E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsolidimi gradual i Evropës*

Një vit më parë, pak njerëz do të vinin bast se Bashkimi Evropian, që gjithsesi ende nuk e ka marrë veten nga trauma e mosmiratimit të Traktatit Kushtetues në vitin 2005, do të ishte gati të ratifikonte një traktat të ri, Traktatin e Reformës, miratuar në Lisbonë në dhjetorin e kaluar. Për disa njerëz, fakti se Britania e Madhe mund ta ratifikojë edhe më herët se vendet tradicionalisht “pro-evropiane”, si Italia, vetëm sa nënvizon mungesën në traktat të nismave të reja të guximshme, që synojnë përshpejtimin e unifikimit evropian. Por ata gabojnë.

Duhet vënë në dukje se pakënaqësia dhe padurimi, ishin një forcë lëvizëse e integrimit evropian qysh në vitet e para. Por, sikurse ka shkruar në Deklaratën e tij, në vitin 1950, Robert Shumani (Schuman), Evropa nuk mund të ndërtohej në një ditë. Po ashtu, Altero Spineli (Spinelli) - një nga etërit themelues të BE-së - shkruante në fund të jetës së tij se pa evropianë vizionarë nuk do të kishte Evropë, por pa burra shteti pragmatistë, vizionarët nuk do të bënin gjë.

Të metat e Traktatit të Reformës janë të dukshme. Braktisja e emrit “Kushtetutë”, ka gjasa të ishte i nevojshëm për të tërhequr të gjitha shtetet-anëtare. Por në papërcaktueshmërinë në vijim për platformën e përbashkët politike në të cilën duhet të mbështetet zëri i Evropës në politikën e jashtme, nuk ka domosdoshmëri të tillë. Përveç kësaj, në fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, gjithsesi, nuk ka unanimitet, që është i domosdoshëm për vendimet e rëndësishme në luftën kundër kriminalitetit dhe terrorizmit, gjë që nënkupton zvarritje të mundimshme. Traktati nuk parashikon masa të mjaftueshme për përmirësimin e koordinimit të politikave ekonomike dhe buxhetore të Evropës.

Por kaq evident është fakti, siç thuhet në rezolutën e Parlamentit Evropian të 20 shkurtit, se “Traktati i Lisbonës është hap thelbësor përpara në krahasim me traktatet ekzistuese, gjë që çon në një llogaridhënie më të madhe demokratike para Bashkimit dhe përmirësimin e vendimmarrjes”. Miratimi i legjislacionit të BE-së do t’i nënshtrohet kontrollit parlamentar (si në nivel evropian, ashtu dhe në atë kombëtar), i cili s’ekziston as në njërën apo tjetrën strukturë kombëtare ose ndërkombëtare.

Përveç kësaj, agjenci të tilla si “Europol”-i dhe “Eurojust”-i, gjithashtu do t’i nënshtrohen një kontrolli më të madh parlamentar, dhe procedura buxhetore do të bëhet më e thjeshtë dhe më demokratike. Karta e të Drejtave Themelore e BE-së do të bëhet juridikisht e detyrueshme, dhe mbrojtja gjyqësore e qytetarëve do të forcohet në anë të lehtësimit të aksesit të tyre në gjykatën Evropiane, si dhe të zgjerimit të juridiksionit të Gjykatës. Roli i Bashkimit në skenën ndërkombëtare do të forcohet meqenëse shkrihen postet e Përfaqësuesit të Lartë dhe Komisionerit për Lidhjet me Jashtë dhe krijohet një shërbim i njësuar diplomatik.

Kjo listë mund të vazhdonte, por gjithmonë kemi arsye të mjaftueshme për të konkluduar se më e mira që përfitohet nga Traktati i ri, do të jetë më e mirë se ç’mund të bëjnë BE-ja dhe vendet e saj anëtare. Ingredientët e parë të një identiteti të përbashkët kolektiv janë injektuar në zgjerimin e BE-së, që ende shenjohet nga larmia e pozicioneve, ndjeshmërive dhe shpresave. Po të kërkohej nga secili vend të bëjë më shumë sesa ratifikimi njëzëri prej secilit, do të minohej harmonia e brishtë e Evropës.

Asgjë, megjithatë, s’i pengon grupet e vogla të shteteve anëtare t’i vënë vetes objektiva më të guximshëm në kuadër të marrëveshjeve të veçanta, nëse besimi dhe ngjashmëria e ndërsjellë do t’i inkurajojnë për këtë. Në fund të fundit, pikërisht kështu u nënshkrua Traktati i Shengenit (Schengen Treaty), i cili më pas u bë pjesë e acquis communitaire (korpusi i ligjeve të BE-së). Fare pak kohë më parë u përfundua një marrëveshje, si rezultat i së cilës, bashkëpunimi mes organeve të policisë u shndërrua në integrimin e policive të vendeve anëtare.

Ka arsye të shpresohet se disa nga shtetet anëtare të BE-së do të ndërmarrin hapa të ngjashëm në luftën kundër kriminalitetit dhe terrorizmit, çështjet e mbrojtjes ose të harmonizimit financiar dhe buxhetor. Cilado qoftë sfera, një grup vendesh anëtare të integruara më thellë do të formonin një bërthamë, e cila mund të ishte shumë shpresëdhënëse në forcimin e BE-së në tërësi. Le të jetë nisma e tyre, meqenëse Bashkimi duhet të marrë një ngarkesë të re energjie si rezultat i përmirësimeve të realizuara. 50 vjet më pas, ky është mësimi që na dha deklarata e Shumanit.

* Titulli në origjinal: “Europe by Degrees”

**Xhuliano (Giuliano) Amato, ish-kryeministër i Italisë, është President i Komitetit të Aksionit për Demokraci Evropiane

Përktheu: Vladimir Mustaqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›