E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore futet në axhendën e Kuvendit

SHKRUAN: Fejzi Braushi 12-09-2011 11:35

Reforma Zgjedhore futet në axhendën parlamentare. Ndonëse opozita ka bërë të qartë se realizimi i saj duhet bërë pasi të dëgjohet opinioni i Komisionit të Venecias, për një sërë paqartësish të hasura në procesin e deritanishëm zgjedhore, Kuvendi i Shqipërisë e ka përfshirë këtë çështje në programin e punimeve të tij, për periudhën 5 shtator deri më 14 tetor. Gjatë kësaj periudhe, në programin e miratuar me konsensus në Konferencën e Kryetarëve, parashikohet ngritja e komisioni të posaçcëm parlamentar, me drejtim bipartizan.

Programi

Në datën 2 shtator, Konferenca e Kryetarëve, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e opozitës, përveç kalendarit tre-javor, miratoi dhe programin e punës për periudhën deri në mesin e muajit Tetor. Në të vërtetë, programi nga kalendari nuk ndryshojnë shumë, veçse në pikën që ka të bëjë me reformën zgjedhore. Kështu, ndërsa në kalendar, përveç disa projektligjeve, që kanë qenë dhe më parë në rendin e ditës së komisioneve të përhedhme, janë përfshirë edhe të gjitha nismat ligjore, që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash të depozituara në Kuvend prej më shumë se një viti. Në programin e punës për periudhën 5 shtator-14 tetor është përcaktuar edhe një pikë e veçantë që ka të bëjë me reformën zgjedhore. Bëhet fjalë për pikën e 22 të këtij programi, ku është parashikuar, që brenda mesit të tetorit të ngrihet komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Siç edhe sqarohet në shënimin përkatës, shqyrtimi dhe votimi në seancë plenare do të bëhet menjëherë sapo të përcaktohen detyrat, numri, dhe përbërja e komisionit. Siç edhe është bërë praktikë, tashmë një komision i tillë duhet të drejtohet në mënyrë bipartizane nga një përfaqësues i mazhorancës dhe i opozitës, ndërsa raportet e përfaqësimit në të duhet të pasqyrojnë përbërjen e forcave politike në Kuvend. Megjithatë, një hap i tillë nga ana e Konferencës së Kryetarëve, nuk do të thotë domosdoshmërisht dhe zbatimi i kësaj pike të programit. Kjo, pasi opozita ka theksuar se për realizimin e kësaj reforme do duhet më shumë kohë, pasi të jetë marrë dhe mendimi i organizmave të specializuara ndërkombëtare, siç është rasti i Komisionit të Venecias. Pavarësisht këtij fakti, që përfaqësuesit e opozitës në konferencën e kryetarëve kanë dhënë pëlqimin për miratimin edhe të programit me konsensus, nuk përjashton mundësinë, që të majtët të bien dakort fillimisht për ngritjen e komisionit, pavarësisht se për realizimin e reformës mund të duhet më shumë kohë.

Reforma

Bazë e punës së këtij komisioni do të jenë padyshim rekomandimet që përmban raporti i vlerësimit të zgjedhjeve vendore nga ODIHR, i publikuar mesin e muajit të shkuar. Bëhet fjalë për rreth 27 çështje të evidentuara nga ky organizëm si problematike, të hasura në zgjedhjet e shkuara vendore, ku më kryesore duket se do të jetë natyrisht çështja e administrimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet. ODIHR rekomandonte për zgjidhje pikërisht mënyrën e kompozimit dhe funksionimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, si një organ, që në zgjedhjet e fundit pasqyrojë shumë mangësi në drejtim të vendimarrjes politike. Natyrisht, përveç tyre, socialistët kanë adresuar dhe një sërë çështjesh të tjera, që kanë të bëjnë kryesisht me problemin e shfaqur për vlerësimin e votave të gjetura në kutitë e gabuara, për të cilën ka kërkuar, nëpërmjet Këshillit të Europës, një interpretim nga Komisioni i Venecias. Por jo vetëm kjo, socialistët po shqyrtojnë përfshirjen në këtë reformë edhe të sistemit zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›