E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstantini ynë

Me gjithë tentimet për ta sllavizuar Konstantinin e Madh ai mbetët ilir. Kjo u pohua nga studiuesit dhe historianët në tribunën kushtuar këtij perandori të Romës.

Lajmi se një universitet privat në Serbi pritet të financojë një film hollivudian, i cili flet për Konstantinin e Madh dhe e portretizon atë si serb, i ka shkundur shqiptarët dhe i ka zgjuar ata nga gjumi. Për të demantuar serbët dhe për të dëshmuar se Konstantini i Madh ka qenë iliro-dardan, katër asociacione të ndryshme u bënë bashkë dhe e organizuan një tribunë kulturo-shkencore.

Asociacioni për Zhvillim të Galabit ‘Galabri’, Shoqata Kulturore e Kosovës ‘Anton Pashku’, Shoqata ‘Miqtë e Amerikës’ dhe Unioni i Letrarëve të Kryeqytetit të Kosovës, të hënën, organizuan në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës tribunën kushtuar këtij perandori, në të cilën u paraqiten gjashtë kumtesa.

Kjo tribunë, sipas organizatorëve, shënon edhe fillimin e jubileut të 1700-vjetorit të ‘Ediktit të Milanos’, të mbajtur në vitin 313, kur Konstantini i Madh e kishte legalizuar krishterimin në botë.

Në këtë tribunë u lexuan gjashtë kumtesa dhe u zhvillua një debat lidhur me figurën e Konstantinit të Madh.

Në kumtesën e tij, shkrimtari dhe botuesi Frrok Kristaj u shpreh se Evropa duhet t’u jetë mirënjohës ilirëve, dardanëve, arbërve dhe shqiptarëve për rolin e jashtëzakonshëm të disa shenjtorëve të gjakut tonë, si Shën Konstantini i Madh, Shën Justiniani i Madh, Shën Jeronimi, Shën Niketa, e deri te e lumja Nëna Tereze.

“Mirëpo, me porosi të Serbisë Hollivudi po bën filmin për Konstantinin e Madh, që e trajton serb, sipas romanit ‘Udhëkryqi i Konstandinit’ të serbit Dejan Stojkoviq. Për këtë Serbia ka ndarë mbi 100 milionë dollarë. Por a e dinë serbët se Konstandini i Madh ishte dardan, paraardhës i shqiptarëve, përkatësisht se serbët duhet të nisen nga fakti se ndër emrat serb asanjëherë nuk kanë pas Konstandin”, shtroi pyetjen Kristaj.

Ai shtoi se skenaristët serbë e dinë se s’ka asnjë dokument bindës të cilësdo kohë që Konstantinin e Madh e trajton serb. Kristaj tha se vetëm pse u lind në Nish, të cilin sot e kanë serbët, kjo nuk do të thotë se Perandori i Madh na qenka serb.

“Sipas kësaj logjikë do të mund të bëhej kërdia në transferimin e personaliteteve të historisë nga një komb në tjetrin, sepse edhe Kanti, u lind në Konigsberg, por kjo nuk e bënë atë rus. Pra, sipas kësaj logjike do të na përmbyseshin maja e historisë, sepse De Rada, që u lind në Itali, a duhet quajtur italian, përkatësisht Papa Klement Albani u lind në Itali, por ai e pohon veten arbër, siç mban dhe zyrtarisht mbiemrin ‘Albani’ dhe emrin ‘Kelmendi’. Mid’hat Frashëri u lind në Stamboll, por ai është ndër të mëdhenjtë e shqiptarëve. Vendlindja e Konicës sot ndodhet në Greqi, por kush mund ta bëjë grek dijetarin e madh shqiptar?”, u shpreh Kristaj.

Për ta dëshmuar prejardhjen iliro-dardane të Konstantinit të Madh, Kristaj citoi shumë historianë botërorë, të cilët në veprat e tyre theksojnë se Konstantini i Madh ka qenë ilir e jo sllav. Një pjesë të fajit, sipas tij, e kanë edhe institucionet tona shtetërore, kulturore dhe shkencore, të cilat rrinë në gjumë.

“Të dy shtetet shqiptare heshtin, sikur që heshtin edhe akademitë tona, kurse akademitë sllave e greke s’kanë turp të shpifin e të grabisin, ndërkaq tanët s’kanë turp të heshtin!”, u shpreh Kristaj.

Studiuesi Besim Morina foli për legalizimin e krishterimit nga ana e Konstantinit të Madh. Ai gjithashtu i kundërshtoi pohimet se krishterimi te ilirët është imponuar nga pushtuesit romakë.

“Mendimi se krishterimi tek ilirët ishte i imponuar nga pushtuesit romakë nuk ka të bëjë me të vërtetën, kur dihet se në fillim të krishterët ishin të përndjekur nga ana e Perandorisë Romake”, theksoi Morina.

Historiani Arben Hajdari foli për portretin e Konstantinit në prerjet monetare romake, ndërsa historiani tjetër Arben Arifi foli për jetën e Konstantinit.

Dy studiuesit e letërsisë, Ramadan Musliu dhe Prend Buzhala u morën me paraqitjen dhe portretizimin e Konstantinit të Madh në letërsinë shqipe.

Musliu në qendër të kumtesës së tij i pati dy romane të dy autorëve shqiptarë që si personazh e kanë Konstantinin e Madh, ndërsa Buzhala theksoi se figura e Shën Konstantinit na vjen e zgjuar nga lashtësia dhe vjen në kohën tonë si njëri ndër personalitetet qendrore të krishterimit, të kulturës e të qytetërimit europian, nga njëra anë dhe si personalitet, veprimtaria historike, politike e ushtarake e të cilit bën pjesë edhe në botën shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›