E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Apel politikës për reformën e pronës”

09/03/2012  Presidenti Topi pret ambasadorin e OSBE-së, Volfart

Presidenti Bamir Topi ka fajësuar politikën shqiptare, e cila gjatë këtyre 22 vjetve nuk ka zgjidhur përfundimisht çështjen e reformës së pronës. Pas takimit me kreun e prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Eugen Volfart, numri një i shtetit apeloi për dhënien drejtim të këtij problemi, që, siç e quaji ai, është kthyer në një gangrenë për shoqërinë shqiptare. “Pra, është një apel që ne e ndamë më zotin ambasador që politika e ka detyrim. Nuk mund të jetë luks i politikës që ta trajtojë çështjen e pronës si të dojë, duke dalë me akte administrative pafundësisht, saqë dhe specialisti më i mirë i çështjes së pronave e ka shumë të vështirë të orientohet kur një herë në muaj, një herë në dy muaj dalin akte administrative dhe shtojnë konfuzionet”, - tha Topi, duke deklaruar se kjo çështje duhet të ishte realizuar me kohë. Pavarësisht asaj që s’është bërë gjatë kësaj kohe të gjatë, Presidenti tha se është e rëndësishme që të reflektohet, që gjërat të rivendosen duke respektuar të drejtën e individit sipas përcaktimeve kushtetuese. “Prona lejon plotësisht që ne të futemi në mënyrë definitive dhe në të gjitha termat e plota të referencës në ekonominë e tregut, që prona, që është një aset i jashtëzakonshëm i çdo individi që e posedon, ta fusë atë në treg për t’i dhënë mundësi një zhvillimi më të shpejtë, për t’i dhënë mundësi që shteti të marrë dhe taksën e nevojshme dhe pastaj gjithçka të shkojë në mënyrë normale”, - deklaroi ai.

Ndërkohë ambasadori Volfart në deklarimet e tij u përqendrua te simbolika e ditës, 8 Marsit, duke i ftuar gratë shqiptare të jenë më kurajoze në ekonomi. “Gratë gjithashtu mund të jenë dhe sipërmarrëse shumë të mira dhe unë do t’i ftoja që të jenë edhe më kurajoze në ekonomi dhe më lejoni t’i drejtohem njërës prej këtyre reformave. E kam fjalën për reformën e pronave, në të cilën gratë duhet të kenë absolutisht të njëjtat të drejta që kanë edhe burrat”, - tha ai. Zhvillimet më të fundit në vend, reforma zgjedhore, domosdoshmëria e rritjes së numrit të grave në politikë e vendimmarrje, reforma gjyqësore, parlamentare si dhe integrimin evropian të Shqipërisë ishin të tjera çështje të diskutuara mes Topit dhe ambasadorit Volfart. “Ramë dakord me ambasadorin se është e pakuptueshme pse vonohet miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative kur të gjitha palët bien dakord. Është një gjë që duhet të realizohet sa më shpejt”, - kërkoi nga politika Presidenti i vendit. Kreu i shtetit e nisi fjalën e tij me urimin ndaj grave për 8 Marsin dhe e vijoi me mesazhin për përfshirjen e tyre në të gjitha nivelet e vendimmarrjes njësoj si burrat. Ai u deklarua kundër shifrave që kufizojnë qoftë dhe psikologjikisht pjesëmarrjen e grave. “Projektimi i pozicionit të grave duhet të merret në konsideratë qysh në shkollë, në universitet, për të ndjekur pastaj politika që zbatohen”, - tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›