E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, debati transferohet edhe në Komisionin e Ekonomisë

E. Senja

Projekti për krijimin e një regjistri elektronik të pronave në Shqipëri është bërë shkak për debate dhe akuza të ndërsjellta midis deputetëve të majtë dhe atyre të djathtë, dje në Komisionin e Ekonomisë. Projekti financohet me fondet e donatorëve. Gjatë shqyrtimit të propozimit të qeverisë, deputeti Arben Malaj kërkoi që të ndërmerrej një hetim i plotë mbi projektet që financohet nga donatorët e huaj duke akuzuar të djathtët për abuzime me këto para. Komisioni duhet ti drejtohet me një kërkesë Kontrollit të Lartë të Shtetit që të hetojë të gjitha donacionet për këtë ligj dhe projektet që ka paguar Banka Botërore e që paguan ende Bashkimi Europian. Duhet të bëhet analiza përse nuk kanë dhënë efikasitet masat, – tha Malaj.

Deputetit të majtë iu përgjigj aty për aty Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Edmond Spaho, i cili tha se akuzat e Malajt ishin të pabazuara dhe insinuata dhe se bashkëpunimi me donatorët ka qenë shumë i mirë deri më tani. Mendojmë se ndihma që kanë dhënë donatorët ka qenë efektive, bujare dhe madje duhet thënë që duhet ti jemi mirënjohës për këtë. Paratë janë përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme, – tha Spaho. Më pas në diskutim u përfshi edhe deputeti Flamur Noka, i cili është gjithashtu edhe Sekretar Organizativ i PD-së. Sipas tij, gjatë periudhës së qeverisjes së PS-së ka pasur mijëra tituj pronësie falso. Malaj nga ana tjetër iu përgjigj Nokës se problemet me pronat përmenden në të gjitha indekset për Shqipërinë duke u renditur me pikët më të ulta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›