Konservues e konservatorë
Muzetë bartin kujtime dhe tregojnë histori. Ato kanë në koleksionet e tyre objekte të shumta që janë thelbësore për kujtesën e komuniteteve. Këto objekte janë shprehje e trashëgimisë sonë kulturore e natyrore. Shumë prej tyre janë delikate, disa të tjera edhe në rrezik dhe të gjitha kanë nevojë për kujdes të veçantë dhe konservim të vazhdueshëm. Është mesazh i 2011-ës nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM), pranë UNESCO-s, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeut. Në letra, Shqipëria është anëtare e këtij organizmi. Faktikisht muzetë publikë shqiptarë, veçanërisht ata kombëtarë, nuk plotësojnë standardet përcaktuar në kodet etike dhe guidat profesionale që kanë hartuar organizma si ICOM-i.
Në analizën e janarit Ministrisë së Kulturës, ministri Aldo Bumçi e preku reformimin e muzeve si një premtim ndaj historisë dhe kujtesës kombëtare. Në strategjitë që ministrat e djathtë të kulturës kanë përtypur në vite, nënvizohet reformimi i Muzeut Historik Kombëtar apo Institutit të Monumenteve të Kulturës, sepse problemi me to qëndron te paaftësia për të realizuar një menaxhim modern. Kjo për raportin e muzeve me publikun. Por për raportin e muzeut me vetveten, me objektet muzeale, ekziston po ajo paaftësi në origjinë.
Konservimi i koleksioneve muzeale kërkon qëndrueshmëri në e klimatizimit, monitorim të vazhdueshëm të gjendjes. Kujdesi i vërtetë duket në politikat e muzeut, në preventivat për konservim. Është në përgjegjësinë e drejtuesve të muzeut të krijojnë një mjedis të mirëmbajtur dhe të mbrojtur për objektet jo vetëm në vendet e ekspozimit, po edhe gjatë zhvendosjes së tyre nga një mjedis në tjetrin për qëllime ekspozimi, apo në fondet që në rastin tonë është e saktë ti quash pika grumbullimi apo magazina.
Drejtuesit e Muzeut Historik Kombëtar, institucioni më i madh muzeor shqiptar e kanë hequr fare nga lista e organikës postin e restauratorit-konservues.
Tridhjetë vjet pa vënë dorë
Entela Kasemi punoi restauratore për gati katër vjet në Muzeun Historik Kombëtar. Ajo specializohej ndërkohë në Shkollën Shqiptare të Restaurimit, qysh kur u hap më 2009 pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës. Këtu ka një laborator të restaurimit, investim i UNESCO-s që e ka mbështetur me disa qindra mijë euro edhe funksionimin e laboratorit ku specializohen të rinj nga profesorë italianë për teknikat e restaurimit të pikturës mesjetare, objekteve të gurit, bronzit, metalit, qelqit etj.. Entela, e diplomuar në vitet nëntëdhjetë në Institutin e Lartë të Arteve, ushtron njëherësh pikturën e grafikën.
Pa patur ndonjëherë kontratë me institucionin, gruaja e re pa se si me ndërrimin e drejtuesve, edhe për këtë arsye vendi i saj i punës në Muzeun Historik Kombëtar bëhej krejt i pasigurt. Vendi i punës së restauratorit parashikohej në organikën e Muzeut, krahas vendit të një punëtori të mirëmbajtjes me arsim të mesëm, që mbahet aktualisht nga vëzhguese e cila me një pupël fazani iu hequr pluhurin objekteve ose iu heq leckën atyre që janë jashtë eksponateve të xhamit. Ndërsa restauratorit-konservues i lind për të detyrë të bëjë monitorimin dhe dokumentimin e jetës së objekteve. Me këtë jam marrë, thotë Entela. Vizitorët shohin nga jashtë mirë e bukur objekte si Dean e Butrintit, Bukuroshen e Durrësit, Artemisën figurina të lashtësisë, por ato që kam parë unë janë objekte të trashëgimisë ku për 30 vjet, qyshse është hapur muzeu, nuk është vënë dorë, sepse mentaliteti i atyre që kujdesen për trashëgiminë është që, sa më i vjetër të duket një objekt, aq më mirë, e aq më shumë vlerë merr.
Entela është e vetëdijshme se nuk mund të pretendohet restaurimi i objekteve të MHK në mjediset e vetë muzeut. Edhe ligjet ekzistuese Për Muzetë dhe Për Trashëgiminë Kulturore parashikojnë kryerjen e restaurimit nga institucione shtetërore të specializuara dhe nga personat fizikë ose juridikë të liçensuar për këtë qëllim.
