Konsensus kombetar per reforma madhore
Edhe pse politikëbërësit vazhdojnë të përpiqen për zgjidhjen e problemit të pronës private, ajo prapë mbetet shqetësimi kryesor për funksionimin e një ekonomie normale. Ngadalësimi i zgjidhjes së çështjes së pronësisë dhe parcelizimi i saj, ka bërë që sektori i bujqësisë ta ketë gati të pamundur përfitimin e ekonomisë së shkallës dhe mbështetjen e kreditimit bankar. Mangësia e financimit për mjetet motorike, magazinimi, infrastruktura dhe lidhja me tregjet ndërkombëtare ka bërë që kostoja reale e bujqësisë të jetë tepër e lartë.
Si rrjedhojë, bujqësia përbën 50% të punësimit të ekonomisë shqiptare që përbën një "ushtri" joeficente, e cila prodhon vetëm 1/5 e GDP-së totale (LSEE Research South Eastern Europe). Ky fakt tregon se kostoja reale e bujqësisë është tepër e lartë dhe është gati e pamundur që ky sektor të krijojë avantazh konkurrues me vendet e rajonit.
Sektori i dytë i "goditur" nga zgjidhja e çështjes së pronësisë është turizmi. Shumë kompani serioze në sektorin e turizmit si “Club Med” etj., janë të gatshme që të investojnë në resorte turistike (me një kapacitet prej 600-1000 dhoma), ku investimet mund të kapin shifrat prej miliona dollarësh, por hasin vështirësi të mëdha në gjetjen e pronës private. Shembulli i problematikës së turizmit vlonjat në Karaburun apo i pengesës së investitorëve të tjerë, tregon se e kemi tepër të vështirë që të tërheqim investitorë seriozë pa zgjidhur problemin e pronës.
Komplikimet e pronës private, të shoqëruara me ndërtimet ilegale dhe të krijuara që nga periudha komuniste, vazhdon të mbetet sfida kryesore e investitorëve të huaj dhe të brendshëm. I gjithë ky problem është shoqëruar me një kosto tepër të lartë financiare që mendohet të jetë mbi 2 miliardë dollarë, po aq sa ne kemi humbur nga skemat piramidale. Mungesa dhe kuptimi ligjor i pronës private ka krijuar lulëzimin e zonave informale dhe pjesërisht formale gjatë gjithë bregdetit shqiptar. Vështirësitë e luftës ndaj korrupsionit, si pasojë e varfërisë ekstreme e mbartur nga periudha komuniste, ka bërë që informaliteti individual të jetë i pranishëm në çdo fushë të jetës ekonomike, ku shoqërohet me këngën e famshme "Every body is looking for something…”. Pa dashur të hy në detajet e krizës sociale, dhe duke synuar që ky material të shikohet nga prizmi ekonomik, tregon qartë që problemet ekonomike janë të lidhura së tepërmi me problemet sociale, me infrastrukturën administrative dhe me forcimin e shtetit ligjor.
Duke pasur këtë synim, dua të sjell në kujtesë se me liberalizimin e vizave në dhjetor të vitit 2010 dhe anëtarësimin në NATO, Shqipëria përfundimisht e mbyll kapitullin e tranzicionit dhe fillon me rilindjen e Shqipërisë moderne. Por pikëpyetja më e madhe mbetet se cili do të jetë modeli ekonomik që ne do të ndjekim?
Përgjigjja: Konsensus kombëtar për reforma madhoreKonsensusi kombëtar nga ekonomistët e forcave politike është tepër domethënës për krijimin e një strategjie të qartë, e cila do të zbatohet nga vendimmarrësit në një plan afatgjatë. Rasti i reformimit të pensioneve, i cili vazhdon të krijojë probleme serioze në buxhetin e shtetit, si rrjedhojë e informalitetit, diferencës së madhe midis kontributeve dhe pensioneve, si dhe ndryshimeve demografike, kanë krijuar një kosto vjetore prej 150 milionë dollarësh për taksapaguesit shqiptarë.
Të ardhurat nga kontributet nuk janë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e rreth 670 mijë pensionistëve, pasi raporti kontribuues-përfitues mbetet në shifrat minimale 1.1 : 1. Për të pasur një skemë të qëndrueshme, raporti duhet të jetë minimalisht 4 kontribuues për 1 përfitues.
