë, edhe pse Kosova është drejt qëllimit final, kjo, sipas ish-ambasadorit amerikan, nuk është mënyra më e sigurt për sigurimin e stabilitetit. Bolton është shprehur se rasti i Kosovës nuk është rast unik dhe ai mund të përdoret si precedent nga vende të tjera. I pyetur nëse pavarësia e Kosovës do të shkaktonte një krizë në marrëdhëniet amerikano-ruse, Bolton ka sqaruar se deklaratat e fundit të presidentit Putin për sistemin e mbrojtjes nga raketat favorizojnë pozitën e këtij të fundit në Rusi dhe përpjekja për të shkëputur Kosovën nga Serbia pa pajtimin e Beogradit do t’i shërbente presidentit Putin për synimet politike që ka ai në vendin e tij. Kjo, sipas tij, do të ndërhynte në disa çështje të pazgjidhura mes SHBA-ve dhe Rusisë dhe ky rast nuk duhet të bëhet shkas për një krizë të mundshme mes këtyre dy vendeve. Bolton i ka quajtur institucionet kosovare jo shumë të forta për të përballuar problemet e një shteti aq të vogël. Ai ka akuzuar edhe praninë e OKB-së për rezultate jo të kënaqshme në këtë vend. Ish-ambasadori në OKB i pyetur për krizën në Serbi dhe shtyrjen e nënshkrimit të MSA-së është shprehur se kjo situatë nuk është favorizuese për forcat prodemokratike dhe do të kishte ndikim negativ në të gjithë rajonin. Bolton ka sqaruar se nuk është kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës nëse edhe serbët janë dakord me këtë gjë dhe kjo me të drejtë, sepse ata kanë pakicat e tyre në këtë vend ashtu siç kanë edhe kosovarët pakicat e tyre në Serbi.

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›