Konservatorët para laburistëve në Britani
Konservatorët në Britani kryesojnë sërish anketat e opinionit publik, edhe përkundër faktit se një numër më i madh i njerëzve theksuan se drekën e Kërshëndellave më me dëshirë do ta kalonin me kryeministrin, Gordon Brown, se sa me udhëheqësin e konservatorëve, David Cameronin.
Sipas anketës, të publikuar nga gazeta The Observer, konservatorët kanë shtuar për gjashtë pikë epërsinë ndaj laburistëve të Brownit dhe tani kanë një epërsi prej 17 pikëve.
Anketa gjithashtu zbuloi se në mesin e 11 kandidatëve të përfshirë në listë, një numër më i madh i njerëzve do të dëshironin që drekën e Kërshëndellave ta kalonin me Brownin, se sa me Cameronin.
Zbulimet më të reja u bënë në momentin kur disa anketa dëshmuan se laburistët kanë filluar ta shkurtojnë epërsinë e konservatorëve, duke nxitur kështu spekulime për zgjedhje të parakohshme.
Mandati i parlamentit aktual të Britanisë skadon më 10 maj, edhe përkundër faktit se kryeministri mund të kërkojë në çdo moment gjatë mandatit të tij pesëvjeçar nga mbretëresha që të shpërbëj parlamentin.
Sipas anketës të publikuar në Observer, 43 për qind e të anketuarve mbështetën konservatorët, 26 për qind laburistët, ndërsa 20 për qind mbështetën Liberalët Demokratë.