E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi kandidat, PD e PS fajësojnë njëra-tjetrën

Meksi: Ne nuk mund t ia hedhim BE-së duke bërë përgjegjëse opozitën. Beja:

Pas deklaratës për kurs të ri, ne pamë një kurs të vjetër, absolutisht nuk kemi parë asnjë angazhim të ri për të bërë diçka në drejtim të integrimit bashkarisht

Kur mbetet ende dhe një muaj nga publikimi i progres-raportit të vlerësimit të Komisionit Europian dhe dhënia e përgjigjes lidhur me statusin e vendit kandidat të Shqipërisë, dy kampet politike në vend, duket se kanë humbur shpresat për një vendim pozitiv, ndaj dhe kanë nisur të adresojnë që tani përgjegjësitë për këtë gjë, pasi disa ditë më pare, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu do të deklaronte se bojkoti parlamentar i opozitës dhe sjellja e saj e vazhdueshme, mund të jenë determinuese për opionin dhe vendimin, që do të marrë BE lidhur me Shqipërinë. Ish-ministrja socialiste, Ermelinda Meksi kundërpërgjigjet se përgjegjësia për një vendim negativ do të binte mbi qeverinë.

Meksi

Socialistët distancohet nga përgjegjësia që mund të bjerë mbi politikën shitake, në rast se as në tetor vendi ynë nuk do të fitonte të drejtën për të marrë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Është kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Ermelinda Meksi, ajo, që në një intervistë për median vizive ka bërë të ditur se përgjegjësia për një vendimarrje jopozitive nuk mund të binte mbi opozitën. Megjithëse, ajo nuk lë fare pa përgjegjësi edhe opozitën, vlerëson se pesha kryesore për një vendim të tillë bie mbi mazhorancën, e cila sipas saj, është ajo, që ka në dorë ekzekutivin dhe të drejtën e vendimarrjes. “Personalisht, deklarata që u bë nga një përfaqësues i qeverisë lidhur me adresimin e përgjegjësisë së mosarritjeve është një zë shqetësues për mua personalisht dhe për të gjithë opionionin shqiptar, sepse mua m’u krijua ndjesia që është një para-përgatitje e opinionit, që nuk do të merret ky status, por ne duhet të vëmë gishtin se kush është fajtori. Me këtë rast, desha të theksoj se kam qenë Ministre e Integrimit dhe kurrë nuk e kemi vënë gishtin tek përgjegjësitë e opozitës, por përgjegjesitë janë të qeverisë. Sigurisht edhe opozita ka pjesën e vet të detyrave, të cilat gjenden të reflektuara në këto angazhime, që unë po them. Dhe unë shpresoj, që më shumë se sa të fillojmë të vemë gishtin tek fajtorët, kërkohet të bëhet prezent sa më shpejt një qasje e re e politikës shitake, në lidhje me cështjet e integrimit”, - u shpreh Meksi. Megjithatë ajo duke dashur të mos paragjykojë vendimarrjen e BE-s, shprehet se do të dëshironte shumë për një qëndrim pozitiv, por duke theksuar se kjo nuk mund të jetë dhuratë, por vlerësim për arritjet dhe mosarritjet e Shqipërisë në drejtim të detyrave, që i janë vënë në kuadër të këtij procesi.

Beja

Ndërkohë që nga ana tjetër, demokratët vënë gishtin për këtë situate pikërisht mbi opozitën, e cila megjithë deklarat për një kurs të ri, nuk ka bërë të ditur nëse do të votojë apo jo ligjet, që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. “Pas deklaratës për kurs të ri, ne pamë një kurs të vjetër, absolutisht nuk kemi parë asnjë angazhim të ri për të bërë diçka në drejtim të integrimit bashkarisht. Nuk besoj se ka arsye që ne të përtyemi dhe të shtyjmë një gjë, që është shumë e qartë”, - tha kryetari demokrat i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja. Por për socialistët, kurs i ri nuk do të thotë që opozita të miratojë nisma ligjore me sy mbyllur. “Unë, me eksperiencën e gjatë që kam në këto çështje, kam mësuar, ndoshta edhe më mirë se të tjerët, që ne nuk mund t’ia hedhim BE-s dhe nuk duhet të na shkojë në mendje që procesi integrimit është thjesht një proces semplist aprovimi ligjesh ku opozita ngre dorën me sy mbyllur. Jo nuk është kjo, nuk kërkon këtë BE-ja, s’është kjo arsyeja që ligjet bëhen më asistencë europiane dhe nuk zbatohen”,- u shpreh Meksi, e cila gjithashtu thekson se për këtë gjë janë të nevojshme një sërë reformash, duke filluar nga ajo parlamentare, financiare etje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›