Por restaurimi, siç e shpjegon edhe specialisti i vjetër Frederik Stamati i pyetur për këtë rast, është një aspekt i ruajtjes dhe konservimit të trashëgimisë. Nëse restaurimi është mjekimi në gjendje të sëmurë të objektit, konservimi është kujdesi i përditshëm. Kam kërkuar një kënd pune për restaurimin, shton Entela, një raft për ato pak lëndë materiale, solucione që i siguroja privatisht, sepse as kaq gjë nuk llogarit Muzeu për mbrojtjen e objekteve. Qershia mbi këtë masë të pluhurosur kujtese, është sipas restauratores, fondi prej 800 ikona të shek. XVII-XIX, që prej 7 vitesh, dergjen në kushte klimatike jo të kondicionuara të muzeut. Pa llogaritur Pavijonin e Ikonografisë, i ngritur në vitin 1999 ku ekspozohen veprat më të mira të piktorëve të shek. XIII dhe XIX, si Onufër Qiprioti, Joan Çetiri, Kostandin Jermonaku, Joan Athanasi, Kostandin Shpataraku, Mihal Anagnosti, disa autorë anonimë. Në vitin 2009 gjendja e fondit të 800 ikonave u bë problem, nisi restaurimi, u përfunduan dy ikona dhe me kaq u mbyll. Ikonat nuk janë prekur më me dorë, thotë Entela Kasemi. Në atë muze ka punë për konservim e restaurim edhe për nipërit e mi.
Në nëntor 2011, Entela Kasemi u shkarkua nga kjo detyrë për thyerje disipline. Informoi Ministrinë e Kulturës, – MHK është në varësi të MTKRS dhe deri në janar priti një përgjigje që nuk i erdhi kurrë. Nuk është hequr një njeri nga puna, por është fshirë vendi i restauratorit profesionist nga ekipi i Muzeut Kombëtar. Një restaurator i përgatitur në shkollën shtetërore të restaurimit, dhe i flakur në rrugë nga shteti.
Në vend të saj është punësuar dikush tjetër që i nevojitet më shumë drejtorisë, një specialist për shtypin. Në kushtet e një ekipi me dietë, MHK bën këmbime të këtij lloji.
Specialistë të trashëgimisë në MTKRS thonë se për çështje të organikës së Muzeut duhet të pyesim zotin drejtor, Luan Malltezi. Nëse doni mendimin tonë, parimisht, një muze kombëtar duhet të ketë jo një, por së paku tre restauratorë profesionistë.
Në të vërtetë, në bazë të ligjit Për Muzetë struktura dhe organika e muzeve kombëtarë propozohen nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe miratohen me urdhër të Kryeministrit. Këtu rrethi mbyllet.
Nuk duan sepse nuk dinë
Frederik Stamati ka drejtuar për një kohë të gjatë Laboratorin e Restaurimit dhe Arkeometrisë që u mbyll vjet për shkak të reformës së qeverisë Berisha në fushën e Arsimit e Shkencës. Frederiku doli një kohë i papunë e tani është i angazhuar përkohësisht me ngritjen e Pavijonit të Etnografisë pranë Muzeut Historik Kombëtar.
Shumë herë ai ka ngritur shqetësimin që autoritetet e albanologjisë dhe të etnokulturës nuk e llogarisin përgatitjen e specialistëve të rinj në nivelin e shkencëtarëve të konservimit, për ti dhënë fund diletantizmit. Krahas këtij shqetësimi ai ka shtruar pyetjen: drejtor teknik apo politik? Fjala është për drejtorët e muzeve të cilët do duhej të kishin në dorë politikën e institucionit, por del se ata janë thjesht vegla të politikës që diku shtyjnë kohën sa të vijë mosha e pensionit, e diku edhe kur e kanë kaluar këtë moshë, duhen për tifozllëk të fushatave të qeverisë.
Stamati na zbulon një të re. Së fundi ai ka kaluar në dorë projektligjin Për Trashëgiminë ku ekspertët e Ministrisë së Kulturës, parashikojnë gjithçka, gjobat, formatin e çmimin e biletës për muze e parqe, veç fjalën konservues-restaurator nuk e përdorin gjëkundi. Ky projektligj i mbron muzetë nga vjedhja, por nuk i mbron nga vjedhjet që iu bën koha objekteve muzeale apo nga ndërhyrjet e gabuara të personelit jo profesionist, thotë Stamati. Kjo frikë nga vjedhja e kohës nuk ekziston tek ne. Prandaj them se projektligji i ri lejon të gji
