E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkursi per monumentin e 100 vjetorit te Pavaresise

Ka përfunduar afati i konkurimeve për monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi dhe Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima në një konferencë për shtyp dhanë detajet e konkurimit dhe bocetet e paraqitura. Ministri Bumçi tha se ftesës së Ministrisë së Kulturës  dhe Galerisë së Arteve, i janë përgjigjur 61 artistë me rreth 80 bocete, ndër të cilët 26 artistë janë nga Shqipëria, 13 artistë nga diaspora, 8 nga Maqedonia dhe Kosova si dhe 14 artistë ndërkombëtarë.

Juria e konkursit është e përbërë nga emra të njohur ndërkombëtarë dhe vendas. Ajo fillon punën që nesër  dhe me datë 21 mars do të vlerësohen 5 bocetet më të mira, të cilat do t’i paraqiten Komisionit Shtetëror të Festimeve pranë Kryeministrit.

Ndërsa nga data 22 deri në 25 mars në GKA të gjitha bocetet pjesëmarrëse do të mund të vizitohen falas nga publiku.

Ministri Bumçi tha se MTKRS në bashkëpunim më GKA brenda këtij viti do të shpallë gjithashtu edhe konkurse publike për realizimin e 4 monumenteve të tjera të cilat janë: shtatore kushtuar Ismail Qemalit, mbretit Ahmet Zog,  Hasan Prishtinës si dhe monumenti kushtuar Kongresit të Lushnjes. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›