Shqipëria ka rreth 400 kontribuues dhe vetëm 540 mijë persona (Instituti i Sigurimeve Shoqërore). Raporti kontribuues-përfitues mbetet në nivelet më të ulëta në rajon, kjo për shkak dhe të informalitetit të lartë në tregun e punës.
Sipas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, deficiti i pensioneve ka një kosto prej rreth 2.5% të GDP-së, një shifër tepër e lartë po të marrim parasysh se Shqipëria ka një popullsi tepër të re. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2020 Shqipëria do të vuajë nga mosha e plakjes, ku pensionistët mendohet që të përbëjnë rreth 15% të popullsisë së përgjithshme nga 9.4% që zinte në vitin 2000.
Gjithashtu, përmbytjet dhe vërshimet e ujërave në Shqipëri po bëhen tepër shqetësuese. Ndryshimet klimaterike, ndërtimet ilegale dhe mungesa e investimeve karshi mjedisit ka krijuar një kosto tepër të lartë.
Vetëm gjatë periudhës 2008-2010, mendohet se kostoja totale është mbi 250 milionë dollarë (më tepër se sa autostrada Elbasan-Tiranë). Duhet të kemi parasysh se ndryshimet klimaterike parashikohen që të jenë edhe më negative, ndërsa informaliteti në ndërtim apo procesi i pyllëzimit kërkojnë 6-12 vjet për t’u zbatuar.
Kjo tregon qartë nevojën e reformave konsensuale midis vendimmarrësve politikë për ndryshimin e strukturës së pensioneve dhe mbrojtjen mjedisore që duhet të zgjasë për vite me radhë. Mbështetjet në strategjitë afatshkurtra që sigurojnë mandatet politike përbëjnë kosto për ekonominë shqiptare.
Përplasjet politike kanë krijuar një politikëbërje “virtuale” pa një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik në një plan afatgjatë. Gjithashtu, ato krijojnë pasiguri të madhe tek investitorët e huaj dhe të brendshëm. E ndodhur në këtë pasiguri të lartë ekonomike-politike dhe nga një kontroll i dobët, bankat financojnë kreditë e tyre me norma tepër të larta interesi (risk i lartë = interesa të larta). Sipas një kërkimi personal, më rezulton se kreditë bankare për SME-të për shuma mbi 200 000 euro kanë një normë interesi vjetor prej 9.5-12% për një periudhë 3 – 4-vjeçare. Këto janë shumë herë më të larta n.q.s. krahasohen me vendet e zhvilluara, ku kreditë për SME-të janë vetëm 2-5%.
Gjithashtu, acarimi politik dhe mungesa e zhvillimit afatgjatë ka bërë që çdo propozim shikohet diametrikisht ndryshe midis partive politike pa pasur baza dhe argumente ekonomike, por që mbështeten në vota dhe në interesa afatshkurtra. Pra, çdo iniciativë e ndërmarrë pa një vizion të qartë, do të krijojë më tepër probleme për shoqërinë dhe ekonominë tonë.
Mungesa e vizionit të përbashkët për pensionet, arsimin, shëndetësinë dhe ekonominë kanë krijuar një kosto të majme për vendin, e cila shpesh është shoqëruar me “eksperimente ministrore” nga forcat politike.
Nëpërmjet këshillave të partnerëve ndërkombëtarë dhe debateve akademike që përfundojnë me marrëveshje konsensuale ndërpartiake, mund të arrihen reforma të thella. E them këtë, pasi çdo reformë e mirëfilltë në ekonomi, arsim apo shëndetësi kërkon së paku 15 deri në 20 vite për t’u zbatuar në mënyrë të suksesshme, ku shoqërohen me një kosto financiare dhe kosto politike. Prandaj, mbështetja afatgjatë nga çdo ekzekutiv për reformat madhore në shoqëri është tepër domethënëse. Konsensusi Kombëtar (National Consensus) në Britaninë e Madhe pas Luftës së Dytë Botërore, tregon qartë se si mund të zbatohen këto praktika në mënyrë të suksesshme. Prandaj ka ardhur koha që akademikët dhe ekonomistët e partive të ndryshme të mendojnë seriozisht se ku do të bazohet ekonomia jonë në tregun global. Avantazhet konkurruese duhet të jenë bazat e modelit të ri ekonomik dhe duhet hequr dorë nga politikat afatshkurtra që sigurojnë mandate politike.