E Diel, 1 Nëntor 2026

BE-ja, asnjë ndikim nga situata politike, do t’i liberalizojmë vizat për Shqipërinë

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule

Komisioneri i Zgjerimit të BE, Stefan Fule deklaroi dje nga Sarajeva, pas përfundimit të konferencës së takimit me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, se Shqipëria në rrugën e duhur drejt liberalizimit të vizave dhe situata politike nuk lidhet me procesin e “Schengenit”. Megjithatë, Fule tha se shpreson që politika shqiptare të gjejë një zgjidhje para se vendimi për heqjen e vizave për shqiptarët të merret në konsideratë nga PE.
Ai deklaroi se situata politike nuk do të jetë pengesë për liberalizimin e vizave, por siç tha Fule, stabiliteti politik është i rëndësishëm.
“Për sa i përket Komisionit Evropian, ju e dini që udhërrëfyesi, lista e detyrave për vendet që kanë plotësuar kushtet dhe kanë shansin të lëvizin pa viza në hapësirën evropiane, është e qartë se ne nuk i kemi ndryshuar rregullat e lojës. Nuk kemi shtuar asnjë kriter politik dhe komisioni i ka bërë të qarta detyrat e tij se rekomandimet e mbetura po bëhen nga të dy vendet. Dhe nga pikëpamjet e Komisionit, janë që të dy vendet po plotësojnë kushtet dhe nuk ka asnjë pengesë për qytetarët e këtyre dy vendeve, për të shijuar liberalizimin e vizave. është në dorë të PE dhe Këshillit, për të vendosur”, u shpreh Komisioneri Fule.
Ai tha se shpreson që liderët politikë në Shqipëri të gjejnë një zgjidhje për ngërçin politik.
“Unë konfirmoj se Komisioni Evropian dha një rekomandim pozitiv. Situata politike i përket palëve në Shqipëri dhe janë ata që duhet t’i japin zgjidhje. Ne kemi dhënë aprovimin tonë për vizat”, theksoi Fule.
Komisioneri për zgjerim theksoi se nuk ka vend për frikë të zgjerimit të BE.
Sipas Fules, BE ka treguar kushtet nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka krijuar mbështetje për të ecur para drejt BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Në takim u fol edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Po ashtu edhe Turqinë sepse aplikimi i saj pret prej muajsh. Po ashtu edhe Bosnje-Hercegovina e Kosova mos të lihen mënjanë në këtë proces”, deklaroi ndër të tjera ai.
Komisioneri Fule flet edhe për Kosovën: “Kosova, pjesë e perspektivës europiane”/Ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni kryesuesi i delegacionit të Kosovës, gjatë takimit ministror Bashkimi Evropian Ballkani Perëndimor në Sarajevë theksoi strategjinë që ka Kosova për integrim në BE dhe në NATO, ndërsa e ka quajtur si të domosdoshme që procesi i liberalizimit të vizave të fillojë menjëherë edhe për Kosovën. Ministri Hyseni tha se “nuk ekziston asnjë mundësi që të ulemi në tryezë dhe të bisedojmë rreth statusit tonë me Serbinë”. “Pavarësia e Kosovës nuk mund dhe nuk do të jetë subjekt i debateve”, ka thënë Hyseni, duke shtuar se Kosova është e gatshme të bisedojë me Serbinë në lidhje me çështjet praktike, që janë të interesit të përbashkët.
Ai vuri në dukje se edhe këto bisedime mund të zhvillohen “vetëm si palë të barabarta, që do të thotë si dy shtete të pavarura dhe sovrane”.
Ndërkohë Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule, ka deklaroi se Kosova nuk do të lihet jashtë perspektivës evropiane. Zyrtari i lartë i Brukselit vlerësoi angazhimin e autoriteteve shtetërore të Kosovës në kuadër të plotësimit të reformave.
Në të njëjtën linjë është shprehur dhe ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner.
“Duam që ky takim i jashtëzakonshëm të jetë një shprehje e unitetit të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe gjithë Ballkanit. Përshëndesim pjesëmarrjen e Serbisë dhe Kosovës në samit dhe shprehim dëshirën që pjesëmarrja e këtyre dy vendeve në veprimet apo tubimet rajonale të bashkëpunimit, në të ardhmen të mos jetë më vështirësi”, ka thënë Kushner.
Konferenca, sipas tij, do të vërtetojë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duan të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe do t’i rikujtojë ato për angazhimet që i presin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›