E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsensusi i parë për kushtetutën - antireformatorët mbeten në pakicë

Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të hënën, me shumicë votash, amendimet kushtetuese për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe institucionin e KQZ-së, të propozuara nga PD dhe PS. Ndryshimet e propozuara konsistojnë në amendimin e neneve 64, 65 dhe 68 të Kushtetutës, si dhe në shfuqizimin e pjesës 12 të aktit themeltar të shtetit, që bën fjalë për KQZ-në.  Aktualisht, neni 64 i sanksionuar në Kushtetutë, thotë se “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. 100 deputetë zgjidhen drejtpërdrejt në zona njëemërore me numër të përafërt zgjedhësish, ndërsa 40 deputetë zgjidhen nga listat shumëemërore të partive dhe/ose koalicioneve të partive, sipas renditjes në to. Numri i përgjithshëm i deputetëve të çdo partie dhe/ose koalicioni partish, përcaktohet në raport sa më të afërt me votat e vlefshme të marra prej tyre në të gjithë vendin, në raundin e parë të zgjedhjeve”. Sipas ndryshimit të propozuar për nenin 64, “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional, me zona zgjedhore shumëemërore. Zona zgjedhore shumëemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial”. Aktualisht, neni 65 i Kushtetutës thotë: “zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij. Mandati i Kuvendit vazhdon deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Në këtë kohë Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje ose të marrë vendime, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme”. Sipas amendimit të nenit 65 të Kushtetutës, “Kuvendi zgjidhet për katër vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjes, dhe përfundon ditën e mbledhjes së parë të Kuvendit të ri. Zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt me të njëjtën datë, të të njëjtit muaj të vitit të katërt, me datën e mbledhjes së parë të Kuvendit. Në rast shpërndarjeje të Kuvendit, para përfundimit të mandatit të plotë zgjedhjet thirren jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij. Ligji zgjedhor përcakton periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin. Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij, deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme”, përfundon amendimi i nenit 65-të në Kushtetutë, i propozuar nga PD.  Formulimi aktual në Kushtetutë i nenit 68 thotë: "kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit.  Rregullat për caktimin e kandidatëve për deputetë, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, si dhe përcaktimi i zonave zgjedhore dhe kushtet e vlefshmërisë së zgjedhjeve rregullohen nga ligji për zgjedhjet". Ndryshimi i nenit 68-të, të propozuar nga PS, thotë se "kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm në një zonë zgjedhore dhe vetëm për një nga subjektet propozuese. Në rast se kandidatët paraqiten me lista shumëmërore, renditja e kandidatëve në këto lista nuk mund të ndryshohet  pas paraqitjes së listës në komisonin zgjedhor përkatës. Në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kriteret dhe rregullat e tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve të tyre". Në ndryshimet kushtetuese të miratuara sot në kuadrin e reformës zgjedhore, PD ka propozuar dhe shfuqizimin e pjesë së 12-të të Kushtetutës, që lidhet me funksionimin e KQZ-së. "KQZ funksionon me kompetenca të qarta të, përcaktuara në kodin zgjedhor", u shpreh gjatë diskutimit në komisionin e Ligjeve, kryetari Fatos Beja, duke mbrojtur shfuqizimin e pjesës së lidhet me funksionimin e Komisionit Qendror Zgjedhor.  
PD: Nuk do të ketë ndryshime në kompetencat e Presidentit/Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të hënën në parim disa ndryshime kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, mandatin e kryeprokurorit dhe mocionin ndaj kryeministrit. Ndryshimet e iniciuara nga PD parashikojnë ndryshim të neneve 87, 88, 104 dhe 105 të kushtetutës që lidhen me procedurat e zgjedhjes së Presidentit. Ndërkohë, PD kishte propozuar edhe një amendim në nenin 93 të kushtetutës, nga i cili u tërhoq gjate mbledhjes se sotme në komision. "Nisur nga konsultimet brenda grupit parlamentar të PD-së vendosëm të tërheqim propozimin për ndryshim të nenit 93 të kushtetutës, pasi sipas praktikës shqiptare, kjo është e panevojshme”, tha relatorja e draftit, deputetja demokrate Arenca Trashani.  Pas miratimit në parim të këtyre ndryshimeve komisioni ra dakord që në mbledhjen e ditës së nesërme relatorët përgjegjës për këtë projekt ligjor të shprehin mendimin e tyre për draftin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›