E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsensusi, sot prova e parë në Komisionin e Ekonomisë

Rikthimi i opozitës në Kuvend ka ngjallur shpresat jo vetëm tek partnerët ndërkombëtarë, por edhe tek opinioni publik se tashmë me kursin e ri politik, që kanë anunçuar socialistët do të bëhet e mundur kapërcimi i vështirësive që janë hasur në votimin e ligjeve, që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, siç janë edhe Kodet e ndryshme. Sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, në Kuvendin e Shqipërisë do të jetë dhe prova e parë, pasi në rendin e ditës është përfshirë për tu diskutuar dhe miratuar projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8449, datë 27.1.1999 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Anëtarë të këtij komisioni, përfaqësues të Partisë Socialiste, të kontaktuar dje nuk kanë dashur të shprehin apriori votën, që do të japin sot në komision për këtë çështje, duke bërë të ditur se ajo do të jetë në varësi të gatishmërisë së mazhorancës për të pranuar sugjerimet e tyre. Kështu, mësohet se para se të shkojnë në komision, rreth orës nëntë, deputetët socialistë, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë do të mblidhen në ambientet e grupit parlamentar për të diskuar dhe rakorduar qëndrimet që do të mbajnë. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se gjatë mbledhjes së nesërme, ata do kërkojnë të njihen me përmbajtjen e projektligjit dhe më pas do të kërkojnë kohë për të paraqitur edhe propozimet e tyre, lidhur me këtë nismë. Dhe, në varësi të qëndrimit që do të mbajë mazhoranca për këto propozime, do të përcaktohet edhe vota e tyre. Kjo duket se do të jetë praktika, që do të vendosin socialistët për të gjitha çështjet e nxehta, që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash, ku përveç kodeve, bënë pjesë dhe projektligji “Për gjykatën administrative”, si dhe një sërë nismash të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›