E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrenjtimi i ushqimeve, Konkurrenca: Nuk gjetëm shkelje në treg

E. Senja 

Rritja e beftë e çmimeve të ushqimeve gjatë vjeshtës së vitit 2010, e cila vijoi edhe në muajt e fillimit të vitit të shkuar bëri që në atë periudhë, Autoriteti i Konkurrencës të hapë një hetim mbi ecurinë e këtij tregu. hetimi do të merrte në shqyrtim tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të produkteve të konsumit të gjerë, siç janë orizi, sheqeri, si edhe vaji vegjetal. Ishin pikërisht këto ushqime që pësuan edhe rritjen kryesore gjatë asaj periudhë duke mos përjashtuar edhe miellin. Qytetarët u detyruan që të shpenzojnë më shumë para nga xhepat e tyre krahasuar me muajt e mëparshëm për të blerë të njëjtën sasi orizi apo sheqeri.

Hetimi do të shqyrtonte marrëdhëniet e kompanive importuese me njëra-tjetrën dhe faktin nëse ekzistonte ndonjë marrëveshje e fshehtë midis tyre, gjë e cila çonte në shtrenjtimin e produkteve. Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës deklaron në raportin vjetor të tij, të dorëzuar sëfundmi në Kuvend se nuk ka hasur në shenja të kufizimit të konkurrencës apo të marrëveshjeve midis kompanive në këtë treg si edhe sjellje të ngjashme në treg, të cilat do të ndikonin në shtrenjtim. Në përfundim, Autoriteti i Konkurrencës vendosi të mbyllë hetimin. Komisioni i Konkurrencës vendosi mbylljen e hetimeve paraprake në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të produktit oriz, sheqer, dhe në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të vajit vegjetal, si edhe vazhdimin e monitorimit të këtyre tregjeve, – shpjegohet në raport.

Krahas hetimit të zhvilluar në tregun e këtyre ushqimeve, Autoriteti i Konkurrencës ka monitoruar edhe importin edhe prodhimin e miellit dhe grurit, në të cilit po ashtu deklaron se nuk ka hasur në praktika të kufizimit të konkurrencës dhe rritjes abuzive të çmimeve.

Të gjithë konsumatorët u përballen me një rritje të menjëhershme të çmimeve të sheqerit dhe orizit gjatë kësaj periudhe me mesatarisht 30 deri 40 lekë për kilogram, kurse çmimi i vajit kërceu në mbi 30 lekë për litër. Rritja e filluar në vjeshtën e vitit 2010 vijoi edhe në fillim të vitit 2011 duke arritur kulmin në muajin shkurt gjatë të cilit inflacioni arriti në 4.5 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›