E Diel, 1 Nëntor 2026

Varrmihësit e Gërdecit

Disa ish-punëtorë të magazinës qeveritare të demontimit të municioneve sot hyjnë në ditën e pestë të grevës së urisë. Përshkallëzimi i protestës së tyre po qëllon në tremujorin e krimit qeveritar të 15 marsit 2008, që u mori jetën të paktën 26 njerëzve, plagosi mbi 300 të tjerë, tronditi psiqikisht dhe moralisht qindra-mijëra dhe ka një faturë ekonomike, zyrtarisht prej 20 miliardë lekësh.

Të futurit në grevë, janë ata që i shpëtuan vrasjes apo gjymtimit fizik, ditën e masakrës, por që me veten e tyre, sot urojnë që më mirë të mos ishin në mesin e të gjallëve. Sepse qeveria, me hir apo me pahir, nga shtrëngesa buxhetore, apo përçmimi klasor, i ka lënë si të vdekur e të pakallur nën dhe`, në mes të katër rrugëve.

Ditën kur ndodhte masakra në Gërdec, administrata qeveritare, në piramidë, funksionoi në mënyrë aq të përkryer, saqë mobilizime të tilla do t’i kishte patur zili çdo administratë tjetër shtetërore. Gërdeci u shpall zona e fatkeqësisë, të plagosurit u trajtuan në qendrat spitalore brenda dhe jashtë vendit, të vrarët u mblodhën copa-copa dhe të gjithë të gjeturit e patën një varr. Qeveria, me ngutjen për ta mbyllur sa më parë dosjen përvëluese “Gërdeci”, ishte shumë efikase edhe në shpërndarjen e fondeve të para për familjet e viktimave dhe nga ngutja, spektakli qeveritar, u servir si dhënie e parave në dorë në Bashkinë e Vorës, një gjest që u quajt pervers nga të mbijetuarit e tragjedisë. Për të treguar efikasitetin, familjet e mbetura pa strehë u akomoduan në kampin veror të Ministrisë së Brendshme dhe në hotele private që u ofruan bujarisht në emër të humanizmit.

Pas kësaj faze emergjence, filloi të dukej se gjithçka kishte qenë një fasadë e rrejshme për të mbijetuarit. Ditë pas dite, megjithëse qeveria preku fondin rezervë dhe megjithëse shtete, privatë apo individë dhuruan shuma të konsiderueshme, fondet ose u lëvruan me shumë probleme, ose nuk vajtën në destinacion, te familjet që ishin prekur nga krimi shtetëror, duke u bërë madje objekt i antikrimit ekonomik për abuzime nga ana e zyrtarëve të shtetit.

Se çfarë nuk ka kryer qeveria e drejtuar nga Sali Berisha e tregon lista e shkurtër e kërkesave të parashtruara nga Komisioni i Grevës, gjashtë ditë më parë: pensione për ata që u vranë nga fabrika e qeverisë; dëmshpërblim për të plagosurit, rrogë dhe asistencë për një vit për ish-punëtorët; njohja e Sigurimeve Shoqërore për të punësuarit në të zezë nga privati dhe Ministria e Mbrojtjes; dëmshpërblime për pasuritë familjare që nuk u bënë objekt i vlerësuesve të qeverisë dhe në fund, ajo më njerëzorja që mund të kërkojë një i mbijetuar që ka humbur njerëzit në një krim shtetëror: pagesa e shpenzimeve të varrimit për disa prej viktimave që humbën jetën në shpërthimin e 15 marsit.

Po çfarë ka bërë qeveria e z.Berisha pas krimit të 15 marsit? Kryeministri, ishte të nesërmen për herë të parë dhe të fundit në fshatin e shuar nga shpërthimi i biznesit qeveritar, dhe dy herë të tjera në Bashkinë e Vorës, që ka nën juridiksion Gërdecin. Më pas, ai ua delegoi pushtetarëve vendorë apo ministrave të linjës, problematikat gjithnjë në rritje të zonës së shkatërruar. Dy javët e mëpasme ishin angazhim tërësor për të zhvendosur vëmendjen nga krateri i hapur i Gërdecit me marrjen e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në Samitin e Bukureshtit. Ëndrra u plotësua me firmën e 3 prillit në Rumani dhe qeveria, si një klan i shkëputur brenda një vendi ende të traumatizuar nga shpërthimi i Gërdecit, e festoi marrjen e ftesës me një miting sa madhështor, aq edhe sarkastik për të mbijetuarit e fshatit Gërdec, kur një falënderim i posaçëm i jepej ushtrisë dhe ish-ministrit të Mbrojtjes për punën e shkëlqyer që kishin bërë për përmbushjen e standardeve të Shqipërisë në marrjen e ftesës!!! Më pas, do të vijonte çmenduria e radhës, turi “Shqipëria në NATO”, një gjetje djallëzore sërish për të zhvendosur vëmendjen e publikut nga inkriminimi dhe paaftësia e qeverisjes për të mbyllur jo vetëm plagët e Gërdecit, por edhe ato që janë anembanë Shqipërisë. Duke prerë shirita përurimesh, para dhe pas fillimit të punimeve për vepra publike apo investime thjesht private, Kryeministri u përpoq të demonstrojë profilin e kryeqeveritarit që ndërton, që nxit zhvillimin e vendit dhe rritjen e sigurisë për stabilitetin dhe përparimin.

Në Tiranë, në sallën e Qeverisë dhe të Kuvendit të Shqipërisë, angazhimi kryesor i Kryeministrit ka qenë injorimi dhe sajimi i kleçkave ligjore apo procedurale për të vonuar sa më shumë është e mundur heqjen e imunitetit për zyrtarët e akuzuar. Strategjia e lodhjes së atyre që kërkojnë drejtësi, pasqyrohet sot, kur me gjithë presionet e shumta nga publiku vendas apo donatorët e Shqipërisë, heqja e imunitetit të deputetit Mediu ende nuk është futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit, kur qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme vijon të atakojë Prokurorinë e Përgjithshme për përkrahje të zyrtarëve të korruptuar (!!!)

Sot, në ditën e pestë të grevës së urisë së ish-punëtorëve të fabrikës qeveritare të Gërdecit, asnjë pushtetar vendor apo qendror nuk ka shkuar të bisedojë me grevistët, qoftë edhe t’u bëjë mashtrimin e radhës. Dhe kanë të drejtë të mos shkojnë. Gërdeci ka mbetur një gropë e zezë që akuzon. Një gropë që nuk e makiazhon as angazhimi i forcave xheniere të ushtrisë, për të rihapur rrugët kryesore të fshatit, as fondet e pakta që janë dhënë për të rinisur jetën. Gërdeci ka mbetur ashtu siç është përpjekur ta mbajë varrmihësi: një varr gjigant që akuzon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›