E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PD

Amendimet kushtetuese të propozuara nga Partia Demokratike parashikojnë prekjen e kushtetutës në disa nene të veçanta të saj që lidhen me procedurat e zgjedhjes së Presidentit, të mandatit të kryeprokurorit dhe të mocionit ndaj Kryeministrit.
Këto ndryshime shtesë, që pritet të shqyrtohen nen për nen të martën në komisionin e Ligjeve, ndër të tjera parashikojnë ndryshimin e nenit 87 të Kushtetutës që flet për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.   
Sipas këtij ndryshimi: 
1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak 20 deputetësh.
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Zgjedhja e Presidentit zhvillohet në dy raunde. Në raundin e parë zhvillohen deri në tre votime, ndërsa në raundin e dytë zhvillohen deri në dy votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e tij. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i raundit paraprirës.
3. Presidenti zgjidhet në raundin e parë kur në një nga tre votimet e tij, njeri nga kandidatët merr jo më pak se 3/5 të votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e dytë dhe të tretë mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.
4. Kur asnjë nga kandidatët që u votuan në votimin e tretë nuk siguron shumicën e kërkuar, zhvillohet një votim i katërt. Për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se një kandidat, votimi zhvillohet mes dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues. Në votimin e katërt President zgjidhet kandidati që merr jo më pak se 3/5 të votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
5. Në rast se edhe pas votimit të katërt nuk është siguruar shumica e kërkuar për një kandidat zhvillohet një votim i pestë. Në këtë votim president zgjidhet kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.      
6. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja.
7. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij", përfundon amendimi i nenit 87 të propozuar nga PD.          
 Aktualisht neni 87 i Kushtetutës është i formuluar si më poshtë vijon: 1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të marrë pjesë në më shumë se një grup propozues. 2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi me një shumicë prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të tij. 3. Kur në votimin e parë nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve nga kryerja e votimit të parë bëhet një votim i dytë. 4. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve bëhet një votim i tretë.  5. Kur ka më shumë se dy kandidatë dhe asnjëri prej tyre nuk ka marrë shumicën e kërkuar, brenda 7 ditëve bëhet një votim i katërt ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave. 6. Në rast se edhe në votimin e katërt asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e kërkuar, bëhet një votim i pestë. 7. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e kërkuar, Kuvendi shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhjet e reja të përgjithshme. 8. Kuvendi i ri zgjedh Presidentin sipas procedurës së parashikuar nga paragrafët 1 deri në 7 të këtij neni. Në rast se edhe Kuvendi i ri nuk e zgjedh Presidentin, ai shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhje të reja të përgjithshme. 9. Kuvendi pasardhës zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij. Amendimi i nenit 88 të kushtetutës, që sërish lidhet me institucionin e Presidentit, parashikon ndryshim në pikën 2 të tij: 2. Mandati përfundon në të njëjtën datë, të të njëjtit muaj, të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. 3. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 35 ditë para mbarimit të mandatit presidencial parardhës. Kur, pas përfundimit të mandatit parardhës, Kuvendi nuk ka zgjedhur Presidentin, funksionet e tij ushtrohen sipas pikës 1 të nenit 91. Aktualisht, pika 2 dhe 3 e nenit 88 është e formuluar kështu në Kushtetutë:  2. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 30 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. 
Në pjesën e pestë të Kushtetutës që flitet për funksionimin e Këshillit të Ministrave, PD propozon ndryshime në nenin 104 dhe 105 që lidhen me mocionet ndaj kryeministrit. Sipas amendimit të nenit 104: 1. Kryeministri ka të drejtë t'i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, kryeministri brenda 48 orësh nga votimi i mocionit i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit. 2. Presidenti shpërndan parlamentin brenda dhjetë ditësh nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit sipas nenit 105. 3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tre ditë nga paraqitja e tij. Aktualisht, neni 104 i Kushtetutës thotë: 1. Në rast se mocioni i besimit i paraqitur nga Kryeministri refuzohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri. 2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan  Kuvendin. 3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tre ditë nga paraqitja e tij. Propozimi tjetër i PD-së për ndryshim të nenit 105 të kushtetutës parashikon: 1. 1/5 e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit në detyrë, duke propozuar një kryeministër të ri. 2. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një kryeministër të ri. 3. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e kryeministrit në detyrë dhe emërimin e kryeministrit të zgjedhur, jo më vonë se dhjetë ditë nga votimi i mocionit në Kuvend. Aktualisht, formulimi i nenit 105 paraqitet kështu: 1. Në rast se mocioni i mosbesimit i paraqitur nga një e pesta e deputëteve miratohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri. 2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin. 3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë nga paraqitja e tij. Një tjetër ndryshim kushtetues i iniciuar nga PD lidhet me amendimin e tre nga katër pikat e nenit 149 të kushtetutës, që bën fjalë për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm. 1.Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat prej pesë vjetësh, me të drejtë riemërimi. 2. Prokuroi i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kuvendit për shkelje të kushtetutës, për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij ose për mosushtrim të këtyre funksioneve, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje, që diskretitojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit. 4. Prokurori i Përgjithshëm raporton më mënyrë periodike në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit. Neni 149 paraqitet kështu në Kushtetutë: 1.Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. 2. Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskretitojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit. 4. Prokurori i Përgjithshëm informon herë pas here Kuvendin për gjendjen e kriminalitetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›